Nga BoldNews.al
Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme të shkallës së parë, Iliriana Olldashi, duket se po shpreson të emërohet në Apelin e GJKKO, duke ushtruar presion mbi gazetarët, të cilët denoncojnë skandalet qeveritare dhe personave të lidhur me pushtetin.
Emisioni “Stop” zbuloi pak ditë më parë kërkesën e gjyqtares Olldashi për të thirrur si dëshmitare gazetaren/bashkëpunëtoren e redaksisë, e cila denoncoi një rast korrupsioni të pedagogut të Mjekësisë, Besnik Faskaj.
Subjekti i investigimit është vëllai i zyrtarit të lartë policor, Idajet Faskaj dhe kunati i anëtares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (Vetingut), Alma Faskaj.
Drejtuesit e emisionit “Stop” e konsideruan kërkesën e Olldashit një lloj shantazhi e presioni ndaj gazetarëve, duke ia bërë të qartë gjyqtares se provat ndaj Besnik Faskajt janë “me zë dhe figurë”, kur ai është kapur duke i marrë 150 euro një studenteje për t’i vendosur një notë kaluese dhe të mirë.
Ky nuk është rasti i parë, kur gjyqtarja Olldashi prezanton një sjellje që duket si “shantazhuese” ndaj gazetarëve.
Pak muaj më parë, Iliriana Olldashi vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë SPAK, për të vendosur nën sekuestro serverin e “Lapsi.al”, pasi redaksia zbuloi skandalin e “patronazhistëve të Partisë Socialiste”.
Vendimi i Olldashit u shndërrua në një nga pikat më të errta të drejtësisë shqiptare, pasi Gjykata e Strasburgut, në një vendim urgjent dhe të paprecedent, kërkoi nga autoritetet shqiptare që të tërhiqeshin nga vendimi për sekuestron e mjeteve të punës së gazetarëve të “Lapsi.al”.
Skandali gjyqësor me “Patronazhistët”, ku gjykata merret me gazetarët dhe jo me shkeljet e zyrtarëve të lartë shtetëror, është i ngjashëm me modelin e shëmtuar të vendosur më herët nga ish-Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku dhe shoqja e saj në krye të ish-Krimeve të Rënda, Donika Prela, në rastin e hetimit të rastit “Geron Xhafaj”.
Në vitin 2018, dyshja Marku-Prela vendosën të merrnin nën hetim, duke vendosur edhe nën përgjim, gazetarin Jetmir Olldashi dhe të tjerë persona, të cilët ngritën dyshime të forta për përfshirjen në trafik narkotikësh të Agron (Geron) Xhafaj, vëllait të Ministrit të Brendshëm të kohës, Fatmir Xhafaj.
Me forcën e pushtetit dhe nëpërmjet manipulimit flagrant të provave prej vartësve të tyre, Marku-Prela arritën të çlironin Agron (Geron) Xhafaj nga akuzat e reja për trafik narkotikësh, ndërkohë që ai ishte dënuar me 7 vjet e 6 muaj burgim në Itali për çështje të ngjashme.
Edhe në rastin e patronazhistëve, njëlloj si Marku-Prela, gjyqtarja Iliriana Olldashi, vendosi të merrej me gazetarët e “Lapsi.al”, duke anashkaluar tërësisht faktin se qindra mijëra të dhëna personale të qytetarëve.