Sektori i fasonit, turizmit dhe transportit këtë vit shënuan rritje të aktivitetit, por ende mbeten poshtë niveleve të parakrizës. Ndërtuesit, përpunuesit e qumështit, eksportuesit e fruta-perimeve pohojnë rritje të prodhimit në raport me 2019-n. Për t’iu përshtatur realitetit të ri, sipërmarrjet po zbatojnë modele të reja të të bërit biznes. Ekspertët kërkojnë që edhe qeveria të nisë rimodelimin e ekonomisë. Shumë kompani dhe shoqata të biznesit nuk i vlerësuan pozitivisht nismat e qeverisë për marrje kredie, nëpërmjet dy garancive sovrane.
Hapja e tregjeve dhe heqja e masave kufizuese kanë ndikuar pozitivisht te shumë sektorë të ekonomisë në Shqipëri, pas bllokimit dhe kushtëzimit të ekonomisë në 2020. Përfaqësues të shoqatave dhe kompanitë pohojnë se gjatë këtij 7-mujori, aktiviteti i tyre është rritur në raport me të njëjtën periudhë të 2020-s. Për disa sektorë, rikuperimi ka qenë i shpejtë në krahasim me periudhën e 2019-s, ndërsa të tjerë shprehen se normaliteti mund të kthehet në vitin 2023.
Në kahun tjetër, pandemia nxori në pah domosdoshmërinë e bizneseve për t’u përshtatur me realitetin e ri. Ndërmarrje të shumta fason kanë investuar për diversifikimin e prodhimit. Për t’iu përshtatur ndryshimit, kompanitë e sektorit të shërbimeve kanë rritur investimet për porositë delivery.
Operatorë të strukturave akomoduese më të mëdha në vend po investojnë për ngritjen e laboratorëve në resortet e tyre, që do të shërbejnë për kryerjen e testit tampon dhe dhënien e rezultatit për turistët. Përfaqësuesit e shoqatave thonë se edhe ekonomia duhet të ketë qasje të re zhvillimi, duke u orientuar drejt zhvillimit të tregtisë dixhitale dhe robotikës. Ekspertët e konsiderojnë të zbatueshëm modelin e ri, nëse qeveria harton legjislacionin e duhur për përshtatjen.
Pandemia diktoi nevojën e shumë sipërmarrjeve për likuiditet, qoftë për pagat e punonjësve dhe investime. Në mbështetje të sektorit privat, qeveria miratoi dy instrumente për përfitim kredie me vlerë 26 mln lekë. Pjesa më e madhe e bizneseve e konsiderojnë të paleverdishëm përfitimin e kredisë nga Garancitë Sovrane 1 dhe 2, për shkak të interesit të lartë dhe burokracive.
Kthimi i masave kufizuese të ekonomisë, për shkak të një vale tjetër të pandemisë në muajin shtator 2021 si nga përfaqësuesit e shoqatave, ashtu edhe nga bizneset, vlerësohet si një kthim mbrapsht i krizës. Ndërsa kufizimet drastike të ekonomisë përmbysin çdo parashikim pozitiv të sipërmarrjes shqiptare për kthim të shpejtë në normalitet.
Sektorët e rimëkëmbur nga pandemia
Pandemia tregoi se sektorët me varësi të lartë nga tregu i jashtëm (kryesisht vendet fqinje) ishin më të ekspozuarit ndaj krizës. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, Arben Shkodra, thotë se te sektori i ndërtimit, ushqimit, fruta-perimeve e bujqësisë është vënë re kthim i shpejtë në normalitet. Vështirësi, sipas tij, po has sektori fason, i përpunimit dhe riciklimit të plastikës, si dhe vazhdon rritja galopante e çmimit të transportit të mallrave.
“Pandemia ndikoi negativisht te disa makrosektorë të prodhimit, ndërsa te disa të tjerë nuk pati ndikim. Makrosektorët e ushqimit dhe pijes patën vetëm një ‘ngrirje’ kur u bë mbyllja e ekonomisë, pasi para karantinës patën shitje shumë herë më të larta se vitet e tjera, sepse njerëzit mësynë supermarketet. Edhe gjatë 2020, këta makrosektorë nuk patën probleme, përveç industrisë së përpunimit të pijeve alkoolike, për shkak të mbylljes së bareve, restoranteve dhe klubeve të natës.
Sektori i ndërtimit pati një “ngrirje” momentale prej rreth 1-2 muajsh. Por pas hapjes së ekonomisë dhe zbatimit të programeve të rindërtimit, ky sektor jo vetëm që kapi trendin e vitit, por tejkaloi edhe 2019-n.
Tekstilet dhe këpucët vuajtën gjatë gjithë vitit pasojat e pandemisë. Shumë kompani mbyllën aktivitetin dhe shkurtuan numrin e të punësuarve. Shumë prej këtyre ndërmarrjeve ende nuk po e rimarrin veten për shkak të humbjes të prodhimit të stinëve dhe stokut të magazinimeve nga mungesa e shitjeve.
Industria automotive ka pasur rënie të lartë, sepse nuk kishte shitje në 2020 të automjeteve në Europë. Shqipëria ka varësi të lartë nga kërkesa për materialet gjysmë të gatshme, që i shërbejnë industrisë automotive në Ballkan dhe Europë. Mungesa e shitjeve të automjeteve ndikoi tek ulja e kërkesës për materiale porositëse, sidomos për alumin, hekur dhe materiale të tjera të pjesës së metaleve.
Për shkak të pandemisë, tregu u çorientua dhe kjo u reflektua në rritjen galopante të çmimeve të transportit, që ndikoi në të gjitha mallrat e importit. Transporti i një kontejneri me mallra nga 1,500 dollarë, kushton deri në 18,000 dollarë. Në pandemi kishte edhe episode të caktuara në uljen drastike të çmimit të energjisë elektrike dhe në fund të 2020, rritje dyfish të çmimit energjisë, që ndikon te kostoja e prodhimit. Një fenomen tjetër që u vu re në pandemi ishte luhatja e shpeshtë e çmimit të karburanteve, plastikës, letrës, që ndikuan te rritja e kostos të prodhimit”.
Fasonët mbeten poshtë niveleve të parakrizës
Eksportet e tekstileve dhe këpucëve arritën në 66.3 miliardë lekë për 7-mujorin 2021, me rritje prej 14% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të INSTAT. Por ndryshe nga sektorët e tjerë që e kanë tejkaluar nivelin e 2019-s, ky grup mbetet ende poshtë niveleve të parakrizës, si rrjedhojë e ecurisë së dobët të industrisë së veshjeve të këmbëve. Ndërsa eksportet e tekstileve për janar-korrik 2021 ishin sa 97% e së njëjtës periudhë të 2019-s, ato të veshjeve të këmbëve ishin sa 82% e vitit para pandemik.
Kryetari i Shoqatës ProEksport Albania, Edvin Prençe, thotë se sektori i manifakturës të veshjeve dhe këpucëve është shumë larg nivelit të vitit 2019. “Në shumë fabrika punohet ende me rreth 64% të porosive në krahasim me vitin 2019, por kostot janë po ato, madje edhe janë shtuar”.
Florian Zeka, përfaqësuesi i Shoqatës ProEksport Albania (PEA) dhe zotërues i një fabrike tekstile me 80 të punësuar nënvizon se sektori vazhdon të vuajë pasojat e pandemisë, për shkak të pezullimit të panaireve për sezonin e vjeshtës 2021 që po ndodh në disa vende të Europës dhe moszhvillimit të sfilatave. “Më 17 shtator në Londër ishte parashikuar të mbahej panairi më i madh në Europë për veshjet fashion, ku pritej të merrnin pjesë 5 kompani shqiptare. Zhvillimi i tij u anulua një muaj para nga organizatorët për shkak të pandemisë. Është lajmëruar mbajtja e panairit të muajit tetor në Gjermani, por ende nuk dihet a do të zhvillohet”.
Sipas Florian Zekës, rikuperimi nuk është arritur ende, pasi për shkak të pandemisë, ndërmarrjet u përballën me humbjen e klientit, mungesën e shitjeve, investimin, infektimin e punëtorëve.
“Sektori është duke mbijetuar. Ritmet e punës nuk janë të njëjta si në 2019. Ka rritje të porosive në raport me vjet, por jo në nivelin e 2019-s. Parapërgatitja e punës për nisjen e sezonit të ardhshëm është shumë e madhe. Është realizuar një numër i lartë koleksionesh (çdo kompani fason e veshjeve krijon koleksionin dhe e prezanton në sfilata dhe panaire. Në bazë të kërkesës për koleksionin e prezantuar për veshjet e sezonit të verës apo dimrit kryhet prodhimi i tyre), sa nuk janë realizuar në 10 vitet e fundit. Problem mbetet shitja e tyre, zhvillimi i sfilatave të modës dhe mbajtja e panaireve”.
Ndërmarrjet fason në vend parashikojnë që, të paktën deri në fund të dhjetorit 2021, të arrijmë të rikuperojmë prodhimin sa në nivelet e 2019-s. “Nëse në shtetet fqinje do të zbatohen kufizimet për shkak të përkeqësimit të pandemisë, rikuperimi i sektorit do të jetë i largët. Në çdo krizë ekonomike, sektori i veshjeve është i fundit që rimëkëmbet, pasi prioritet është vënia në punë e sektorëve të tjerë, si bujqësia, produktet ushqimore e më pas mendohet për veshjen”, veçon z. Zeka.
Largimi masiv i punonjësve në emigracion konsiderohet arsyeja kryesore nga përfaqësuesi i fabrikës Mali sh.p.k në Lezhë, Alfred Mali, për mosarritjen e nivelit të parakrizës në prodhimin e këpucëve. “Këtë vit, prodhimi është 30% më shumë se 2020. Arsyeja është hapja e ekonomive të shteteve të huaja dhe nisja e shitjeve. Në raport me 2019, prodhimi vazhdon të jetë me rënie.
Arsyeja është largimi i punonjësve në emigracion. Nga 400 punonjës që kisha në 2019, aktualisht në fabrikë janë 280 të punësuar. Largimi i fuqisë punëtore na ka shkaktuar shumë probleme, pasi porositë në këtë periudhë nuk mungojnë. Pas 4 muajsh do të kërkojmë rritje të çmimit të kontratës porositës me qëllim që të rrisim pagat e punonjësve dhe të garantojmë qëndrimin e tyre. Në të kundërt është e pamundur të frenosh emigracionin e tyre”.
Skënder Pashaj, nga kompania e këpucëve “Fital”, thotë se prodhimi është i garantuar deri në muajin nëntor. Më tej, ecuria do të jetë në varësi të masave të shteteve fqinje. “Deri tani prodhimi është më i lartë se në 2020-n, por më i ulët se periudha e parakrizës. Arsyeja është vonesa në fillimin e shitjeve të sezonit të ri të këpucëve. Më shumë janë shitur sandalet. Për shkak të pandemisë, prodhimi i këpucës mund të arrijë nivelet e 2019-s, në pranverën e 2023 kur do të nisë prodhimi i ri”.
Baret dhe restorantet presin pranverën e 2023 për të arritur nivelet e 2019-s
Pas një viti 2020 me ulje-ngritje, që kaluan subjektet e shërbimit (baret, restorantet dhe klubet e natës ishin të parët që u mbyllën me shfaqjen e Covid-19 në muajin mars), me hapjen e ekonomisë deri në përfundim të verës, xhiroja e tyre arriti të rikuperohej.
Në periudhën vjeshtë-dimër, qarkullimi te këto biznese iu rikthye rënies me rreth 40%, krahasuar me një vit më parë, për shkak të rënies të frekuentimit nga masat kufizuese. Për këtë vit, frekuentimi në bare dhe restorante sipas përfaqësuesit të Shoqatës të Bareve dhe Restoranteve z. Enri Jahaj, ka qenë i lartë krahasuar me vjet, ndërsa konsumi vijoi të jetë i ulët.
“Sektori ende nuk e ka marrë veten nga pandemia dhe nuk besoj se do të arrijë të rikuperohet para vitit 2022. Për të arritur nivelin e vitit 2019 duhet të presim pranverën e vitit 2023. Hapja e kufijve dhe largimi i shqiptarëve jashtë për pushimet e verës (pothuajse kishin dy vjet pa lëvizur) ishte një tjetër faktor që ndikoi në mosarritjen e nivelit të frekuentimit si para krizës”.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve thotë se pavarësisht se ka pasur rritje të frekuentimit të bareve dhe restoranteve, sidomos në muajt e verës, shpenzimet e një familje në restorant kanë qenë të ulëta. Sipas tij, pandemia ndikoi edhe për të vendosur një rregull të ri tek konsumatori, pasi ata u mësuan të porosisin nga shtëpia dhe bizneset në Shqipëri nuk ishin gati për paketime.
Në fund të muajit korrik, në një letër drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Shoqata e Bareve dhe Restoranteve kërkoi uljen e TVSH-së sa në nivelet e sektorit të turizmit dhe ndryshimin e orarit të muzikës, për shkak të rënies të xhiros.
Sektori i turizmit, larg niveleve të 2019-s
Ardhja e turistëve të huaj dhe kthimi i emigrantëve në atdhe për të kaluar pushimet ndikoi pozitivisht këtë vit në sektorin më të prekur nga pandemia, turizmin. Strukturat akomoduese për 2021 punuan me kapacitet të plotë, pas një vere me turizëm patriotik që përjetuan në 2020, për shkak të kufizimit të lëvizjeve që u zbatuan nga shumë shtete.
Fatos Çerenishti, nga FAFA Group, i cili zotëron dy struktura akomoduese me kapacitet 700 dhoma në zonën e Golemit, tha se ky vit ka qenë shumë më i mirë se 2020, por ende nuk janë arritur nivelet e 2019-s. “Arsyeja është pasi ardhja e pushuesve për periudhën maj-qershor ka qenë shumë e ulët. Nga muaji korrik dhe deri tani, numri i pushuesve ka qenë shumë i lartë. Krahasuar me vjet, numri i pushuesve është 30% më i lartë dhe 20-30% më pak se në 2019. Ashtu siç e ka parashikuar edhe Organizata Botërore e Turizmit, sektori do t’i kthehet normalitetit në vitin 2023.”
Për 2021, administratori i FAFA Group punoi me kapacitet të plotë nga 60 deri në 70% që ishte totali i dhomave të prenotuara në vitin 2020. Sipas z. Çerenishti, 60% e pushuesve këtë vit ishin polakë, çekë, shtetas nga Maqedonia dhe Kosova. Kurse nga vendasit, prurja më e madhe ishte nga emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, ku për shkak të karantinave dhe masave kufizuese në shtetet ku ata jetojnë, nuk mundën që vitin e kaluar të ktheheshin për pushime në atdhe.
Sektori i ndërtimit mbetet i paprekur nga kriza
Në vitin që lamë pas, pavarësisht se pandemia përkeqësoi ekonominë e Shqipërisë, sektori i ndërtimit ishte një ndër ata që nuk u prek nga kriza. Tirana tashmë është kthyer në një kantier ndërtimi dhe aktiviteti i ndërtuesve pritet të jetë i garantuar edhe për disa vite. Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës të Prodhuesve, Arben Shkodra, e rendit këtë sektor si ndër të parët me rritje të lartë në krahasim me 2019.
Edhe ndërtuesi Hajredin Fratari pohon se shitjet e apartamenteve si në qendër, ashtu edhe në periferi të Tiranës, janë rritur edhe pse çmimet janë më të shtrenjta. “Në kryeqytet, këtë vit, janë hapur shumë kantiere të reja ndërtimi, si brenda Unazës së Vogël, ashtu edhe në zonat periferike. Shtimi i aktivitetit të ndërtimit është ndikuar nga rritja e qarkullimit të parasë dhe kërkesës së lartë të individëve për të blerë apartamente. Nga rritja e qarkullimit të parasë, po investohet më shumë për ngritjen e pallateve të reja në qendër, ndërsa për ndërtimet e reja në zonat periferike po jepen shumë kredi nga bankat e nivelit të dytë.
Disa banka po financojnë 100% të ndërtimit nëse vendosen dy hipoteka si koletaral. Shumica e blerësve të apartamenteve në periferi janë nga kreditë e buta të bashkisë, ose me kredi nga bankat e nivelit të dytë. Në Unazën e Vogël të Tiranës, çmimet variojnë nga 1500 deri në 4,000 euro. Shitjet në një nga kullat pranë Hotel Dajtit kanë përfunduar. Të gjitha apartamentet e banimit janë shitur me 4,000 euro/m². Këto çmime nuk janë në asnjë vend të Europës”.
Më herët për “Monitor”, ndërtuesi Hajredin Fratari tha se çmimet e apartamenteve për ndërtimet e reja të vitit 2021 në zonën e Kasharit do të rriten 10% krahasuar me vite më parë, për shkak të disa taksave të vendosura nga bashkia, si dhe rëndimit nga kostot e transportit të dherave. “Kostot e taksave të bashkisë llogariten 70 euro për metër katror (50 euro për metër katror llogaritet taksa 9% e bashkisë për zonën e Kasharit + 20 euro për metër katror taksa 3% e strehimit), në këto nivele do të rriten edhe çmimet e apartamenteve. Nga 630 euro që shiten aktualisht, do të shkojnë 700 euro për metër katror”, shpjegoi ndërtuesi Hajredin Fratari. Në vitet e fundit, çmimet e apartamenteve në komplekset e ndërtuara në Kashar nga Hajredin Fratari nuk kanë ndryshuar (variojnë 630-650 euro për metër katror).
Rritje të çmimeve për ndërtimet e reja pritet të ketë edhe për apartamentet që kompania “Kika Construction” do të ndërtojë në Komunën e Parisit. Çmimi i apartamenteve të shitura deri në mesin e vitit 2020 në kompleksin Kika ishte 1300 euro për metër katror, ndërsa për ndërtimet e reja, pritet të jenë rreth 10% më shumë. Përfaqësuesi i kompanisë, Aliel Kika, shpjegoi më herët për “Monitor” se te ndryshimi i çmimit do të ndikojë rritja e cilësisë të ndërtimit.
Përpunuesit e qumështit, rritje dyshifrore të prodhimit
Sektori i përpunimit të qumështit nuk e vuajti gjatë pandemisë mungesën e shitjeve për produktet e bulmetit, ndërsa kriza nga Covid-19 ndikoi vetëm në rritjen e lëndës së plastikës që përdoret për ambalazhim. Shtrenjtimi i çmimit të plastikës në tregjet botërore detyroi shumë fabrika të rrisnin çmimet.
Kjo situatë ndikoi direkt te rritja e kostove për përpunuesit vendas, të cilët po përballeshin me rritje të kostove nga ndryshimi i faturimit të TVSH-së (nga 2019, rimbursimi i TVSH-së nga 20% në blerjen e lëndës së parë te fermeri ishte ulur në 6%) dhe çmimit të energjisë. Rritja e kostove detyroi disa kompani që nga 1 korriku 2021 të rrisin 10% çmimet e produkteve të bulmetit.
Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të çmimit të lëndës së parë dhe kostove, disa përpunues në vend pohojnë se prodhimi ka tejkaluar 2019. Administratori i kompanisë “Gjirofarm”, Nikolla Gjoni, thotë se arsyeja e rritjes është përqendrimi i tregut, ku u zvogëlua numri i operatorëve, por u rrit dukshëm performanca e më të mirëve.
“Sektori i përpunimit të qumështit në tërësi pati rritje volumi biznesi, krahasuar me 2020. Gjatë 2021, aktiviteti ekonomik ka pasur rritje graduale, e favorizuar nga politikat e hapjes edhe në vendet e rajonit. Në periudhën maj – fund gusht, hapja masive e tregjeve, lëvizja e lirë, rritja në maksimum e kapaciteteve prodhuese dhanë impakt rritës dyshifror krahasuar me periudhën analoge 2020. I vetmi element negativ është rritja e vazhdueshme e çmimit të lëndës së parë dhe të kostove në gjithë zinxhirin e vlerës. Rritja e madhe e tregtisë me pakicë u reflektua edhe në rritje të konsumit të produkteve të bulmetit.
Në ndryshim nga 2020, këtë viti rritje të madhe pati në sektorin HoReCa (Hotele-Restorante-Kafene), e nxitur nga zbutja e kufizimeve anti-Covid-19 dhe turizmi. Në raport me 2019-n, prodhimi është 19% më i lartë, trend që do të vijojë deri në fund të vitit 2021”. Përfaqësuesi i kompanisë “Gjirofarm” tha se pandemia ndikoi edhe në përzgjedhjen e konsumatorit dhe në shumë raste, raporti konsum/vlerë ishte kriter në zgjedhjen konsumatore.
Sektori i transportit urban, ende në krizë
Sektori i transportit urban vjet ishte i fundit që rinisi aktivitetin pas rihapjes së ekonomisë. Edhe me fillimin e punës, operatorët patën rënie të numrit të pasagjerëve në autobusë për shkak të frikës së infektimit dhe orareve kufizuese në lëvizje. Drejtori i Transportit Urban në kompaninë “Shega Trans” thotë se nga 5 korriku 2020 (kur u rihap aktiviteti i transportit) deri në fund të muajit maj 2021, humbjet e kompanisë nga kriza e Covid-19 janë 1 mln euro.
“Numri i pasagjerëve këtë vit ishte më i lartë se në 2020, por ende nuk është arritur niveli i 2019. Arsyet janë që në muajt korrik-gusht, për shkak të largimit të shumë njerëzve me pushime, frekuentimi ra 70%. Në shtator u kthye normalitetit, por te pasagjerët është ende frika për të lëvizur me autobusë. Mendoj se sektori mund t’i rikthehet niveleve të parakrizës në 2023, nëse nuk do të ketë kufizime të lëvizjeve”.
Drejtori i linjës së Tiranës së Re dhe ish-Uzinës së Autotraktorëve të kompanisë “Alba Trans”, z. Rixhin Qoshja, nënvizon se edhe pse është rritur numri i pasagjerëve në raport me 2020, kjo nuk e justifikon punën, pasi nga ana tjetër, aboneja po shitet me humbje të madhe jashtë çdo logjike ekonomike. Me abonetë që shiten nën kosto dhe dublimin e linjave të autobusëve nga Bashkia e Tiranës, kur për të njëjtin destinacion ka më shumë se 2 autobusë, drejtori i transportit urban në “Alba Trans” thotë se është e pamundur që numri i pasagjerëve të arrijë shifrat e 2019-s. /Monitor/