Eugena Tomini, e cila së fundmi është emëruar zv.ministre e Shëndetësisë, tha se masat shtesë lidhur me pandeminë në vend, erdhën pas shtimit të rasteve me Covid-19, por edhe numrit të lartë të shtrimeve në spitale, dhe gjendjes së rëndë të pacientëve.
Sipas saj, situata po ndiqet në mënyrë dinamike, ndërsa paralajmëroi se pas dy javësh mund të ketë të tjera masa shtrënguese.
Tomini tha se gjatë javëve të fundit ka pasur një incidencë të rritur për shkak të mosrespektimit të masave nga qytetarët, por edhe mosangazhimit të strukturave shtetërore për respektimin e masave.
“Maska mbahen në mënyrë jo efektive, ka grumbullime në festa dhe në zonat turistike. Të gjitha këto, duke shtuar edhe mosrespektimin e masave nga bizneset, çuan në rritjen e rasteve”, tha Tomini.
Sipas saj, situata nuk është neglizhuar asnjëherë, dhe në momentin që pati një rritje të rasteve, u morën masat shtesë.
Lidhur me shërbimin e udhëtarëve, Tomini tha se duhen respektuar masat. “Kemi rekomanduar shmangien e orareve të fluksit, duhen zbatuar protokollet e sigurisë, qoftë në mbajtjen e maskës dhe në kapacitetet”, tha ajo.