Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehet i bindur se Tirana do i paraprijë fitores së opozitës së bashkuar në zgjedhjet e 25 prillit.
Në një intervistë për Syri Tv, Basha tha se se koalicioni është i bashkuar.
“Pa diskutim që qytetarët të Tiranës do ti japin vetes së tyre, qytetit të tyre, bashkisë së tyre dhe opozitës së bashkuar një fitore të thellë në Tiranë. Tirana do t’i prijë fitores së shqiptarëve”, shprehet Basha.
Pak ditë më parë zonja Kryemadhi, aleatja juaj ka deklaruar se në qoftë se ju nuk pranoni 5 prioritetet e LSI-së, nuk do të japi votën e LSI për qeverisjen e nesërme. Keni një koment për këtë deklaratë?
Lulzim Basha: Qëllimi që na bashkon të gjithëve është fare i qartë. Largimi i Ramës, fitorja e shqiptarëve, fitorja e Shqipërisë. Dhe në këtë kuadër i vetmi diversion është ky që bëhet sikur ka moskuptim apo keqkuptime mes aleatëve. Ne jemi të bashkuar për këtë qëllim. Programet tona do të japin efektin e dëshiruar që është përmirësimi i klimës së biznesit, hapja e vendeve të punës, ulja e kostos së jetës dhe këtu të gjithë jemi të bashkuar.
Keni deklaruar se do të kandidoni në Tiranë aty ku keni fituar bashkinë por ku është edhe mandati juaj i parë. Keni caktuar 8 koordinatorë politikë për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit. Përballë këtyre koordinatorëve janë zoti Veliaj, zonja Spiropali, zoti Bushati por edhe përfaqësues të tjerë të mazhorancës socialiste të cilët ju disa i keni kallëzuar në SPAK, por keni pasur dhe akuza për ta. Sa mandate synoni në Tiranë?
Lulzim Basha: Unë jam plot besim se qytetarët e Tiranës dinë ta bëjnë dallimin midis atyre që për 8 vite kanë vënë interesat dhe pasurinë e vetes tyre të parën, që janë pasuruar në kurriz të qytetarëve të Tiranës, që kanë shkatërruar qytetin, e kanë bërë të pajetueshëm nga rrugët tek rrugicat, nga parqet e zhdukura të zëvendësuara me beton, nga ulja e cilësisë së jetës dhe rritja e ndotjes së ambientit dhe nga shndërrimi i tyre brenda një kohe shumë të shkurtër në njerëz që kanë shumëfishuar pasurinë ndërkohë që shumica dërrmuese e qytetarëve të Tiranës kanë mbetur vendnumëro apo janë varfëruar në këto vite.
Pra qytetarët e Tiranës e kanë fare të qartë përballjen midis një grushti njerëzish që i kanë përdorur këto 8 vite në pushtet vetëm për veten e tyre, në kurriz të qytetarëve të Tiranës, në kurriz të familjeve të tyre, dhe ekipit tonë që mëshiron më së miri frymën Shqipëria Fiton, Tirana Fiton, qytetarët e Tiranës Fitojnë me programin tonë. Fitojnë ekonominë, fitojnë një çlirim dhe frymëmarrje që do të ndihet kudo, në jetën e tyre të përditshme, që nga momenti që dalin nga shtëpia deri tek gjërat më të thjeshta të jetës të cilave sot i janë shtuar brenga të mëdha për shkak të kapriçove dhe aferave të thella të korrupsionit që përfaqësojnë këta individë që sot me paturpësinë më të madhe shkojnë dhe u kërkojnë votën. Qytetarët e Tiranës do të dinë ti ndëshkojnë me votë, do të dinë që me votën e tyre në 25 Prill të bëjnë që ata dhe familjet ë tyre të fitojnë, Tirana të fitojë dhe Shqipëria të fitojë.
Një shifër keni sa dëshironi dhe sa synoni?
Lulzim Basha: Pa diskutim që qytetarët të Tiranës do ti japin vetes së tyre, qytetit të tyre, bashkisë së tyre dhe opozitës së bashkuar një fitore të thellë në Tiranë. Tirana do t’i prijë fitores së shqiptarëve.
Herë pas here ka pasur edhe deklarata nga ana e mazhorancës për përçarje të kampit opozitar. A ka një marrëveshje të firmosur me aleatët e tjerë të opozitës të bashkuar, duke parë se Partia Demokratike ka dorëzuar në KQZ materialet për tu regjistruar por edhe aleatët tuaj kanë ndërmarrë të njëjtin veprim. Keni një marrëveshje të firmosur përpara se të futeni edhe të shkoni në zgjedhjet e 25 Prillit?
Lulzim Basha: Pa pikë diskutimi. Dhe ju e dini që koalicioni ynë ka një marrëveshje të firmosur që në Prillin e vitit 2019. Por duhet të kuptoni që marrëveshja që na bashkon ne nuk është çështje numri deputetësh apo të tjera marrëveshje që kanë të bëjnë thjesht dhe vetëm me aspektet e vogla të lojës politike. Marrëveshja jonë është shumë më e madhe, është vendosmëria e koalicionit për të larguar Edi Ramën si parakusht që Shqipëria të ndryshojë, që Shqipëria të fitojë.