Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të administrojë provat e reja të dorëzuara nga kreu i Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita si dhe të hetojë mbi 12 denoncimet e reja të mbërritura ndaj tij.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të enjten të çelë hetimin gjyqësor për kreun e Gjykatës së Apelit Administrativ, Kastriot Selita si dhe të hetojë mbi 12 denoncimet e reja, që mbërritën ndaj tij pas mbylljes së procesit në KPK.
Vendimi u mor nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Ina Ramën dhe anëtarë Sokol Çomo, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz. Në pretendimet paraprake, si Selita ashtu edhe komisioneri Florian Ballhysa kërkuan riçelje të hetimit. Gjithashtu, u vendos të administrohen si prova dokumentet e dorëzuara nga Selita.
Kastriot Selita, i cili drejton Gjykatën Administrative të Apelit prej vitit 2013 u konfirmua në detyrë nga KPK në qershor 2019 me votat e Brunilda Bekteshit dhe Lulzim Hamitajt, ndërkohë që kryesuesi Olsi Komici votoi për shkarkimin.
KPK vendosi gjithashtu ta referojë Selitën lidhur me vendimin e dhënë prej tij për Bledar Valikajn; e konsideruar me mangësi profesionale për shkak se gjyqtari kishte disponuar me urdhërimin e KLP-së për emërimin si prokuror, pa kërkesën e palës. Ankimi i Komisionerit Publik erdhi pas rekomandimit të ONM për rihapjen e hetimeve.
Gjatë seancës së të enjtes, Komisioneri Publik, Florjan Ballhysa parashtroi prapësimet lidhur me pretendimet e ngritura nga kreu i Gjykatës së Apelit Administrativ, Kastriot Selita kundër ankimit ndaj vendimit të Komisionit për konfirmimin e tij në detyrë.
Ballhysa u shpreh në fillim të fjalës së tij se edhe pas analizimit të provave të reja të dorëzuara nga Selita, shkaqet e ngritura në ankim mbeten për t’u marrë në shqyrtim nga Kolegji.
Ai u ndal në apartamentin 124.9 m2 në Tiranë, me burim të pjesshëm të ardhurat e krijuara nga shitja e një shtëpie banimi 2 kate + papafingo, me sipërfaqe 268,2 m2 nga vjehrri i tij.
Duke iu referuar shpjegimeve të Selitës, Komisioneri tha se subjekti ka deklaruar se për krijimin e shtëpisë me 2 kate + papafingo kanë shërbyer të ardhurat e vjehrrit nga shitja e banesës në Peshkopi në shumën 2 milionë lekë dhe të ardhurat nga puna në shumën 3.6 milionë lekë.
Ballhysa kërkoi që veç vlerave të deklaruara nga subjekti, të konsiderohen në analizën financiare edhe dy shpenzime të tjera.
Sipas tij, vlera e deklaruar e investimit është 5 milionë lekë, por nga hetimi në KPK ka rezultuar se është kryer edhe një pagesë tjetër në shumën 377 mijë lekë. Komisioneri tha se kjo vlerë duhet shtuar në shpenzimet e kryera për këtë pasuri.
Gjithashtu, ai i kërkoi Kolegjit që nëse do të vendoste të kryente analizë financiare lidhur me mundësitë e krijimit të kësaj pasurie, të llogaritet edhe shuma 400 mijë lekë e shpenzuar për blerjen e një atoveture.
Ai i cilësoi si deklarative shpjegimet e dhëna nga Selita lidhur me mobilimin e shtëpisë private, i cili ka pretenduar se familja e vjehrrit ka përdorur moblijet e apartamentit që kishte shitur në Dibër. “Është deklaratë e pabazuar në prova të tjera dhe të merret me rezerva,” kërkoi Ballhysa.
Lidhur me pretendimin e Selitës se të ardhurat e përfituara nga bashkëshortja nga një kontratë konsulence me një fondacion në vitin 2004 ishin të ligjshme, Ballhysa tha se provat e dorëzuara nga subjekti nuk mund ta vërtetojnë këtë deklarim të subjektit.
Sipas Ballhysës, një pagesë e kryer për tatimin në burim nga ana e fondacionit ishte më e ulët nga sa duhej të paguante bashkëshortja e Selitës dhe se nuk korrespodonte me vlerën e detyrimeve tatimore që ajo duhej të kishte shlyer. “Duket se subjekti nuk provon pagesën e detyrimeve për të ardhurat e bashkëshortes nga kjo kontratë,” shtoi Ballhysa.
Për blerjen e apartamentit 29.86 m2 dhe garazh 12.5 m2 në Tiranë, subjekti ka deklaruar sërish të ardhurat e bashkëshortes, të përfituara nga shitja e një apartamenti që ishte blerë me të ardhurat e shitjes së shtëpie në Linzë. Si burim krijimi të kësaj të fundit, janë deklaruar një kredi në shumën 23 mijë euro dhe 9 mijë euro kursime familjare.
Ballhysa solli në vëmendje se nga verifikimi i dokumentacionit bankar rezultonte që kredia të ishte përdorur për shlyerjen e një huaje shtetasit F.Sh..
Sipas Komisionerit, deklarimet e Selitës se F.Sh. i ka kthyer fondet të papërdorura dhe se më pas është vepruar nëpërmjet bankës, nuk janë bindëse. “Duket se kredia ka shërbyer për shlyerjen e huasë së F.Sh dhe jo për apartamentin,” pohoi Ballhysa.
Gjithashtu, Ballhysa theksoi se nuk ishin paguar detyrimet përkatëse për të ardhurat e përfituara nga shitja e apartamentit 102 m2 në Selitë.
Komisioneri solli në vëmendje se bashkëshortja kishte deklaruar se zotëronte si pjesë takuese 25% të banesës së shitur që ka shërbyer si burim për krijimin e apartamentit 29.86 m2, por nga hetimi kishte rezultuar se ajo kishte përfituar 55% nga shitja.
Ndërkohë, Ballhysa kërkoi të pranoheshin provat që vërtetonin të ardhurat në shumën 9 mijë euro të deklaruar si një nga burimet e krijimit të kësaj pasurie.
Edhe pse subjekti ka deklaruar se shitja e apartamentit në Selitë është kryer realisht në vitin 2007, përpara martesës, Ballhysa vlerëson se përfitimi i vlerës 18 mijë euro nga bashkëshortja e subjektit nuk mund të konsiderohet e ligjshme.
Për apartamentin Duplex me sipërfaqe totale 205.33 m2 dhe truall me sipërfaqe 521, 8 m2 në Lalëz të Durrësit, Komisioneri evidentoi mospërputhje në deklarimet e një prej burimeve të krijimit. Sipas Ballhyës, Selita ka deklaruar si një prej burimeve shumën 30 mijë euro të kursyer nga bashkëshortja para martese dhe jo të ardhurat e përfituara nga shitja e pronave të zotëruara nga trungu i saj familjar.
Komisioneri publik e cilësoi të paprovuar edhe mundësinë e vëllait të subjektit për t’i dhuruar një autoveturë me vlerë 4000 euro. Pretendimi i Selitës se vëllai ishte pajisur me leje qëndrimi në Itali vetëm në vitin 2009 dhe se kjo kishte qenë arsyeja që kontributet kishin nisur të paguheshin nga ajo periudhë, nuk u konsideruan të mjaftueshme nga Ballhysa.
Komisioneri u ndal në vijim në shkaqet për kriterin e profesionalizmit. Ai tha se një provë e dorëzuar nga Selita lidhur me një shkak për konflikt të mundshëm interesi në gjykimin e një çështje me dy kompani, nuk kishte lidhje me gjykimin në fjalë.
Ballhysa solli në vëmendje jurispudencën e GJEDNJ lidhur me trajtimin e mungesës së panësisë në gjykim dhe objektivitetit.
“Subjekti, duke qenë relator në një çështje ku ai dhe bashkëshortja kanë pasur marrëdhënie me palët, duket se ka konflikt interesi dhe mungon panashmëria,” tha ndër të tjera Komisioneri dhe nënvizoi se Selita nuk ka paraqitur gjithmonë dorëheqjen dhe ndonjëherë ka qenë i vonuar.
Ballhysa kërkoi që Kolegji të verifikonte 12 denoncimet e kryera nga publiku duke cilësuar të pabazuara parashtrimet e paraqitura nga Selita gjatë seancës parardhëse. Gjithashtu, Komisioneri kërkoi që të përfshihej në vlerësim edhe çështja të cilën KPK e ka transferuar për vlerësim pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD.
Gjyqtari Selita tha se lidhur me pretendimet e Komisionerit do të mbante qëndrim në një seancë të ardhshme. “Ka të bëjë me disa intepretime për të qartësuar pretendimet e ngritura nga Komisoneri, që i kundërshton gjithë pretendimet e mia, që janë me referenca ligjore të pastra që çdo jurist do kishte një lloj konsidrate,” tha Selita dhe dorëzoi kopje formale të disa provave që kishte dorëzuar gjatë seancës së 17 marsit.
Pasi u tërhoq, trupi gjykues vendosi të deklarojë të hapur hetimin gjyqësor, të hetojë dhe verifikojë denoncimet e paraqitura si dhe të lejojë marrjen e provave të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit.
Seanca e radhës u vendos të zhvillohet më 28 prill, ora 10:00. /BIRN/