A ka ekzistuar kontrabanda shtetërore e cigareve të prodhimit amerikan gjatë periudhës së komunizmit? Rrëfimet e dëshmitarëve do të ishin pa vlerë nëse nuk do të shoqëroheshin me dokumente zyrtare. Nga kohëra që sillen në imagjinatë me peshën e mugëtirës dhe në kufijtë e së pabesueshmes, në këtë shkrim për herë të parë vjen e plotë një ngjarje që provon përfshirjen e Shqipërisë komuniste në këtë aferë. Jemi në vitin 1982, kur një skaf i mbushur me cigare kontrabandë, që drejtohej nga dy shtetas italianë, pikaset nga një mjet i forcave shqiptare të rojës së kufirit. Italianët tentojnë të largohen me shpejtësi, por në rrethana të paqarta, rojet shqiptare qëllojnë me armë, duke vrarë drejtuesin e skafit dhe duke bllokuar tjetrin. Veç ngjarjes, pjesa që të tërheq vëmendjen, e komentuar, thotë se rojet shqiptare të kufirit kishin udhëzime për të mos i ndaluar kontrabandistët italianë të cigareve.
Pikërisht ky detaj zbardhet gjatë dëshmisë së kontrabandistit italian të kapur. Ai pohon se, kur kanë parë mjetin shqiptar të afrohet, kolegu, që ishte më i vjetër në këto punë, i ka thënë që shqiptarëve t’u tregojë ngarkesën me cigare. Pra, ngarkesa me cigare kishte vlerën e një lloj lejeje kalimi. Kjo vërteton se shteti komunist më i izoluar i botës, në këtë periudhë kishte hapur një korridor ujor për skafet italiane që tërhiqnin cigaret e magazinuara në afërsi të portit të Durrësit. Incidenti i ndodhur më 25 korrik 1982 vjen në tre versione. Si version të parë kemi zgjedhur të jetë dëshmia e parë e italianit të kapur, e dhënë në Vlorë, më tej vjen vendimi i gjykatës dhe në fund kujtimet e Lorenc Nenshatit, ishdrejtorit të ndërmarrjes ALBTRANS, që kujdesej për pjesën shqiptare të linjës ndërkombëtare të kontrabandës së cigareve gjatë periudhës së shtetit komunist shqiptar.
NGA FERDINAND DERVISHI
RRËFIMI I KONTRABANDISTIT ITALIAN
ProcesVerbal I pyetjes së shtetasit Italian Piciolo Cosimo di Antonio
Në Vlorë më, 25.07.1982
Unë Ylli Gjermani, hetues i degës së Punës së Brendshme në Vlorë, duke qenë të pranishëm edhe përkthyesit Rusvelt Ferra dhe Dhimitër Çullaj, banues në qytetin e Vlorës, marr në pyetje shtetasin italian Cosimo Piciolo, i biri i Antonios dhe i Ineses, lindur më 21.01.1956 në Brindizi dhe banues në lagjen “Paradiso”, i martuar dhe ka dy fëmijë, me arsim 4 klasë, me profesion bujk. Shtetasi italian pasi pyetet, shpjegon si më poshtë. Unë banoj në lagjen “Paradiso” të Brindizit dhe merrem me bujqësi duke punuar me mëditje. Pothuaj unë kam qenë pa punë këtë muaj; kam punuar dytri ditë. Duke qenë pa punë, të martën apo të mërkurën që kaloi, në sheshin e Brindizit që quhet “Piazza Cairioli” rastësisht jam takuar me Vito Antonion, të cilin e kam pasë njohur para tre vitesh, sepse edhe ky banon po në këtë qytet dhe shpeshherë dilte me vëllanë e tij në këtë shesh dhe në këtë mënyrë njohëm edhe vëllanë e tij. Të martën apo të mërkurën, siç ju thashë më lart, duke biseduar me Antonion, i thashë që jam pa punë dhe ai më tha: do të fitosh 100 000 lireta, të siguroj unë një punë në det. Unë rashë dakord dhe shkova me motoskafin Nr. 4895/ D rreth orës 19:00, ku gjeta kapitenin e motoskafit Xhilberto, mbiemrin nuk ia di dhe me të në këtë rast jam takuar për herë të parë. Motoskafin më parë unë e kam parë, 1015 ditë para bisedës për punë me Antonion, në një rast kur të dy kishin shkuar për të bërë një xhiro anës detit, dhe ai më tha se ky është motoskafi, kështu që unë e dija vendin ku ishte motoskafi i Antonios dhe të martën apo të mërkurën shkova atje sipas bisedës që kisha bërë me Antonion.
Kur shkova unë atje, Xhilbertua po lidhte skafin se priste benzinën. Ai më tha: ti je marinari që do vish me motoskaf dhe unë iu përgjigja se unë jam ai që ka dërguar Antonio. Benzinën e solli vetë Antonio me dy persona të tjerë. Në bisedë me Xhilberton ai më tha se është martuar në Napoli; kurse vetë Xhilberton nuk e di se nga është sepse nuk e pyeta. Pasi u furnizuam me benzinë, rreth orës 13:00, u nisëm me motoskaf për në Fano, për të ngarkuar cigare nga një anije tjetër. Nga Brindizi kemi shkuar drejt në Fano, zbritëm në tokë dhe aty kemi qëndruar dy ditë, duke ngrenë e duke fjetur në një pikë turistike. Aty kishte edhe kontrabandistë të tjerë, që prisnin si ne të ngarkonin cigare. Ngarkesa bëhet me radhë, duke na njoftuar në radio. Pas dy ditësh na njoftuan me radio duke na thënë: hajdeni të hani; dhe neve kuptuam se ne kishim radhën për të ngarkuar. Shprehja “hajde të hani” përdoret midis kontrabandistëve, siç e mësova atje. Me motoskafin tonë iu afruam anijes që na thirri për t’u ngarkuar dhe sipas koordinatave që na dha duhej të ishte 10 milje larg bregut të ishullit. Kjo anije qe në lëvizje, sepse zakonisht kështu veprohet në këto raste duke dhënë koordinatat. Megjithëse u afruam me motoskaf tek anija që do ngarkonim, emrin e saj nuk e dallova, vetëm pashë që anija ishte e vjetër me ngjyrë gri, dëgjova se marinarët e saj flisnin greqisht, kurse kapiteni i saj, siç dëgjova, quhej Kosta. Kartonat me cigare deri në motoskafin tonë ihidhnin marinarët e anijes, kurse aty i merrja unë dhe së bashku me kapitenin i sistemoja. Cigaret ishin Marlboro, Muratimultifilter. MildeSorte, këto në sasira të ndryshme. Gjithsej kemi ngarkuar 140 copë pako kartoni. Duke ngarkuar vazhduam rreth 1 orë dhe aty nga ora 19:00 jemi nisur për në Itali, por konkretisht për në cilin vend të Italisë nuk e di. Kapiteni i motoskafit e dinte destinacionin, sepse ka folur në radio me Italinë. Unë nuk e di se çfarë kursi ka ndjekur motoskafi ynë, por duke udhëtuar, ne iu afruam bregdetit shqiptar shumë afër, aq sa dallonim objektet në bregdetin shqiptar dhe kështu kemi vazhduar të udhëtojmë rreth 10 minuta. Largësia nga bregdeti ka qenë rreth 1 milje dhe unë e di që një milje ka një kilometër. Duke vazhduar në këtë distancë larg bregut, vetë Xhilberti dalloi tymin e një anijeje të madhe që vinte në drejtimin tonë. Xhilberti në fillim më tha mua që duhet të jetë drago, domethënë anija e financës, më vonë duke parë me kujdes, më tha mua që është anije shqiptare, roje e bregdetit, prandaj të largohemi menjëherë se shqiptarët nuk duan t’u afrohesh në bregdet.
Kur ne dalluam anijen shqiptare, ishim afër ishullit shqiptar dhe menjëherë ndryshuam drejtimin për t’u larguar, por na u afrua anija shqiptare, duke na ndjekur sepse ne vazhdonim të ecnim për t’u larguar nga ujërat shqiptare. Në fillim anija shqiptare na dha sinjalin me raketa të kuqe, por ne vazhduam të largoheshim me shpejtësi. Metë parë raketën e kuqe, i thashë kapitenit që të ndalojmë, ku shkojmë kështu, por ai më tha mua që tregoju cigaret shqiptarëve, duke hapur hambarin dhe ne ecim. Këtë unë ia përsërita disa herë kapitenit që të ndalonim, por ai vazhdonte të më thoshte: tregoju cigaret. Anija shqiptare na ishte afruar dhe na ndiqte, kurse ekuipazhi i saj me dorë dhe me të folur kërkonte që ne të ndalonim. Meqenëse ne nuk po ndalonim, atëherë anija shqiptare bëri dytre xhiro rreth nesh dhe na drejtonin armët në distancën rreth 100 metra. Meqenëse ne po iknim me shpejtësi, ata qëlluan në ajër me mitraloz për të na frikësuar, por ne vazhduam të largoheshim duke hapur hambarin për t’u treguar atyre cigaret. Pas këtyre veprimeve, ata na qëlluan disa herë me armë, unë vazhdova t’i thosha kapitenit të ndalonte, por ai nuk ndaloi dhe duke vazhduar të na godisnin me armë pashë që kapiteni u rrëzua duke qenë në timon dhe atëherë shkova te timoni dhe fillova ta ndaloj anijen duke qarë, kur pashë se ai qe rrëzuar. Kur unë ndalova anijen, menjëherë u ndërprenë goditjet me armë në drejtimin tim, ata erdhën me motoskaf, konstatuan plagosjen e Xhilbertit dhe mua më morën në anijen e tyre dhe së bashku me motoskafin na sollën në portin e Vlorës. Unë nuk di rreth të dhënave teknike të motoskafit, bile nuk di sa e ka shpejtësinë, vetëm që kapiteni ma pati thënë që motori i saj nuk shkon mirë dhe do ta çojmë për riparim. Këto që thashë më lart janë thëniet e mia, unë pata dëshirë t’i shkruaja vetë në italisht, por nuk mundem pasi jam gati analfabet. Procesi m’u përkthye në italisht fjalë për fjalë, thëniet e mia janë thënë drejt dhe unë po e firmos.
Cosimo Piciolo (firma)
Hetuesi: Ylli Gjermeni (firma)
VENDIMI I GJYKATËS
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE
GJYKATA E RRETHIT TIRANE
Nr. 427 i aktit
Nr. 336 i vendimit
VENDIM “NE EMER TE POPULLIT”
Gjykata Popullore e Rrethit Tiranë e përbërë prej: Viktor Ikonomi – gjyqtar
Jani Theodhori – Nd. gjyqtar
Valdete Aliaj – Nd. gjyqtare
Asistuar prej sekretares Aishe Shima dhe me pjesëmarrjen e prokurorit Piro Suli shqyrtoi sot më dt. 23 gusht 1982 në seancë gjyqësore me dyer të hapura çështjen penale me nr. 427 që i përkettë pandehurit PICIOLO COSIMO, i biri i Antonit dhe Ines, i datëlindjes 1956, lindur në Brindizi të Italisë, me shtetësi dhe kombësi italiane, me gjendje bujk me mëditje, i martuar me dy fëmijë të mitur, me arsim 4 klasë fillore, i padënuar, i ndaluar më datë 26 korrik 1982 dhe arrestuar më datë 28 korrik 1982, i mbrojtur nga këshilltari ligjor Veniamin Lazri. Faksimile e vendimit të Gjykatës për italianin e ndaluar
AKUZUAR – për krimin e kalimit të paligjshëm të kufijve shtetërorë të RPS të Shqipërisë, vepër penale e parashikuar nga neni 127 i Kodit Penal. Gjykata pasi studioi materialet e hetuesisë, provat e administruara gjatë hetimit gjyqësor, mbasi dëgjoi pretencën e prokurorit, i cili ka kërkuar që i pandehuri të deklarohet fajtor sipas akuzës dhe të dënohet me një vit heqje lirie, mbrojtjen e të pandehurit nga këshilltari ligjor dhe vetë i pandehuri, i cili ka kërkuar dhënien e një dënimi me kohën e paraburgimit, ose me kusht:
VËREN Nga hetimi gjyqësor ka rezultuar se në datën 25 korrik 1982, në orën 19:25, në zonën kufitare “Gjiu i Gramës”, që ndodhet në bregdetin e detit Jon, në rrethin e Vlorës, në një largësi nga bregu rreth 200 metër, është afruar një motoskaf i huaj në bordin e të cilit ndodheshin dy persona. Anija e shërbimit të kufirit të RPS të Shqipërisë në atë zonë e drejtuar nga dëshmitari Aleko Kamberi, mbasi ka diktuar se motoskafi i huaj ishte futur në mënyrë të paligjshme në brendësi të ujërave territoriale të RPS të Shqipërisë, është vënë menjëherë në ndjekje të tij.
Njëri nga pjesëtarët e ekuipazhit, që sipas hetimeve ishte shtetasi italian Gilberto Morreti, që drejtonte motoskafin, kur konstaton se ata po ndiqeshin nga anija e shërbimit të kufirit, i thotë shokut të tij, të pandehurit Piciolo Cosimo, se duhej të largoheshin sa më parë, anija që na ndjek është shqiptare dhe këta nuk duan të lundrosh në afërsi të brigjeve të tyre. Menjëherë pas kësaj Gilberto ka ndryshuar kursin e motoskafit nga verilindja në drejtim të perëndimit me qëllim për të dalë nga ujërat tona, në det të hapur. Duke parë këto veprime, ekuipazhi i anijes shqiptare të kufirit i jep sinjal me anë të raketave shenjëlënëse me ngjyrë të kuqe që motoskafi të ndalonte. Gilberto Morreti, që ndodhej në timonin e motoskafit duke lundruar për t’u larguar në çdo mënyrë dhe për të mos u dorëzuar, e udhëzon të pandehurin Piciolo Cosimo që t’i tregonte ekuipazhit të anijes shqiptare kutitë e cigareve me të cilat ishin ngarkuar, duke shpresuar se nuk do të ndiqeshin. Ekuipazhi i anijes shqiptare jep përsëri shenja me raketa shenjëlënëse për të ndaluar, por ata përsëri nuk ndalojnë dhe bëjnë të gjitha përpjekjet për t’u larguar dhe shpëtuar ndjekjes. Në këto rrethana komandanti i anijes kufitare, dëshmitari Aleko Kamberi, duke qenë në krye të detyrës, urdhëron që të hapej zjarr me mitraloz në ajër me qëllim që t’i frikësojnë për të ndaluar. Por me gjithë paralajmërimet e bëra disa herë, të dy pjesëtarët e ekuipazhit të motoskafit nuk ndalojnë, por përkundrazi vazhdojnë të shtojnë shpejtësinë e motoskafit për t’u larguar nga ujërat territoriale të vendit tonë, për të dalë në det të hapur. Në këto rrethana, në orën 19:37, në kohën që motoskafi ndodhej 2.6 milje larg bregut, ekuipazhi i anijes së shërbimit të kufirit, pasi ka hapur fillimisht zjarr në automatik dhe dy herë të tjera në ajër, për herën e tretë ka qëlluar në drejtim të motoskafit. Si rezultat i këtij zjarri është goditur me një plumb Gilberto Morreti, i cili nga plaga që mori pas pak vdiq.