Rrugët kryesore të Shqipërisë, të cilat filluan të ndërtohen mes viteve 2008-2013 nga qeveria e djathtë e Sali Berishës do vazhdojnë të mbeten kantiere të hapura edhe për disa vite në vazhdim. Të dhënat mbi investimet publike, të publikuara në buxhetin e vitit 2017 si pasojë e një kërkese për transparencë të Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnëse vetëm dy nga 11 akset kryesore që janë aktualisht në ndërtim, pritet të përfundojnë brenda vitit 2017.
Qeveria parashikon që punimet në nëntë rrugët e tjera të shtyhen mesatarisht me dy vjet, ndërkohë që afati fillestar për disa prej tyre ka vite që ka skaduar. Nëse investimet do të ecin sipas planit të parashikuar, shumica e rrugëve në ndërtim pritet të përfundojnë mes viteve 2018-2019.
Fondet e Buxhetit të Shtetit për vitin 2017 janë përqendruar te segmentet Qukës-Qafë Plloçë; Tiranë– Elbasan; Qafë Thanë – Pogradec dhe Fushë Krujë – Milot. Ndërkohë, fondet e vëna në dispozicion në buxhetin e 2017 për by-passet e Fierit, Vlorës dhe Shkodrës janë minimale, duke e shtyrë përfundimin e tyre në vitin 2019.
Të dhënat mbi investimet publike u publikuan për herë të parë bashkë me buxhetin e vitit 2017, si pasojë e kërkesës së Fondit Monetar Ndërkombëtar për të rritur transparencën në investimet publike si dhe për të rritur mundësinë e qytetarëve për të kërkuar llogari mbi shtyrjet e zakonshme të investimeve.
Tabela, [Link] jep të dhënat për investimet me burime të brendshme si dhe ato me kredi apo donacione nga jashtë, si dhe të dhënat për afatin e fillimit dhe mbarimit të punimeve bashkë me shumën e angazhuar nga buxheti i shtetit.
Tabela e publikuar tregon se rruga Tiranë-Elbasan, e cila nisi të ndërtohej në vitin 2011, duhej të kishte përfunduar së ndërtuari në vitin 2015, por tashmëështë shtyrë për së paku 2018. Disa rrugë, si Qafë-Thanë – Pogradec dhe Korçë – Ersekë parashikohet të përfundojnë në vitin 2019 ndërsa projekti i Unazës së Madhe të Tiranës mban shënimin 2019+, që do të thotë se do të përfundojë përtej këtij afati.
Ndryshe nga sa është premtuar herë pas here, pëgjatë periudhës 2017-2019, nuk janë programuar fonde për Rrugën e Arbrit.
Premtim për fonde më 2018 e 2019
Të dhënat e publikuara nga qeveria tregojnë se Shqipëria ka aktualisht projekte investimi në transportin rrugor me vlerë të përgjithshme prej 161 miliardë lekësh (afro 1.15 miliardë euro), nga të cilat 67 miliardë janë financuar deri në vitin 2015, ndërsa 13.3 miliardë janë parashikuar të financohen këtë vit.
Për të mbyllur kantieret e hapura, qeverisë i duhet të sigurojë edhe 81 miliardë lekë për katër vitet e ardhshme. Buxheti i vitit 2017 ka planifikuar vetëm 17.6 miliardë lekë për investime në ndërtim rrugësh, ndërsa që projektet të finalizohen, kërkohet që financimet për vitet 2018, 2019 dhe 2020 të jenë më të mëdha-çka do të varet nga vullneti politik dhe gjendja e të ardhurave dhe shpenzimeve.
Qeveria shqiptare ështëkritikuar gjatë viteve të fundit se i ka kushtuar më shumë para dhe energji një nisme të njohur si “Rilindja Urbane“, se sa i ka kushtuar rëndësi përfundimit të rrugëve, disa prej të cilave kanë pësuar rritje kostosh për shkak se investimet janë lënë në mes. Rilindja Urbane është financuar në masë të gjerë nga një instrument i debatuar, i njohur si Fondi i Zhvillimit të Rajoneve.
Në buxhetin e vitit 2017, Fondi i Zhvillimit të Rajoneve është përcaktuar të marrë 9.5 miliardë lekë, ndërsa në vitet 2018 dhe 2019 do të alokohen për këtë qëllim edhe 3.5 dhe 3 miliardë lekë të tjera respektivisht.
Rrugët pezull
Rruga Fushë-Krujë Milot filloi së ndërtuari në vitin 2008 me një kosto totale prej 4,6 miliardë lekësh. Deri në vitin 2015 u shpenzuan 2.5 miliardë, ndërsa në buxhetin e vitit 2017 parashikohet të shpenzohen 1.2 miliardë të tjera. Rruga parashikohet të përfundojë në vitin 2018. Në vitin 2016 për këtë rrugë janë alokuar vetëm 99 milionë lekë.
Rruga Plepa – Kavajë – Rrogozhinë nisi në vitin 2009 me një kosto totale prej 5.3 miliardë lekësh. Deri në vitin 2015 janë shpenzuar 4,5 miliardë, ndërsa rruga do të konsiderohet e përfunduar në vitin 2017. Fondet për vitin 2016 janë 266 milionë lekë ndërsa për vitin 2017 janë 269 milionë lekë.
Rruga Qafë-Thanë Lin Pogradec nisi në vitin 2013 me një kosto prej 2,5 miliardë lekësh. Projektbuxheti i vitit 2017 parashikon shpenzimin e 1.3 miliardë lekëve dhe rruga do të konsiderohet e përfunduar në vitin 2019. Buxheti i vitit 2016 për këtë rrugë qe 60 milionë lekë.
Unaza e Re e Tiranës është projekti më i kushtueshëm aktualisht në zbatim me kosto totale prej 13,6 miliardë lekësh. Punimet filluan në vitin 2010 dhe projekti pritet të përfundojë rreth vitit 2020. Deri në vitin 2015 qenë shpenzuar 4,6 miliardë lekë, ndërsa përfundimi i rrugës në vitin 2020 do të varet para së gjithash nga fakti nëse qeveria do të akordojë fondet e kërkuara në vitet 2018-2020. Për vitin 2016, fondet për këtë rrugë qenë 1.8 miliardë lekë.
Nga rrugët me financime të huaja, (kredi) dy projekte të rëndësishme, By Pass i Fierit dhe By Pass i Vlorës, të cilat sipas kontratave duhej të përfundonin në vitin 2017, tashmë pritet të përfundojnë në viten 2019. By Pass i Fierit kushton 7.1 miliardë lekë dhe punimet për të nisën në vitin 2014, por punimet janë bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve me kompaninë sipërmarrëse, ndërsa buxheti i vitit 2017 ka vënë në dispozicion të kësaj rruge vetëm 250 milionë lekë, një shifër krejt e papërfillshme për të vijuar punimet me ritëm.
Edhe By Pass i Vlorës ka të njëjtën histori. Me kosto totale prej 6.2 miliardë lekësh, deri tani janë kryer më pak se 20 për qind e të gjitha punimeve, ndërsa në vitin 2017 janë alokuar vetëm 900 milionë lekë.
Rruga Tiranë – Elbasan, e cila filloi të ndërtohet në vitin 2011, ka një kosto totale prej 32.9 miliardë lekësh ndërsa deri më sot janë përfunduar rreth 90 për qind të punimeve, por nevojiten edhe 3.9 miliardë lekë të tjera që projekti të përfundohet.
Rruga e vetme që qeveria duket se është angazhuar është segmenti Qukës – Qafë Plloçë, një rrugë më e shkurtër për lidhjen e Tiranës me Korçën. Me një kosto totale prej 21 miliardë lekësh, qeveria ka angazhuar 3,5 miliardë lekë për vitin 2016, një nga fondet më të mëdha në investime rrugore. Por për këtë rrugë nevojiten ende të shpenzohen 16.4 miliardë lekë në katër vitet e ardhëshme.
Qeveria ka programuar ndërkohë edhe 700 milionë lekë për Bypass Shkodër, një projekt me vlerë 1.9 miliardë lekë dhe që synon të krijojë paralelisht një rrugë për të anashkaluar trafikun në qendër të qytetit të Shkodrës dhe një barrierë mbrojtëse nga përmbytjet për qytetin. Projekti pritet të përfundojë në vitin 2018 ndërkohë që punimet kanë nisur në vitin 2011.
Rruga Kardhiq – Delvinë, e cila nisi në vitin 2007 me synimin për të krijuar një alternativë më të shkurtër drejt Sarandës në krahasim me rrugën aktuale që kalon nga Qafa e Muzinës, pritet të përfundojë në vitin 2018. Me një osto totale prej 1.7 miliardë lekësh, deri tani është kryer më pak se gjysma e investimit të kërkuar.
Tortura e banorëve të Ersekës me rrugën aktualisht në ndërtim prej pesë vitesh në segmentin Korçë – Ersekë, ka gjasa do të vijojë së paku deri në vitin 2019. Projektbuxheti i vitit 2017 ka alokuar një shumë minimale prej 40 milionë lekësh për këtë rrugë me kosto totale prej 2.3 miliardë lekësh ndërsa nevojiten edhe 710 milionë lekë të tjera përgjatë viteve 2018 dhe 2019 për t’u përfunduar. /BIRN/