Belgjika dhe Holanda janë ‘portat’ e kokainës në Europë sipas një raporti të fundit të Europol ku nënvizohet se përveç grupeve tradicionale kriminale kanë marrë rëndësi të veçantë grupet shqiptare.
Raporti citon burime të autoriteteve belge dhe holandeze të cilat vënë në dukje se grupet shqiptare kanë zgjeruar rolin e tyre në sigurimin e kokainës dhe lidhjen e kontakteve në Amerikën e Jugut.
Trafiku i kokainës në Europë është shtuar dhe po ashtu grupet kriminale që e drejtojnë atë dhe kjo si pasojë e fragmentimit të karteleve të drogës në Amerikën Latine.
“Disa nga këto grupe, veçanërisht rrjetet kriminale që flasin shqip dhe në Ballkanin Perëndimor, janë bërë veçanërisht të spikatur në blerjen e sasive të mëdha të kokainës direkt në burim duke hequr ndërmjetësit”, thuhet në raport.
Raporti thekson se grupet shqiptare të trafikut të kokainës kanë vendosur kontakte të drejtpërdrejta me shpërndarës në Amerikën Latine dhe tashmë kanë rrjetet e tyre të shpërndarjes me shumicë në Europë.
Sipas Europol, në periudhën 2018 – 2020 shqiptarët përbëjnë pjesën më të madhe të personave të arrestuar në Europë në aksione ku është kapur kokainë, raporton Exit. Të dytët vijnë shtetas nga Brazili dhe më pas kolumbianët.
Raporti i ka kushtuar një seksion të veçantë grupeve kriminale të shqiptarëve duke i ndarë nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Disa nga të dhënat kryesore të paraqitura janë:
Duke filluar nga viti 2012, grupet shqipfolëse zhvilluan ndikim në portet kryesore si në Amerikën e Jugut ashtu edhe në Evropë dhe gjithashtu ishin të angazhuar në shpërndarje në Gjermani, Suedi, Mbretërinë e Bashkuar dhe madje edhe Australi.
Që nga viti 2010, Italia, Gjermania dhe Belgjika e kanë identifikuar vazhdimisht shqiptarët në mesin e dhjetë kombësive të para të individëve të proceduar për veprat penale të trafikut të kokainës, por vitet e fundit një rol i tillë është raportuar edhe nga Austria, Bullgaria, Greqia dhe Zvicra.
Që nga viti 2018 Italia ka identifikuar grupet shqiptare si më aktivet ndër grupet e huaja në trafikun e drogave.
Autoritetet gjermane vlerësuan se 29 nga 31 grupet e dominuara nga shqiptarët të zbuluar në vitin 2019, merren me trafik droge. Ky është numri i dytë më i lartë pas gjermanëve. Shtetasit me kombësi shqiptare janë gjithashtu të dytët, pas gjermanëve, për veprat penale të lidhura me kokainën.
Greqia raportoi se, që nga viti 2017, trafikantët shqiptarë po zgjeroheshin gjithnjë e më shumë në tregtinë e paligjshme të kokainës dhe po punonin me trafikantë në Amerikën Latine për të importuar sasi të konsiderueshme në territorin grek, me qëllim shpërndarjen e saj më tej. Ndër grupet kriminale të përfshira në trafikun e drogën, shtetasit shqiptare janë të dytët pas grekëve në Greqi.