Fizioterapisti, Erion Hiluku, ka dhënë rekomandime të fizioterapisë respiratore dhe ushtrimeve fizike për personat e prekur nga Covid-19.
Ai gjithashtu ka treguar, gjatë një interviste në “TV Klan”, dhe një ushtrim me anë të një instrumenti me të cilin personat e prekur nga Covid-19 mund të pastrojnë mushkëritë e tyre nga sekrecionet e shkaktuara nga koronavirusi.
Gazetarja: Ku konsiston aktiviteti fizik për personat e prekur nga Covid-19? Si fillon për ta rikuperimi përsa i përket aktivitetit fizik?
Erion Hiluku: Fatmirësisht shumica e njerëzve nuk kanë nevojë për fizioterapi respiratore apo aktivitet fizik sepse e kalojnë fazën e parë të sëmundjes pa dëme të mëdha. Kjo është pjesa më e madhe e njerëzve, pastaj kur virusi prek aparatin respirator fatkeqësisht mund të prekë edhe organe të tjera atëherë është e nevojshme që pacienti të aktivizohet, të kryejë disa aktivitete fizike të thjeshta në shtëpinë e tij. Sigurisht në faza më të avancuara dhe të rënda fizioterapia respiratore ndiqet nga fizioterapistë të specializuar në qendrat spitalore apo në reanimacion, por shpresojmë që të mos shkojmë në ato faza.
Gazetarja: A mund të demonstrojmë disa nga këto ushtrime sepse jam e sigurt që ka kuriozitet?
Erion Hiluku: Kemi dizajnuar disa ushtrime që i ndajmë nëpërmjet kolegëve tanë, nëpërmjet mjekëve dhe me disa lëvizje shumë të thjeshta mund të fillojë të aktivizohet aparati i frymëmarrjes. Në fillim fillohet me ushtrime të lehta të cilat konsistojnë në rregullimin apo në një frymëmarrjen të vullnetshme, ku bëhet inspirimi me hundë ku e përsërit 5 herë, pushon pak dhe nis sërish. Pacienti duhet të akumulojë një sasi të madhe oksigjeni në mushkëri sepse i detyron ato të bëjnë hapje kostale.
Mjeku ka demonstruar edhe disa ushtrime me instrumente që çdo njeri mund t’i përdore dhe mund t’i gjejë lehtësisht në treg.
Erion Hiluku: Është një instrument që quhet triflou dhe gjendet lehtë në treg. Përdorimi i tij bën që pacienti të bëjë një hapje të mushkërive në dy drejtime. Mund të bëjë një hapje kostale të brinjëve që është frymëmarrja jonë e natyrshme ose frymëmarrje diafragmatike që e bën me anën e barkut. Është një aparaturë tepër e thjeshtë, por që është për mushkëritë si të thuash peshat për muskujt, është jashtëzakonisht i domosdoshëm.
Gazetarja: Po për të sëmurët të cilët kanë sekrecione pulmonare cilat janë disa ushtrime që duhet të bëjnë?
Erion Hiluku: Marr një shishe gjysmë litërshe dhe e mbushim me ujë deri në gjysmë me një tub të vogël. Pacienti e fut në gojë dhe fillon i fryn ngadalë, ky është një ushtrim që ndihmon në eliminimin e sekrecioneve. Konsiston në nxjerrjen e ngadaltë dhe përmbajtur të frymës dhe në këtë mënyrë sekrecionet që janë të gjendura e të shpërndara në mushkëri. Sekrecionet nuk qëndrojnë si copëza të mëdha, qëndrojnë si bulëza, si pjesë mikroskopike, si mbetje bakteriale apo viroza dhe janë mbetje mikroskopike. Duke i dhënë një ekspulsioni të lehtë të frymëmarrjes këta do të drejtohen nga alveolët, nga qendrat më të vogla të mushkërisë, do të drejtohen drejt tubave apo enëve më të mëdha dhe kur grumbullohen në pjesën trakiale me anë të kollës eliminohet.