Nga Enkel Xhangolli
Provokimi i kryeministrit Rama pë të futur në komisionin parlamentar për Reformën Zgjedhore një projektligj për censurimin e mediave online gjatë fushatës zgjedhore 2017, ka sjellë reagime të forta. Anëtari i Komisionit të Medias, Luçiano Boçi, duke folur për Boldnews.al, i bën thirrje bordit të monitorimit të mediave që të mos marrë në konsideratë propozimin e qeverisë.
“Propozimi absurd i PS nuk mund të ndalë lirinë e fjalës dhe të menduarit, duke mbyllur mediat të cilat janë jashtë tutelës së qeverisë. Më duket e logjikshme që bordi i monitorimit të medias duhet të pengojë patjetër këtë propozim dhe të monitorojë fushatën politike në media. Mediat online janë alternativë e opinionit dhe normale që gjatë fushatës zgjedhore do të ketë opinione të ndryshme nga mediat për partitë politike.”- thekson deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi.
Sipas tij, mediat online kanë shërbyer në shumë raste për të evidentuar abuzimet propogandistike dhe për këtë Rama kërkon tu mbyllë gojën gjatë fushatës zgjedhore të 2017, në mënyrë që të transmetohen vetëm kasetat e tij.
“Ky është një tjetër sulm ndaj medias dhe është e kuptueshme që frika e kësaj qeverie nuk janë më mediat tradicionale, pasi ka arritur deri diku t’i nënshtrojnë dhe ato që ngelen janë portalet dhe mediat online. Liria e medias ka marrë një goditje të rëndë dhe ka ardhur koha që sirenat e alarmit të bihen fort.”- shton më tej Boçi.
Në brenda pak muaj qeveria ka ndërmarrë një sërë sulmesh ndaj medias së lirë të cilat nuk ndjekin kalvarin e kryeministrit Rama, presione të vazhdueshme ndaj gazetarëve dhe emisioneve të ndryshme investigative kanë shkatërruar median e pavaruar.
“Për këtë qeveri është e disata herë që bënë përpjekje që me veprime të ndryshme t’i mbyll gojën medias online duke kërcënuar gazetarë dhe duke sajuar truke për të kufizuar hapsirën e medias. Do të doja të përmedja rastin e misionit “Públicus” i cili ka qenë më flagranti, por gjithashtu dhe rasti i gazetares Alida Tota. Në fakt media online ka sinonimin e medias opozitare prandaj dhe sulmohet pa mëshirë nga kjo qeveri.”- thotë anëtari i Komisionit të Medias, Boçi.
Kryetari i Unionit të Gazetarëve Aleksandër Çipa, reagoi gjithashtu për Boldnews.al duke thënë se është totalisht kundër çdo projektligji kufizues së medias së lirë. Sipas tij, ky propozim do të kundërshtohet në çdo mënyrë pasi shkel hapur të drejtën e shprehjes dhe lirinë e mendimit.
“Ky projektligj është një skandal dhe në mënyrë të drejtpërdrejt e cënon media e lirë, pasi nuk mund të ndalë fuqin e fjalës për të thënë opinionin për një forcë politike”- thotë Çipa.
Çipa tha se Unioni i gazetarëve do të kundërshtoj fort miratimin e tij dhe nuk do të lejojë që media shqiptare të jetojë nga mëshira e forcave të ndryshme politike në vend.
“Unioni i gazetarëve sapo të bjerë në dorë me dokumentin zyrtar, do të përgatisë një goditje të fuqishme ndaj këtij projektligji”- shton më tej kreu i Unionit të Gazetarëve.
Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhor, deputeti socialist Taulant Balla, personi i cili qëndron pas këtij projektligji “të errët”, refuzoi të fliste. Ai u kontaktua nga Boldnews.al për të dhënë një qëndrim mbi këtë nismë, por fillimisht kërkoi pyetjet ndërsa më pas nuk u përgjigj më.
Majlinda Bregu, dikur një nismëtare e një projektligji për të disiplinuar mediat online nuk iu përgjigj një reagimi për nismën e Partisë Socialiste.
Gjithashtu gazetari i dikurshëm njëherësh nënkryetar i Komisionit të Medias Alfred Peza, u kontaktua për dy ditë rresht nga Boldnews.al, lidhur me propozimin e partisë së tij. Ditën e parë, Peza tha se do të flasë të nesërmen por në fund refuzoi për të dhënë një prononcim. Ai u vetëçensurua përpara pushtetit të “rilindjes” dhe zgjodhi që të përdhosë profesionin e mëparshëm, atë të gazetarit.
Heshtja e tyre dikujt mund t’i kushtojë vendin e punës e dikujt tjetër mundin e një jete. Por pavarësisht këmbënguljes së Partisë Socialiste, projektligji do të diskutohet nga komisioni për reformën zgjedhore dhe për marrjen e një vendimi përfundimtar për këtë çështje duhen marrë në konsiderat dhe qendrimet e palëve të tjera pjesëmarrëse.
Prej kohësh, qeveria i shikon mediat online dhe portalet si një armë e kundërshtarëve të tij të cilat do të përdoren gjatë fushatës zgjedhore të 2017-ës. Frikën e PS nga fjala e lirë e demostrojnë masat e marra që me ardhjen e kësaj force politike në qeveri, duke nisur nga ashpërsimi i dënimit të shpifjes dhe vazhduar më pas me mbylljen e disa mediave dhe emisioneve të cilat tregonin realitetin përballë fasadës së ofruar.