Nga Artan Rama
I fshehur nën petkun e politikanit të mirë që nuk ndërhyn në çështjet e teknikës së hartimit, me barrën e pretenduar të shqetësimit për Tiranën e nesërme, si pjesë e një skuadre, sipas tij, të përkushtuarish dhe e një vendimmarrje të propaganduar si kolegjiale, përgjatë disa muajve intensivë pune, Erjon Veliaj dhe një grup arkitektësh, shumica e të cilëve ende pa i mbushur të tridhjetat, ia doli të prezantojë nëpër salla të mbyllura e me publik të përzgjedhur, mes militantësh socialistë e punonjësish të administratës vendore, hartën e Tiranës së Re, ose siç quhet ndryshe “Projekti TR030”.
Por në jetë vjen gjithmonë ai moment, kur frika nga përballja ia le vendin guximit të pavetëdijshëm në ballafaqimin e pashmangshëm me kundërshtarin. Ndaj Erjoni dhe grupi i të rinjve të tij, në pamundësi për ta ndaluar, në ditën e përplasjes finale, u përpoq për ta shmangur, ose, së paku, për ta relativizonte.
Çasti kishte mbërritur! Ballafaqimi zhvillohej të hënën e fundit të vitit, në katin e tretë, të Hotel Plaza, në Sallën “Mbretëresha Geraldinë”. Kundërshtarët: Këshilltarët Bashkiakë të Partisë Demokratike. Qëllimi: shmangia e ballafaqimit!
Hotel Plaza është vendosur në një kullë, në afërsi të monumentit “Partizani i Panjohur” dhe ngrihet në 85m lartësi, duke fundosur edhe më shumë “Tyrben e Kapllan Pashës” që ndodhet në rrëzë të saj, të vetmin monument të kategorisë I, që ka mbijetuar qysh prej kohës kur Tirana u quajt Tiranë!
Kulla është një prej objekteve që mbijetuan nga i ashtuquajturi Plani Rregullues i Qendrës së Tiranës, i hartuar nga francezët e “Architecture Studio”, e shpallur fituese nga Edi Rama, në vitin 2010. Dhe si për ironi, tani, po mirëpriste një seancë dëgjimore për një plan të ri.
Ndërsa po i drejtohesha sallës, përmes ashensorit modern, i ndodhur rastësisht së bashku më arkitektin hollandez Andreas Faoro, që nën drejtimin e Stefano Boerit, arkitektit dhe urbanistit milanez, kishin marrë përsipër hartimin e strategjisë për Planin e Përgjithshëm Vendor, pata një si kthjelltësi e ardhur pas një turbullire mendimi të mëparshëm e të pashpjegueshëm. Teksa vështroja laptopin e tij, që nuk i kalonte të 15 inç-ët, brenda të cilit përmblidhej puna pak mujore mbi një veprimtari urbane pesëmbëdhjetë vjeçare, në një sipërfaqe totale prej 110,000 ha, ndjeva një si çlirim! Ende pa u futur në sallë më përfshiu otimizmi!
Unë asnjëherë nuk e kam kuptuar, përse njerëzit tremben nga një dëgjesë! Ajo është një mrekulli! Aty gjithçka shkëlqen si në një festë! Folësit përgatiten qysh më parë; mendimet i hedhin në letër e më pas i lexojnë përpara pasqyrës, derisa i mësojnë përmendësh. Të nesërmen, pasi vishen me rroba të reja, hyjnë në sallë. Parakalojnë përpara publikut dhe mediave. Këtu dukja peshon më shumë se mendimet, ndaj mjafton një pallto e shtrenjtë apo një pozicion publik dhe suksesi është i garantuar.
Megjithatë Erjoni kishte vendosur të bënte, pikërisht, të kundërtën! Ndërsa strategjitë për hartimin e planit ia kishin lënë arkitektëve të huaj, taktikat për miratimin e tij i kishte marrë përsipër bashkia. Por le të kthehemi pak momente përpara se “Ylli” i bashkisë të futej në sallë.
Të parët mbërritën djemtë e fonisë dhe teknikët e ndriçimit. Ishte një sallë e madhe, e veshur me perde të errëta. Në qendër, në pjesën ballore ishte vendosur një ekran modern, ku mbi një sfond të bardhë ishte stampuar një njollë e madhe e gjelbër.
Brenda tridhjetë minutave, vajzat e shërbimit të hotelerisë përgatitën gjithçka: tryeza të rrumbullakëta, mbulesa të bardha dhe mikrofona të zinj për secilin prej të pranishmëve. Shishe me ujë, gota qelqi e laps e letër të bardhë (që mbetën të tilla deri në fund) ishin rekuizita dhe menuja për secilin nga të ftuarit.
Në korridor, arkitektët e rinj të Zyrës së Urbanistikës palosnin tabakë të bardhë, në të cilat hartëzohej Plani i Përgjithshëm Vendor i Tiranës. Dhe si në një tryezë restoranti, ku buka ofrohet në një shportë të përbashkët, edhe këtu, hartat u servirën në grup, nga një kopje në çdo tavolinë!
Në hyrje, rojet e bashkisë dhe rojet e hotelit vigjëlojnë së bashku. Një shembull i Partneriteti Publik Privat! Mesazhi: takimi është publik, por “nën vëzhgimin tonë të rreptë”!
Pak përpara diskutimit, kërkesa e media-s për të qënë në sallë refuzohet! Situata tendoset, ndaj rojet, kinse përpiqen të tregohen të paanshën. Jashtë sallës mbetet edhe kamera e Top Channel! Nuk ka asnjë përjashtim!
Më pas pengohen disa aktivistë dhe ekspertë mjedisorë! Këshilltarët opozitarë ndërhyjnë! Situata ka ngecur! Ç’arsye të mirë mund të justifikojë ndalimin e media-s në një aktivitet publik?! Administrata Veliaj kalon në planin B! Por vetëm gjysma e tij bëhet publike për momentin: mediat do të lejohen gjatë parashtrimit, por nuk do të flasin gjatë seancës së pyetje-përgjigjeve!
Të ndalosh fjalën e gazetarëve dhe llogaridhënien e zyrtarëve publikë është kaq e thjeshtë në metropolin evropian të pretenduar nga z. Veliaj!
Me jakën e këmishës së mbërthyer deri lart në grykë, mbi jakën ovale të pulovërit, Erjon Veliaj, si një djalë kolegji, uroi të pranishmit për mirëseardhjen dhe Krishtlindjen.
E nisi ligjëratën me një shëtitje në disa qytete evropiane.
Fillimisht tregoi për një qytet italian të rrafshuar nga tërmeti dhe shprehu solidaritetin me homologun e tij. Më pas udhëtoi në Barcelonë, qytetin e famshëm spanjoll, por që në Shqipëri, më së shumti, e njohin prej ekipit të futbollit. Tha se ka qënë një qytet kaotik dhe i shëmtuar, e më pas, brenda një kohe shkurtër, ia doli të shkëlqejë! M’u kujtua Gaudi i famshëm dhe ndjeva një si përzierje në stomak!
Nuk e zgjati shumë dhe u kthye në Tiranë. Foli për Tiranën universale që përmes Evropës gotike, ashtu si Feniksi në legjendë, do të ringrihej prej hirit! Me një fjalë, më shumë se një prezantim, ishte një poezi pastorale. “Pajë oksigjeni”, “Kurora e gjelbër” dhe “Pylli i botëve”, mund të mbeten gjatë në kujtesën e të pranishmëve, ndonëse dyshoj, nëse ky fjalim i copëzuar mund të jenë kuptuar qartësisht prej të gjithëve!
Eh, çfarë ligjërate…
U përpoqa të mbaj disa shënime të shpejta dhe përgatita disa pyetje por, ende pa mbaruar mirë, u sul drejt daljes! Njoftoi se do të largohej (Erjoni po i shmangej ballafaqimit me këshilltarët, në prani të medias! Plani B po zbatohej plotësisht!) Tha se nxitonte për në zyrë. Sipas tij, do të kryente një celebrim të rëndësishëm, që në fakt, rezultoi të ishte i vërtetë. Bëhej fjalë për një martesë brenda rrethit të ngushtë të bashkisë. Por takimi zgjati deri pasdite vonë dhe ndonëse jashtë u errësua, djali me pulovër nuk u kthye!
Parashtrimi vijoi me Stefano Boerin, strategun e Planit të Përgjithshëm.
Në gjuhën angleze Tirana tingëllon vërtet evropiane! Togfjalëshat e zgjedhur poetikë dhe alegoria mjedisore shkoj përtej retorikës shprehëse. U duk, sikur për një moment, në sallë, filloi të fryjë një fllad i lehtë në ngjyrën e qiellit! Zëri, përmes bokseve, të ngjante me cicërimat e munguara të zogjve. Hapësirat e betonit u prapësuan dhe fasadat e qyteteve të rilindjes evropiane që kalonin mbi ekranin virtual të “konsulentit” Stefano Boeri, u zëvendësuan prej imazheve të një Tirane që nuk ekzistonte, por që po shitej shtrenjtë! Në sallë mbizotëroi heshtja. Sytë e arkitektëve të rinj të Zyrës së Urbanistikës rrezatonin shkëlqimin që vinte nga drita e ekranit.
Dëgjoja dhe mendja më shkonte tek ata socialistët e thjeshtë, prezentë në monologjet artistikë të Stefano Boerit. Vrisja mendjen të kuptoja se si mund të jenë përtypur tërë këto leksione arkitekture në gjuhën angleze, nga mendjet e njerëzve të thjeshtë! U interesova, nëse dikush nga Shoqata e Arkitektëve ishte i pranishëm në sallë, po përgjigja ishte mohuese.
Në ekran, kurorat e pemëve rrethonin Tiranën! Përgjatë vijave jeshile, lëviznin makina lodre. Një realitet kokëposhtë! Grafikat mesjetare të qyteteve të Rilindjes Evropiane u zëvendësuan prej tabllove surreale: hapësira të gjelbëra shtriheshin mbi tarraca e pallate! Në qytetin kompjuterik, mbizotëronte paqja sociale.
Silueta e Boerit ndërthurej natyrshëm me imazhet grafike, aq sa, nëse humbisje në përqëndrim, rrezikoje të ngatërroje prezencën e tij reale me iluzionin që përcjell një halogramë e rremë!
Pas një udhëtimi turistik në “Orbital Forest” (Pylli Orbital) të Stefano Boerit u kthyen përsëri në Tiranën reale, në qendër të saj, të Plaza Hotel, lartësia e së cilës fundoste gjithnjë e më shumë “Tyrben e Kapllan Pashës”, monumentin e kategorisë I, që ndodhej nën këmbët tona. Në sallë u dëgjuan duartrokitje…
Diku në mes, një grup i pakët këshilltarësh të opozitës, po bëhej gati për të marrë fjalën. Takimi po mbërrinte në pikën e tij kulmore.
Besnik Aliaj, urbanisti dhe pedagogu i arkitekturës nuk mund të gënjehej lehtë! Si një njohës i mirë i Tiranës, ai ishte njëkohësisht, një prej më të vjetërve, si këshilltar i zgjedhur i qytetit prej tre mandatesh. Ndaj dhe organizatorët kishin planifikuar anashkalimin përmes një taktike të thjeshtë: të gjitha reagimet, apo pyetjet do të bashkoheshin dhe përgjigjet do të jepeshin në grup, pra do të shmangej replika. Kjo taktikë relativizonte së pari, rëndësinë e pyetjes dukë i dhënë mundësi bashkisë, jo vetëm t’i shmangej përgjigjes direkte, por duke e tjetërsuar përgjigjen në një formë që mund t’i interesonte asaj. Po vihej në zbatim një tjetër plan manipulimi! Le ta quajmë plani C
.
Ishte një fjalim njëherësh, i ngjeshur dhe shumëplanësh. Ai i akuzoi drejtuesit vendorë se kishin përjashtuar qëllimisht nga diskutimet dhe dëgjesat paraprake mbi PPV-në, opozitën dhe grupet e interesit. Sipas tij, pikërisht, për këtë shkak, në kushtet e mungesës së transparencës, ky plan, nuk mund të legjitimohej. Përmes një përjetimi edhe emocional, ai u tregua i drejtëpërdrejtë dhe ballëhapur.
Por shumë prej pyetjeve apo konstatimeve, mbi mungesën e një ekspertize të mjaftueshme, apo mbi anashkalimin e sugjerimeve të institucioneve të tjera përgjegjëse, si AKPT-ja dhe Ministria e Mjedisit, kritikave mbi vizionin e paraqitur, mungesën e rrugëve lidhëse mes njësive urbane, u shpërfillën përsëri!
Sipas procedurës së përcaktuar qysh në fillim, grupi i arkitektëve hartues do të përgjigjej vetëm në fund.
Dhe kështu, pasi përfunduan të gjitha pyetjet, një pjesë e të cilave të paraprogramuara, pasi u dëgjuan edhe këshilltarët socialistë, grupi i arkitektëve italianë kërkoi një pushim prej pesëmbëdhjetë minutash, duke i shtuar akoma më shumë paqartësitë dhe dilemat e TR030.
Njerëzit u shpërndanë dhe kur u kthyen, gjysma e tyre mungonte. Ora po shkonte 15:00, kështu që takimin tjetër, atë që e kishte programuar si një dëgjesë të mirëfilltë me publikun e thjeshtë, bashkia ia mbivendosi të parës që vazhdonte ende. Pritej përgjigja e arkitektëve evropianë.
Papritur në sallë ia behu publiku! Mes tyre u shquan disa administratorë njësish, një numër nëpunësish vendorë dhe vetëm një pjesë më e vogël i përkiste opozitës.
Kështu, përgjigjet e Boerit filluan në një situatë të ngarkuar për shkak të mbipopullimit, e favorshme për grupin e arkitektëve të huaj, pasi vëmendja shpërqëndrohej prej zhurmave, hapjes e mbylljes së shpeshtë të derës, si dhe një lloj nervozizmi që u shkaktohej pjesëmarrësve prej gjuhës angleze që nuk e kuptonin. Tani gjithçka bëhëj për të fituar pikë në sytë e tifozëve të pranishëm. Salla ishte shndërruar si brendia e në një autobuzi të tejmbushur urban, ku pasagjerët e ngjeshur pas njëri-tjetrit, presin me padurim mbërritjen në destinacion. Por që natyrisht, përgjigjet e Boerit do të humbisnin rrugës…
Dhe ndodhi pikërisht ashtu! Kur këshilltarët e djathtë e kuptuan se nuk kishte më shpresë, u larguan. Më pas edhe vetë Stefano Boeri, u largua. Arbën Mazniku, Elisa Spiropali dhe një pjesë e këshilltarëve të majtë nuk ishin kthyer në sallë, qysh prej pushimit. Taktikat e shmangjes së ballafaqimit me median, publikun e opozitën, funksionuan.
Në Sallë mbeti Joni, një arkitekt i ri që Erjon Veliaj e kishte emëruar Drejtor të Urbanistikës, menjëherë, sapo u zgjodh në krye të bashkisë. Ky urbanist i ri, ende pa përvojë të spikatur në fushën e planifikimit, kishte zgjedhur një karrierë shkresash, kundrejt vizatimeve teknike. Dhe ndoshta marrëdhëniet e mira me studion belge 51N4E, gjatë kohës kur drejtonte “Atelier Albania“, ku 51N4E është ende pjesë, i kanë dhanë një dorë karrieres së tij të shpejtë.
Një sallë e mbushur, më së shumti, me militantë dhe një projekt planifikimi i mbetur pa autor, i ngjitur në ekran.
Të pranishmit, njëlloj si kontrollet punëtore të dikurshme, shqyenin sytë për të kuptuar vijat e hequra mbi hartë, pa mundur t’i deshifronin ato. Më të vendosurit, shpalosnin tabakët e bardhë me harta që gjendeshin ende të pahapura mbi tavolinë.
Në ekran u shfaq përsëri ajo njolla e madhe jeshile. Nga altoparlanti u dëgjua: “Pylli orbital”, Unaza e gjelbër, Transporti publik, first mile and last mile…
Kishte ardhur koha të largohesha dhe unë…
Zbrita në rrugë. Kishte rënë mugëtira, por një mendim nuk mu shkul nga mendja për një kohë të gjatë! Ç’ishte kjo shfaqje pa spektatorë, për hir të spektatorëve?! A ishte një plan, një farsë, apo thjesht një numër: TR030? A ishte vërtet një projekt, apo vetëm një ekran me ngjyra? Ai mendimi i turbullt që më shoqëronte kur hyja në sallë, në fillim të ditës, m’u kthye përsëri, tani që po largohesha prej saj, në mugëtirë!
Por ndoshta, as ata vetë në sallë nuk e dinë! Sepse dikush që qëndron më lart, atje, në zyrën e ish kryetarit të vjetër, është porositësi i parë, kryearkitekti i vërtetë. Ai që për pesëmbëdhjetë vjet modeloi Tiranën e sotme; kaotike e në një formë të pakthyeshme; pa rregulla e vizion! Ai që eliminoi hapësirën e shpiku parqe pushimi prej betoni! Ndoshta pra, atje lart, ai di më shumë!
Njëzet e pesë vjet më parë, kur shqiptarët u larguan masivisht drejt Evropës, lanë pas qytete modeste, por të qeta e me hapësira të bollshme. Dhe tani, kur një pjesë e tyre po kthehet, veçanërisht këtu, në kryeqytet, nuk ka asnjë hapësirë të lirë! Kështu, me gjasë, ato pak shtëpi të vjetra tiranase të ulëta, të mbetura ende në këmbë prej periudhës otomane, apo një grup vilash, shumica e të cilave, të rrënuara, por që fshehin një estetikë e teknikë arkitekturore të paarritshme, që datojnë në vitet ’30, ato pra, që e bënë Tiranën, Tiranë, do të jenë preja e pashmangshme e industrisë më të madhe në Shqipëri: industrisë së betonit!
Nën postulatën se “Zero ndërtime e ngrijnë qytetin!”, urbanistët e rinj po shndërrohen në shkatërrues e jo në zhvillues të tij.
Ose ndoshta e keqja qëndron, akoma më lart, mbi zyrën e ish kryetarit të vjetër në një rreth akoma më të ngushtë, më të padepërtueshëm, por që në partneritet të plotë me të, në emër të planit të ri, me lejen TR030 në dorë, kërkon të përfitojë njësoj, si atëherë prej Tiranës së shkuar edhe sot, prej Tiranës që do të vijë!