Kreu demokrat Lulzim Basha njoftoi sot vendimin e tij për përjashtimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD, deri në zbardhjen e çështjes lidhur me përfshirjen e tij në listën e zezë nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Ndërsa vlerësoi Berishën si një lider historik dhe për arritjet që ka pasur Shqipëria gjatë qeverisjes së tij, Basha tha se ky ishte një nga vendimet e vështira, por që është marrë prej tij në interesin e PD dhe demokratëve, që e konsiderojnë SHBA si një partner strategjik.
Ndërkohë që pas leximit të një deklarate, raportohet se kreu demokrat Lulzim Basha ka thirrur një mbledhje të grupit parlamentar.
Por me kë u konsultua Basha për marrjen e vendimit për përjashtimin e Berishës si deputet i PD?
Mësohet se në orën 17.30, Basha ka njoftuar Kryesinë e Grupit Parlamentar për një mbledhje në orën 18:30 në selinë e PD. Rreth 90 minuta më pas, kreu demokrat u shfaq në zyrën e tij duke artikuluar vendimin, ndërsa më pas ka thirrur një mbledhje grupi. Nuk dihet nëse vendimin Basha e ka marrë me Kryesinë e Grupit, apo ata i ka njohur me vendimmarrjen, për të cilën tha se ishte e tija.
Sikundër nuk dihet nëse deputetët demokratë, disa prej të cilëve kanë qenë ndër bashkëpunëtorët e afërt të ish-Kryeministrit do të reagojnë lidhur me vendimin, apo do e trajtojnë si një çështje tashmë të mbyllur.
Nëse i referohemi deklaratave të fundit të Berishës, i cili tha se vendi i tij është si deputet i Parlamentit, në grupin e deputetëve demokratë, dhe nëse do të kishte përjashtim të njëanshëm të tij, pa prova dhe fakte, ai do të angazhohej fuqimisht për të rikthyer PD në partinë e vlerave, sikundër ka qenë, pritet që të ketë një reagim të fortë të ish-Kryeministrit dhe liderit historik të PD.
Berisha pritet të reagojë në të paktën dy emisione televizive lidhur me vendimin, i cili deri para pak orësh dukej i pamundur për faktin se kreu demokrat pothuajse kishte shmangur çdo koment dhe reagim lidhur me çështjen dhe aq më tepër kur vetë ai kishte kërkuar transparencë lidhur me vendimin e DASH.
Nuk dihet nëse vendimin për përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar e ka bazuar në ndonjë fakt apo provë me të cilvn mund të jetë njohur, por edhe në deklaratën për mediat Basha vuri theksin pikërisht në bërjen transparente të çështjes.













