Nga Boldnews.al
Ka festë me shampanjë të shtrenjtë nga drejtuesit e PS-së në fitoren e mandatit të tretë, ashtu sikurse e kanë fituar, me shantazh, përdorim të administratës, krim dhe blerje. Por ka edhe “festë” me kallashnikov, nga grupet kriminale që po marrin jetën e njëri-tjetrit. Policia rri e sheh, mbledh gëzhojat në vendin e ngjarjes dhe shuan zjarrin në ndonjë makinë që merr flakë për të mbuluar gjurmët. Skenaret janë të ngjashme, ku në mes të ditës, në sy të shumë njerëzve zbrazen armët.
Për qeverinë asgjë nuk ka ndodhur. Është normale për ta që hapen varre të reja dhe krahas atij që humb jetën, të tjerë varre duhen mbajtur rishtarë, sepse dikush tjetër e ka radhën… Në Elbasan dhe në Vlorë ndodhi “tërmeti i madh” më 25 prill. Fitore të thellë arriti pushteti. Mburreshin se kapën majat, por ndodh që pa u dalë akoma dehja e fitores së dhunshme të pushtetit të zbrazen batare armësh. Një në Elbasan dhe një në Vlorë, dy të vrarë në dy ditë.
Pa asnjë lidhje me njëra-tjetrën si ngjarje dhe si emra që vdiqën në vend, por me një lidhje të fortë se të dy të ekzekuturit ishin kthyer nga Spanja, ndërsa dyshohet se në atë shtet nuk merreshin me punë ndërtimi… Dhe qeveria jonë i le të lirë, ashtu sikurse ka thënë prej kohësh Rama: “hëngshin kokat e njëri-tjetrit”. Po këta koka i përdor pushteti. I do për vota. Lëvizin qetësisht nëpër qytete, me shuka parash dhe emra qytetarësh të vobektë që detyrohen “të shesin” votën.
Krimi kthen haraçin. Dhe çuditërisht në kohë fushate shumë persona të dyshuar si pjesë të organizatave kriminale vijnë nga shtete të ndryshme të botës. Mblidhen këtu si luguni dhe japin “taksën e xhizes” (taksë për kokë), por në këto raste për majat e pushtetit. Pa ta qeveria e ka jetën e shkurtër dhe për tu zgjatur vetë në majë të pushtetit i zgjasin dorën krimit. Në vitet 2017-2018 vendi u mbush me kanabis. Para e madhe qarkulloi, grupe të shumta u fuqizuan, duke u bërë “bosë lokal” edhe në qytete të ndryshme të Evropës.
Prangat nuk njihen për krimin e organizuar në Elbasan, në Vlorë jo e jo, sepse askush nuk guxon ti prekë, qoftë ai i veshur me kostum pushteti, apo uniformë policie me grada të arta në supe. Krimi ka “Zot” dhe ai është pushteti, që i le të lirë, u jap hapësirë për të pastruar paranë e pistë të trafiqeve dhe në fund i përdor për të siguruar vota. Jemi në atë trekëndëshin e famshëm ku gjithçka mbyllet me krim dhe pushtet.
Ama policia është në krye të detyrës me blloqe në duar duke ndëshkuar qytetarët se përse nuk mbajnë një maskë nën hundë, apo se ndërtuan një avlli të prishur në ndonjë fshat të humbur. Këta janë “kriminelët e vërtetë” që i rrëmbejnë dhunshëm, i përplasin në sy ligjin dhe i shtyjnë në qeli nëse dikush kundërshton. Sa për krimin e organizuar…Asgjë nuk ka ndodhur, thjesht janë disa krisma që lajmërojnë fitoren politike. Janë batare që marrin jetë, por edhe i japin frymë pushtetit.