Ardiatik Coli, i penduar i drejtësisë, ishte ai që zbërtheu në prokurori të gjitha krimet e bandës së Durrësit. Ai nisi të tregojë të gjithë aktivitetin e bandës, që nga ndarja e grupit, vrasjet dhe trafiku i drogës. Në njërin nga rrëfimet e tij ai ka folur për tentativën e grupit të Indrit Dokles për ta ekzekutuar Lul Berishën. Por “i forti i Durrësit”, që doli dje nga burgu, shpëtoi dy herë. Për të vrarë Lul Berishën ishin paguar dy herë vrasës nga Burreli.
Rrëfimi i Adriatik Colit
Pas 6 muajsh, kur Klodi doli nga burgu dhe kishim filluar punën me drogë, Indritit të vogël filloi t’i pëlqente vetja dhe kur shkëmbehej me Lulin, e shante nëpër dhëmbë dhe e shihte shtrembër.
Një ditë, te muzeu shkëmbehet Luli me Indrit Taullain dhe Indrit Dokle me Altinin. Indriti e shau nëpër dhëmbë dhe Luli e pa dhe ktheu makinën. Kur e arriti, hapi xhamin e makinës dhe i tha: Nuk është mirë të bëjmë fjalë me njëri-tjetrin se je i vogël. Indriti i kishte thënë se nuk të shava.
Atë ditë u takuam në një lokal me Indritin e vogël, Klodi dhe Altini. Indriti i tregoi muhabetin dhe Klodi i tha se nuk është mirë të bëjmë fjalë me njëri- tjetrin se kemi ngrënë bukë bashkë dhe do qeshë dynjaja me ne. Pas 10 minutash ai tha: ç’farë ka ai, hajde shkojmë në shtëpi të marrim armët.
Shkuam morëm pistoletat dhe filluam të kërkonim Lulin. Në një makinë hipën Klodi dhe Indriti dhe në makinën tjetër unë me Altinin për të gjetur Lulin nëpër Durrës. Duke zbritur për tek “Vollga”, pamë makinën e Lulit, një benz i blinduar ngjyrë gri. Klodi e parakaloi dhe i tha që të ndalojë dhe ata ndaluan përballë shkallëve të një lokali.
Aty zbritëm të gjithë nga makina. Luli ishte me Indrit Taullain dhe Julian Meçen, ndërsa ne ishim të armatosur të gjithë me pistoleta. Klodi doli jashtë dhe nuk foli fare dhe dërgoi të vëllanë të flasë me Lulin, si vëllai më i madh. Ai del dhe i thotë si është puna që e ke kap me Indritin. Luli i thotë: thuaju atyre kalamajve të tu mos të ngacmojnë këta të mitë.
Ai i thotë: kalamaj ata nuk janë, por janë çuna që kanë lyer duart me gjak dhe po mora vesh ndonjë ngacmim tjetër, nuk ndahemi mirë me njëri-tjetrin. Ne u larguam. Klodi, të nesërmen pa Indrit Taullain tek lokali i Lulit, “Ç’era una Volta”, i cili ishte vetëm në trotuar. Klodi zbriti nga makina dhe shkoi në këmbë dhe e kapi tek qafa Indritin.
Duke e shtrënguar i thotë: “veç se kena hëngër bukë bashkë, se e di se çfarë të bëj”. Indrit Taullaj i thotë hiqe dorën. U ndanë. Atë ditë, Klodi ka qenë me Altinin në makinë. Këtë muhabet unë e mora vesh nga Klodi. Pas 4 -5 muajsh grupi i Lulit sikur forcohet. Fillojnë përsëri të shikoheshin me inat, zakonisht ngacmuesi ishte një i ardhur nga SHBA. Ne talleshim dhe qeshnim, duke i lënë të kuptohet se nuk kishte çfarë të na bënte neve.
Në darkë, unë shkova në shtëpi, gjithashtu edhe Klodi shkoi në shtëpi dhe bisedoi këtë punë me vëllanë e tij, Shkëlqimin. Shkëlqimi i thotë Klodit që nuk duhet të përplasej me Lul Berishën, pasi njeriu që e kishte nxitur është intrigë e gjallë. Në mëngjes u takuam në kafe me Klodin, i cili na tha se nuk bëhet gjë për vrasjen e Lul Berishës dhe na tregoi bisedën e bërë me vëllanë e tij, Shkëlqimin.
Një javë përpara se të vritej Klodi, erdhi nga Italia një djalë nga lagjja e Klodit. Klodi njihej me të sepse ishin çuna lagjeje. Nga bisedat mes tyre ishte rënë dakord që të hapin së bashku një sallë lodrash për fëmijë “Xhoko”.
Gjatë këtyre ditëve, ai rrinte me ne. Ditën që është vrarë Klodi, ai ka përcjellë në Rinas rreth orës 13:00 një shtetas italian, që kishte ortak në fabrikën e prodhimit të çantave në Durrës. Rreth orës 14:00, Klodi më telefonoi dhe më thotë se i ishte prish makina në rrugën e Rinasit, duke ardhur për në Durrës dhe më tha që të shkoja ta merrja.
Unë, së bashku me një kushëri të A.B jemi nisur me makinën time tip “Benz” 2500 me targa DR 1635 me germë C ose D. Klodin e kemi takuar pak më larg se fabrika e tullave në Vorë. Klodi ka hipur në makinën time dhe ai kushëriri në makinën e Klodit dhe duke e rimorkiuar jemi kthyer në Durrës te fabrika e çantave.
Pasi lamë Klodin te fabrika shkuam për ta rregulluar makinën në Shënavlash sa kalon mbi kalimin e autostradës. Blemë pjesët e këmbimit dhe e rregulluam makinën, ia dërguam Klodit rreth orës 19:00 të darkës.
Aty i kujtova se kishim ndeshjen e futbollit në orën 20:00 në kalçeto dhe u ndamë që të takohemi atje. Në orës 20:00 ishim në kalçeto dhe kemi luajtur një orë futboll me disa çuna që kanë një biznes në afërsi të qendrës tregtare.
Pas ndeshjes, e pyeta Klodin nëse ishte për kafe dhe ai u përgjigj se ishte i lodhur dhe u nis për në shtëpinë e tij, ndërsa unë shkova në shtëpinë time rreth orës 21:10 me makinën time. Klodi nga kalçeto u largua me makinën e tij që rregullim atë ditë.
Rreth orës 22:00, kur unë isha në shtëpi duke parë televizor më ka telefonuar Indrit Dokle dhe më ka thënë se ka bërë karambol Klodi me makinë. Më tha të shkoj tek Kirurgjia për t’u interesuar se ishte duke ardhur edhe ai. Indriti më telefonoi dhe menjëherë unë u vesha dhe me makinë shkova te spitali në Durrës, në Kirurgji, sipas fjalës së Indritit.
Aty mora vesh se në Kirurgji ndodhej vetëm ai djali i ardhur nga Italia, ndërsa Klodin e kishin dërguar në Spitalin Ushtarak. Këto informacione i mora nga policia që gjendej aty.
Menjëherë u nisa për në Spitalin Ushtarak, ku më thanë se ishte Klodi. Rrugës më mori Indriti dhe më pyeti nëse Klodi ishte në Spitalin e Durrësit apo jo. Unë iu përgjigja Indritit se Klodi ndodhej në Spitalin Ushtarak dhe se unë po shkoja në drejtim të tij. Indriti pas ndeshjes ishte nisur për në drejtim të Tiranës, ku ka edhe shtëpinë dhe këto telefonata po m’i bënte rrugës në kthim për në Durrës.
Indriti për Klodin ishte informuar nga një person, i cili ikishte thënë se Klodi kishte bërë aksident. Kur vajta në Spitalin Ushtarak, aty gjeta Indritin, i cili më tha se Klodi kishte vdekur jo nga aksidenti por e kishin vrarë me armë.
Pas 10 minutash, aty erdhi një i njohur i Klodit, i cili na u përgjigj se e kishte vrarë Lul Berisha. Te Spitali Ushtarak erdhi Altini, të cilin e lamë aty. Ndërsa unë dhe Indriti shkuam tek lokalin plazhin e Durrësit, për t’u qetësuar për ngjarjen.
Më pas, shkova në shtëpinë time dhe lajmërova familjen për vrasjen e Klodit dhe u ktheva tek lokali ku ishin të tjerët. Më vonë, unë dhe Indrit Dokle shkuam te shtëpia e Klodit.
Aty lajmëruam prindërit e Klodit dhe pasi sollëm trupin e Klodit nga Tirana, e bëmë gati. Të nesërmen në varrim nuk erdhi asnjë nga kundërshtarët e tij, as Luli e as shokët e tij. Mbaj mend që erdhi babai i Indrit Taullait.
Pas vrasjes së Klodit, unë me Indritin u angazhuam për të marrë hak. Luli, 4 – 5 ditë para vrasjes së Klodit kishte shkuar në Turqi dhe erdhi të nesërmen e varrimit të Klodit. Me Indritin, blemë një makinë “Passat”, të cilën do ta përdornim për vrasjen e Lulit. Kjo makinë ishte pa targa dhe ishte e vjedhur jashtë shtetit.
Makina kishte ngjyrë ulliri të hapur. Indriti, nëpërmjet shoqërisë së vet thirri për të kryer vrasjen e Lul Berishën, dy persona nga Burreli njëri me emrin Ervin dhe tjetri Alban. Dy personat nga Burreli, Indritit ia gjeti Altin Olloni, që banon në komunën e Parisit Tiranë. Në fillim, erdhi Altini në Durrës që të takojë Indritin dhe ne u takuam te shtëpia e Altinit.
Te shtëpia, i thamë Altinit të na gjente dy persona dhe do t’u japim 100 mijë euro për vrasjen e Lulit. Dua të them se Indriti ka qenë shok që shumë kohë më parë me Altin Ollonin. Altini na tha: që i gjej unë. Unë mora një shtëpi me qira në qytetin e Durrësit, tek muzeu i Dëshmorëve, nëpërmjet agjencive që merren me dhënien e shtëpive me qira.
Kjo shtëpi është në katin e tretë të një pallati pesëkatësh, përballë ish-punishtes dhe lekët i kam paguar me faturë për 6 muaj. Këtë shtëpi do ta përdornin Ervinin dhe Albanin.
Këto të dy kanë ardhur 2 – 3 ditë para të 40-tave të Klod Saliut dhe i solli Indriti tek shtëpia që i zumë me qira. Kur erdhëm tek shtëpia me qira shkuam unë me Indritin dhe këta të dy. Indriti u tregoi të gjitha fotografitë e Lulit që kishim dalë në kohën kur ishim bashkë.
Atë natë bëmë plane se si do të qëllojmë Lulin. Armët i morëm te shtëpia e Klodit dhe u dhamë dy automatikë Skorpions me numra të fshirë, një pistoletë dhe një pistoletë të vogël, të gjitha me silenciator. Ne bëmë plane që të vrisnim Lulin, tek lokali i tij “Ç’era una Volta”.
Unë i mora dy çunat dhe i dërgova nëpër rrugica deri te lokali i Lulit natën dhe u tregova vendin kur lokali ishte i mbyllur. Ata e kontrolluan vendin dhe e shëtitën në këmbë për ta njohur më mirë.
Ata nuk kishin qenë asnjëherë në Durrës. Ata kërkuan dhe shofer për të drejtuar makinën, pasi nuk njihnin qytetin. Indriti u interesua për shofer dhe një shok i tij e solli kunatin e vet nga ferma e Sukthit.
Ne i treguam shoferit se na duhet për të drejtuar makinën që do përdorim për vrasjen e Lulit dhe do i japim 20 mijë euro. Shoferi ra dakord dhe ditën kur u mbushën 40 ditë nga vrasja e Klodit, Ervini, Albani dhe shoferi u nisën për të vrarë Lulin. Shkojnë me makinën që e blemë dhe me targa gjermane false.
Albani dhe Ervini, pasi shkuan tek lokali zbritën dhe po shihnin për Lulin. Në atë kohë Luli ishte futur tek bashkia. Në ato momente, ata për të mos rënë në sy që po prisnin Lulin hynë në makinë dhe filluan të bëjnë xhiro për rreth bashkisë.
Duke bërë xhiro, i pikasi një polic rrugor i cili i ndaloi dhe në momentin që i pa armët në makinë, kërkoi përforcime. Shoferi, Albani dhe Ervini i ofruan lekë policit rrugor që t’i linte, por ky nuk pranoi dhe ata ikën me vrap, duke lënë makinën aty së bashku me armët.
Ky organizim dështoi dhe ata thirrën në telefon Indritin dhe i thanë se vrasja dështoi. Dua të theksoj se armët që i lanë në makinë çunat në makinë ishin të pastra, pra nuk ishin të përdorura më parë në ndonjë rast tjetër, pasi ne nuk mbanin armë të pista në shtëpi, që mos të kishim probleme.
Pas të dyzetave, Indriti fjeti te shtëpia ime dhe të nesërmen nisemi për në Tiranë. Atje takuam Altin Ollonin tek një lokal tek “Komuna e Parisit” dhe i themi se kështu është puna. Më pas, që nga ajo ditë kemi ndenjur 20 ditë te shtëpia e Indritit. Gjatë këtyre ditëve, ne rrinim me Altin Ollonin.
Atje unë mora një shtëpi me qira dhe Indriti zuri një dashnore rreth 30 vjeçe dhe rrinim te shtëpia e saj me qira. Indriti pagoi lekët për 6 muaj dhe ishte te Komuna e Parisit. Te shtëpia që mora unë, linim armët, ndërsa flinim tek shtëpia e dashnores së Indritit.
Gjatë kësaj kohe nuk shkonim fare në Durrës me qëllim që Luli të dilte lirshëm. Po gjatë kësaj kohe, ne takonim Altinin dhe bashkë me të edhe Albanin e Ervinin nga Burreli. Këta na thanë që do gjejmë njerëz të tjerë. Ky personi erdhi te shtëpia me qira që i morëm asaj të dashurës së Indritit. Ky djalë quhet Sela, të cilin po ta shikoj e njoh edhe sot.
Tek shtëpia isha unë me Indritin, Albanin, Ervinin, Altin Ollonin dhe Selën që ramë dakord që të bëhej vrasja për shumën prej 150 mijë euro. Dua të them se këto lekët i kishim futur në punë për të vrarë Lulin dhe i fituam pasi nisëm një dërgesë prej 20 kg heroinë nga Kosova për në Itali. Këtë dërgesë e kishim nisur pa mbushur dyzet ditët e vdekjes së Klod Saliut. Transportuesin e drogës e gjeti Indriti dhe ai ishte një kosovar.
Drogën në Itali e priste Ervin Cuko nga Spitalla dhe ai na dërgoi rreth 180 mijë euro. Këto para, 100 mijë shkuam e i morëm tek shtëpia e Ervinit dhe 80 mijë eurot e tjera i morëm më vonë. Dua të them se Ervin Cuko erdhi vetë tek ne, pas vrasjes së Klodit dhe na kërkoi të punonte me ne.
Drogën ai e priste në qytetin e Peskarës në Itali. Ndërkohë, në kohën që qëndronim në Tiranë, së bashku me Indritin kemi bërë edhe dy a tre rrugë tjera me drogë. Droga ishte e pastër dhe ne pasi e blinim, e shtonim duke përzier. Nga kjo punë që është bërë kemi fituar 600 mijë euro të thata, para të cilat i mbante Indrit Dokle në shtëpinë e tij.
Ti kthehemi edhe njëherë përpjekjeve që kemi bërë për vrasjen e Lul Berishës. Një javë rrjesht, Sela së bashku me Ervinin dhe Albanin kanë ruajtur Lulin për ta vrarë tek lokali i tij “Ç’era una Volta” te fermentimi. Pamë se ata nuk po arrinin ta qëllonin Lulin.
Ne menduam që t’i bëjmë një intrigë Lulit. Për këtë qëllim, shkuam me taksi së bashku me Indritin tek pallatet e reja tek “Vollga” dhe takuam një person ndërmjetës. Pasi e takuam, bëmë muhabet dhe i thamë që ne nuk kemi gjë me Lulin dhe i thamë që po të donte,ai të vijë të pijë kafe me ne.
Pasi bëmë këtë muhabet, unë me Indritin u nisëm për në Tiranë dhe shkuam tek shtëpia e Indritit. Kur shkuam në shtëpi, po atë natë e mori në telefon ndërmjetësi Indritin dhe i tha që të vinte me Indrit Taullajn që të na takonte. Ne i thamë që të vinte dhe të na takonte në Tiranë dhe lamë takim tek “21 Dhjetori” tek shtëpia e Indritit, në një lokal poshtë shtëpisë tek Drejtoria e Taksave.
Vonë në darkë Indrit Taullai u takua me ndërmjetësin. Pasi u ulëm tek lokali filluam bisedën dhe Indrit Dokle i tha Indrit Taullajt që çfarë kishte me neve. “Po ta dimë se jemi hasmë, na thuaj që jemi hasmë, në qoftë se nuk kemi gjë, në rregull. Ne s’jemi komandantë se komandantët vdesin shpejt. Indrit Taullai i tha që nuk kemi gjë dhe as mos e vrit trurin.
Mbasi ndenjëm një copë herë me njëri-tjetrin dhe bëmë shaka u ndamë dhe unë me Indrit Doklen shkuam tek shtëpia e të dashurës së Dokles, ku na priste Sela me Ervinin. Të nesërmen, Ervini me Selën me pistoleta në brez u nisën për në Durrës, për të vrarë Lul Berishën.
Të dy ata shkuan në Durrës me furgon. Aty rreth orës 10:00, Luli del nga shtëpia dhe Ervini që po e ruante tek polici që rri në kryqëzim, i lajmëron Selës që po e priste tek stacioni i trenit se benzi i Lulit është duke ardhur. Luli afrohet para lokalit të tij, zbret nga makina dhe po bënte shaka me Isuf Morinën dhe me një tjetër me mbiemrin Haxhiaj.
Sela ishte në trotuarin përballë lokalit dhe afrohet avash -avash pranë Lulit. Kur i afrohet, rreth dy metra pranë tij e nxjerr pistoleten, e mbush ia drejton Lulit për ta qëlluar. Në fillim qëllon Isuf Morinën.
Në atë moment fut dorën në brez ai që e kishte mbiemrin Haxhiaj dhe Sela e qëllon edhe atë dhe vazhdon duke qëlluar në drejtim të Lulit. Luli rrëzohet në tokë dhe në këtë moment, pistoleta e Seles ngeci dhe nuk mund të qëllonte më. Pastaj Sela iku me vrap dhe Luli thërret me të madhe “oj none oj none”.
Sela pas kësaj ikën dhe vjen në Tiranë dhe u takuam me të tek shtëpia e të dashurës së Dokles. Ne e pyetëm se si ndodhi ngjarja dhe ai na tregoi gjithë ngjarjen, siç e thashë më sipër. I thamë nëse e kishte vrarë, por ai na tha se nuk e kishte vrarë dot.
Atëherë ne i dhamë atij 25 mijë euro dhe Selën e nisëm për në Burrel. Në darkë shkuam tek shtëpia e Indritit dhe na mori në telefon ndërmjetësi. Telefonin e hapi Indriti dhe ai i tha: “o Indrit, çfarë na bëre”. Indriti i thotë në telefon që unë s’kam bërë gjë dhe nëse t’i mendon se unë kam bërë gjë, thuaji Lulit që të vijmë dhe ta takojmë tek shtëpia e tij në Durrës.
Më pas, ai na thotë që Luli kishte pranuar që të shkonim tek shtëpia e tij. Këtë bisedë, Indriti e përdori për t’i treguar se babai i tij ishte në dijeni që do të shkonim tek Luli, në mënyrë që Luli mos të bënte ndonjë pisllëk.
Atë natë, në përfundim të bisedës, pasi mori miratimin e Lulit ne i kërkuam ndërmjetësit që të vinte të na merrte me makinë. Pas rreth gjysmë ore erdhi tek shtëpia e Indritit shoferi i tij, me një benz “Rexhina”.
U nisëm për në Durrës dhe para se të futeshim tek shtëpia e Lulit, pistoletat që kishim me vete i lamë në makinë. U futëm në shtëpinë e Lulit, pasi shoferi foli në telefon se erdhëm dhe aty gjetëm Lulin, Plarentin, Indrit Taullajn dhe ndërmjetësin.
U hap biseda për gjuajtjen e Lulit dhe ne i thamë se nuk kishim gjuajtur. Luli na tha se juve keni fut njerëz për të më gjuajtur mua. Ne i thamë jo dhe thamë se të shikonte se mos ia ka bërë Çimi, vëllai i Klodit. Luli tha se: “nga Çimi unë rroj 100 vjet, këtë Indrit ma ke bërë ti”.
Ne i thamë Lulit që nuk kemi bërë gjë. “Po të kemi bërë gjë, ja ku na ke, na vrit. Ai na tha se përderisa ju kam ftuar në shtëpi, as qimja e flokut nuk na lëviz. Unë e pyeta se si e kishte dorën dhe ai më tha, mirë e kam. Pasi bëmë shaka pak me njëri-tjetrin, dolëm nga shtëpia e Lulit.
Luli qëndroi tek dera kryesore e shtëpisë, Lenti tek porta e jashtme. U larguam unë me Indrit Doklen, Indrit Taullain.Kur shkuam tek kryqëzimi për tek polici, unë thashë të ikim të pimë ndonjë gotë dhe i thashë të pinim në Tiranë, por ndërmjetësi nuk pranoi dhe shkuam tek një lokal i njohur në Durrës.
Por rrugës ai u dërgoi sms pronarëve të lokalit, duke u thënë: mbylleni lokalin dhe kur shkuam e kishin mbyllur. Atëherë, ne u kthyem për në shtëpi, në fillim çuam Indrit Taullain tek shtëpia e tij. Pastaj më dërguan mua tek shtëpia ime së bashku me Indritin.
Të nesërmen, së bashku me Indrit Doklen kemi shkuar në Tiranë. Mbas dy ditësh Indrit Dokle i telefonoi Indrit Taullait, pasi kishim shkëmbyer numrat me njëri-tjetrin, gjatë kohës që ishim në makinë. Indrit Dokle i thotë Taullait që kur të vijmë të pijmë ndonjë kafe. Indrit Taullai i thotë hajde kur të duash.
E lamë një ditë të caktuar që të takoheshim me Indritin, tek shtëpia ime në Durrës. Atë ditë që e kishim lënë për t’u takuar, vjen Indriti me makinën e blinduar të Lulit tip “Benz” ngjyrë miu. Pasi hipëm në makinë, dolëm xhiro nga plazhi duke bërë muhabet.
Benzin e drejtonte Indrit Taullai, unë kisha hipur mbrapa, ndërsa para ishte ulur Indrit Dokle. Mbasi bëmë muhabet dhe një xhiro me makinë me Indrit Taullain, ai na la tek shtëpia ime dhe e lamë që të takoheshim edhe njëherë tjetër.
Mbas tre- katër ditësh ishim tek shtëpia e Indrit Dokles në Tiranë dhe po bënim muhabet të dy për të eliminuar Indrit Taullain. Ne vendosëm që të vrisnim Indritin tek benzi i Lulit, por pasi ta bënin këtë, vrasja do t’i ngelej Lul Berishës. Kështu që e vendosëm për ta eliminuar. E morëm në telefon Indrit Taullain dhe i thamë që të pinim një kafe. Indriti pranoi dhe ne i thamë që të takoheshim te shtëpia ime në Durrës.
Në të errësuar u nisëm për në Durrës dhe kur shkuam tek shtëpia ime, e lashë me Indrit Doklen që Indriti të hipte përpara makinës, ndërsa unë mbrapa. Indrit Dokle mori një pistoletë franceze me sileciator ndërsa unë mora pistoletën bereta. Kur Indrit Taullai iu afrua shtëpisë sime, mori në telefon duke na thënë se kishte ardhur.
Ne dolëm nga shtëpia me pistoleta në brez. Kur shkuam të hipnim tek makina, Indriti hapi derën e pasme dhe hipi mbrapa, ndërsa unë u ula në vendin e parë të pasagjerit. Indrit Taullai dyshoi dhe më tha: “o Tiku, do na falësh se kam një muhabet me Indritin”.
Pasi bënë muhabet rreth pesë minuta, më thërrasin mua dhe unë futem brenda makinës në vendin e parë. Shkuam deri tek Ura e Dajlanit dhe aty Indrit Taullai na thotë se ku do të shkojmë. Unë i thashë të shkojmë nga Plazhi dhe u nisëm rrugës së plazhit. Sapo hymë tek rruga e plazhit, unë i them Indritit: “si i gjuajtët Klodit, Klodi donte me të afruar”. Indriti më tha: “sa më dhemb shpirti mua për atë, nuk ju dhemb ju të dyve”.
Pastaj vazhdoi të thoshte se kishte qenë ai që e kishte penguar, se ata kanë dashur ta vrisnin më përpara (e kishte fjalën për Lulin dhe Lentin). “Isha unë ai që vendosa ta mbroj këtë punë, çfarë u bë u bë”. Pas kësaj, Indrit Taullaj e ndryshoi muhabetin dhe po na thoshte se do të vinin 50 kg kokainë nga Bolivia me 10 mijë dollarë kilogrami.
Shkuam deri në fund, te Plepat dhe aty Indrit Taullai na thotë të ktheheshim por, unë i thashë t’i binim nga unaza dhe të bëjmë atë rrugë që bëmë herës tjetër. Dhe ashtu bëmë, i ramë nga Unaza. Sapo futemi tek hyrja e Unazës, Indrit Dokle nxjerr pistoletën dhe qëllon Indrit Taullain. Taullai thërret me të madhe dhe hap derën.
Qëllohet edhe dy herë të tjera. Në atë kohë, makina ngel pa shofer dhe unë kapa timonin dhe i bie anash rrugës. Pasi ndaluam makinën kemi hedhur pistoletat në kanal, tek shinat e trenit dhe kemi ikur me mendjen se e kemi vrarë Indritin. Më pas shkuam në Tiranë, tek shtëpia e Indrit Dokles. Për vendin ku kemi hedhur armët, jam në gjendje që t’u dërgoj atje dhe t’i gjej ato.
Ditën tjetër morëm vesh se Indrit Taullai ishte akoma gjallë dhe ne u habitëm se si kishte mundësi, sepse gëzhojat dolën nga arma dhe ato i kishte gjetur Lul Berisha tek makina e tij. Këtë gjë e mësuam më vonë, disa ditë pas ngjarjes. Kur na pyetën sesi nuk e kishim vrarë Indrit Taullajn, thamë që e kishim qëlluar me fishekë mësimor, por ç’është e vërteta, ne u nisëm për ta vrarë.
Siç duket, fishekët e pistoletës së Indrit Dokles duhej të kishin qenë fishekë mësimor. Këtë pistoletë që përdori Indrit Dokle në këtë rast, na e kishte shitur Altin Olloni për njëmijë euro. Kjo pistoletë kishte fishekë kalibër 7.65 mm, por ne nuk e provuam asnjëherë, para se t’i gjuanim Indrit Taullait.