Një grup ekspertësh nga agjencitë hapësinore amerikane dhe evropiane morën pjesë në një stërvitje njëjavore të udhëhequr nga NASA, në të cilën ata u përballën me një skenar hipotetik:Një asteroid 35 milion milje larg i afrohet planetit Tokë, dhe mund ta godasë atë brenda 6 muajve.
Me kalimin e çdo dite të kësaj stërvitje, pjesëmarrësit mësuan më shumë mbi madhësinë, trajektoren dhe mundësinë e përplasjes së asteroidit. Pastaj atyre iu desh që të bashkëpunonin me njëri-tjetrin dhe të përdornin njohuritë e tyre teknologjike për të parë nëse mund të bëhej diçka për të ndaluar në kohë shkëmbin hapësinor.
Ekspertët nuk ia dolën dot. Grupi përcaktoi se asnjë nga teknologjitë ekzistuese të Tokës nuk mund ta ndalojë goditjen e Tokës nga asteroid hipotetik, duke pasur parasysh afatin 6-mujor që u përdor në këtë skenar të simuluar. Në këtë realitet alternativ, asteroidi u rrëzua mbi Evropën Lindore.
Me sa dimë deri tani, asnjë asteroid nuk paraqet aktualisht kërcënim për Tokën në formën që u pa në simulim. Por rreth 2/3 e asteroideve me madhësi 140.21 metra ose më të mëdhenj – mjaftueshëm të mëdhenj për të shkaktuar një dëm tepër të madh- mbeten të pazbuluar. Kjo është arsyeja se pse NASA dhe agjencitë e tjera po përpiqen të përgatiten për një situatë të tillë.
“Tek e fundit, këto ushtrime ndihmojnë komunitetin e mbrojtjes planetare të komunikojë me të tjerët dhe me qeveritë tona për të siguruar që të gjithë jemi të koordinuar nëse identifikohet një kërcënim i mundshëm i ndikimit në të ardhmen” -tha Lindlej Xhonson, zyrtare e mbrojtjes planetare të NASA-s. Asteroidi fiktiv në simulim u quajt 2021PDC.
Në skenarin e NASA-s, ai u “pikas” për herë të parë më 19 prill, kohë në të cilën mendohej se kishte një mundësi prej 5 për qind për të goditur planetin tonë më 20 tetor, pra 6 muaj pas datës së zbulimit të tij.
Por në ditën e dytë të stërvitjes, llogaritjet e reja të trajektores së përplasjes treguan se 2021PDC do të godiste thuajse me siguri Evropën ose Afrikën Veriore. Pjesëmarrësit në këtë simulim, morën në konsideratë misione të ndryshme, përmes të cilave anijet kozmike mund të përpiqeshin që të shkatërronin asteroidin apo ta devijonin atë nga trajektorja fillestare.
Ata arritën në përfundimin se misione të tilla nuk do të ishin në gjendje të fillonin brenda një kohe të shkurtër dhe përpara përplasjes së asteroidit. “Nëse përballemi me skenarin hipotetik të asteroidit 2021PDC në jetën reale, ne nuk do të ishim në gjendje që të lëshonim ndonjë anije kozmike në një kohë kaq të shkurtër me aftësitë aktuale që kemi në dispozicion”- thanë pjesëmarrësit.
Ndërkohë, ekspertët morën në konsideratë përpjekjen për të hedhur në erë ose thërrmuar asteroidin duke përdorur një pajisje shpërthyese bërthamore. “Përdorimi i një arme bërthamore mund të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun e dëmeve nga kjo përplasje”- zbuluan ata.
Megjithatë simulimi përcaktoi që 2021PDC mund të ishte me madhësi nga 34.75 milion deri në gjysmë milje, kështu që shansi që një armë bërthamore t’i shkaktonte ndonjë dëm ishte i pasigurt. Dita e tretë e stërvitjes analizoi situatën përpara 30 qershorit, dhe e ardhmja e Tokës dukej e zymtë.
Trajektorja e 2021PDC tregoi se ishte drejtuar drejt Evropës Lindore. Në ditën e katërt, u përcaktua se asteroidi kishte 99 për qind mundësi të përplasej afër kufirit midis Gjermanisë, Republikës Çeke dhe Austrisë. Shpërthimi do të çlironte aq energji sa një bombë e madhe bërthamore.
E vetmja gjë që mund të bëhej në një rast të tillë, ishte evakuimi para kohe i rajoneve të prekura. Shumica e asteroideve pikasen shumë vonë. Është joshëse të supozohet se në botën reale, astronomët do ta dallonin një asteroid të ngjashëm me 2021PDC më herët sesa 6 muaj.
Por aftësia e botës për të mbikëqyrur objektet afër Tokës (NEO) është fatkeqësisht e paplotë.
Çdo shkëmb hapësinor që ka një orbitë brenda 125 milion miljeve nga Dielli konsiderohet NEO. Por Xhonson tha se NASA mendon se “kemi zbuluar vetëm rreth një të tretën e popullsisë së asteroideve që janë atje, dhe që mund të përbëjnë një rrezik për Tokën”.
Sigurisht, njerëzimi shpreson të shmangë një surprizë si ajo që zhduku dinozaurët 65 milion vjet më parë, kur një asteroid me gjerësi 10 km u rrëzua mbi Tokë. Por vitet e fundit, shkencëtarët kanë humbur shumë objekte të mëdha dhe të rrezikshme që i kanë kaluar afër Tokës.
Kometa Neowise, një copë akulli hapësinore 5 km e gjerë, kaloi 64 milionë milje afër Tokës në korrikun e vitit të kaluar. Askush nuk e dinte që ajo ekzistonte derisa një teleskop hapësinor i NASA-s e zbuloi se po afrohej 4 muaj më parë.
Në vitin 2013, një meteor me diametër rreth 19.81 metra hyri në atmosferë duke udhëtuar 64.374 km/h. Ai shpërtheu mbi Çeljabinsk të Rusisë pa asnjë paralajmërim, duke shkaktuar një valë goditëse që theu xhamat dhe dëmtoi ndërtesat në të gjithë rajonin. Më shumë se 1.400 njerëz u plagosën.