Elbasani, Durrësi, Shijaku, Kruja, Kurbini, Shkodra, Vau i Dejës, Kavaja, Vlora, Dibra, Kamza, Lezha, Malësia e Madhe, Peqini dhe Berati janë zonat me riskun më të lartë për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Sipas një studimi të bërë nga Instituti i Studimeve Politike (ISP), nga ana tjetër rezuton se bashkitë Pustec dhe Delvinë, Përmet dhe Gramsh, Patos dhe Kuçovë janë zonat me riskun më të ulët.
Zgjedhjet janë në nivel kombëtar, por midis 61 bashkive ka zona që kanë risk më të lartë dhe më të ulët elektoral.
Për hartimin e hartës së riskut elektoral 2021, ISP thotë se ka analizuar kandidatët, partitë, stafet elektorale, rezultatet në vite, specifikat e zgjedhjeve në secilën bashki, problematikat lokale dhe në fund, si bashkim i të gjithë treguesve është bërë renditja e zonave me riskun më të lartë elektoral.
“Raporti i plotë i ISP përfshin të dhëna konkrete me emra, ngjarje dhe fakte, por që për shkak të ndjeshmërisë publike dhe sigurisë së stafit, të dhënat e detajuara përshkruese nuk bëhen të njohura për publikun, por vetëm për partnerët ndërkombëtarë.”, raporton ISP.
Zonat me riskun më të lartë? Kryesojnë bashkia Elbasan, ndjekur në të njëjtin nivel nga bashkia Durrës (periferia) dhe bashkia Shijak, më tej në të njëjtat kuota bashkia Krujë, bashkia Kurbin, bashkia Shkodër (periferia), bashkia Vau i Dejës, bashkia Kavajë dhe bashkia Vlorë (zona specifike). Në listën e 15 bashkive me riskun më të lartë bëjnë pjesë edhe bashkitë Dibër, Kamëz, Lezhë, Malësi e Madhe, Peqin, Berat, etj.
Nga ana tjetër, zonat me nivelin më të ulët të riskut zgjedhor janë bashkitë Pustec dhe Delvinë, Përmet dhe Gramsh, Patos dhe Kuçovë, Dimal dhe Tropojë, Konispol dhe Kolonjë, Divjakë dhe Memaliaj, Libohovë dhe Maliq, Korçë dhe Këlcyrë.
INTERPRETIMI I TABELES ME ZONAT E RISKUT NE ZGJEDHJET PARLAMENTARE
Terminologjia dhe kategoritë e vlerësimit
ZONA E RISKUT
Zona elektorale, në të cilat ka potencial për tensione, presione, incidente, akuza për manipulim, kontestim dhe rivalitet të ashpër politik gjatë zgjedhjeve parlamentare
RIVALITET REAL MIDIS PARTIVE POLITIKE
Ka potencial të madh, konkurrencë të ashpër dhe retorikë konfliktuale midis partive kryesore dhe kandidatëve politikë.
KANDIDATË APO STAF/SHTABE ELEKTORALE ME REKORDE NEGATIVE
Ka kandidatë që personalisht ose familjarë të tyre në listat elektorale me CV me rekorde kriminale, penale ose korruptive; ka stafe ose shtabe kandidatësh/partive me CV kriminale ose penale, ka individë me imazh negativ publik që janë investuar në fushatë direkt (si kandidatë) ose indirekt (në mbështetje të kandidatëve), ka të dhëna për veprime korruptive, kërcënuese dhe shkurajuese për rivalët/votuesit/zërat kritikë.
ZONA KONSIDEROHET BASTION NGA NJË PARTI
Ka së paku një parti që e konsideron zonën elektorale si bastion të saj, pra si zonë influence dhe nën kontroll të përhershëm.
BIZNESMENË AKTIV SI KANDIDATË / NË FUSHATË
Ka biznesmenë të pasuruar me lidhje politike në listat proporcionale, të gatshëm të investojnë shumë prej aseteve të tyre në fushatën elektorale në kërkim të mandatit personal ose partiak parlamentar, ka rivalitet brenda listës për pragun e votës parapëlqyese.
DIFERENCË MINIMALE PËR MANDATIN E FUNDIT
Ka diferencë minimale midis mandateve të diskutueshme në garë bazuar në nga zgjedhjet e kaluara ose sondazhet. Sa më e vogël diferenca për mandatin e fundit aq më i madh potenciali për zonë risku.
OBJEKTIV PRIORITAR PËR MANDAT
Ka individë konkurrues ose parti politike, të cilat e konsiderojnë “interes prioritar fitoren me çdo kusht” të mandatit parlamentar në këto zona.
KONFLIKTE TË NDRYSHME POLITIKE LOKALE
Ka probleme në raportet midis qendrës e periferisë, midis grupeve të ndryshme fetare, midis grupeve sociale, midis shtresës që mbështesin kandidatët specifikë dhe pjesës së tjetër të zgjedhësve, ka media desinformuese dhe denigruese në funksion të subjektit/kandidatit.
INTERES PËR TË KONTESTUAR REZULTATIN
Ka interes paraprak nga pala që do të humbë zgjedhjet në këto zona, për të krijuar dosje kontestuese kundër palës fituese, për ankimime, për pasojë, edhe interes për incidente dhe çdo fakt të mundshëm.
KONTESTIME NGA ZGJEDHJET E MËPARSHME
Ka pasur probleme në zgjedhjet e kaluara parlamentare (2013, 2017) ose në zgjedhjet e kaluara lokale (2015), bën pjesë në raportet e grupeve të ndryshme monitoruese shqiptare apo të huaja për problematika në të kaluarën zgjedhore.
ANGAZHIM TË “SHTETIT” NË FUSHATË
Ka të dhëna dhe interes për përdorim jo ligjor të burimeve shtetërore në fushatë në zona të caktuara, ku kandidojnë zyrtarë të lartë, ministra apo drejtues të enteve publike me ndikim në administratë dhe në financat publike.