Nënkryetari i LSI Petrit Vasili ka denoncuar në një dalje për mediat qëndrimin dhe punën e dështuar të qeverisë në përballjen me pandeminë.
“Shqiptarët kanë nevojë që të rimbursohen 100% pasi financat e tyre nuk mbajnë më. 100 milionë euro kanë dalë nga xhepat e tyre.
Shqiptarët nuk janë oligarkë. Shqiptarët shikojnë që nga xhepat e tyre dalin 100 milionë euro ndërsa në xhepat e oligarkëve shkojnë rregullisht të gjitha lekët që ata duan me miliona, që nga koncesione rrugësh, në inceneratorët që ti djegin para pafund e të tjera koncesione dhe sigurisht nuk mund ta pranojnë zuzarllëkun e qeverisë, Bashkisë Tiranës etj që grijnë para dhe ndërkohë që për pandeminë harxhohet vetëm 0.1%, 99.9% e parave dalin nga xhepat e shqiptarëve”, tha Vasili.
Referuar masave të reja kufizuese, Vasili tha se është e qartë se këto masa që merren nga një Komitet Ekspertësh, i cili është shndërruar tërësisht në një komitet politik dhe jo më në një komitet teknik, të bazuar mbi shkencën, janë sigurisht masa që nuk kanë ndihmuar aspak deri më sot pandeminë, por përkundrazi kanë bërë që ajo të thellohet dhe të arrijë në këto shifra kritike dhe alarmante, të cilat ishin paralajmëruar në mënyrë sistematike për muaj e muaj me radhë nga opozita.
“Në momentin që u vendos detyrimi i maskave dhe vendosja e gjobave masive për to më 14 tetor, kryeministri Edi Rama falënderoi qytetarët dhe tha” ‘Rrofshi, rrofshi, rrofshi, se ju dua shumë për zbatimin shumë mirë të kësaj mase.’ Kur kjo masë u vendos kishte vetëm 203 raste të reja në ditë. Sot, kemi 1239 raste, një rritje mbi gjashtë herë dhe pyetja që bën çdo shqiptar është: Përse ndodhi kjo? Ndodhi sepse e kishim paralajmëruar qartësisht dhe në mënyrë profesionale që, pa u shoqëruar me testim, gjurmim, trajtim, dezinfektime të gjera, rimbursim të plotë të të gjithë të sëmurëve në banesë, aktivizimin e plotë dhe efektiv të kujdesit shëndetësor parësor dhe mjekut të familjes, si dhe pajisjen me mjete mbrojtëse të personelit, këto masa nuk do të kishin efekt.
Megjithatë qeveria zgjodhi të gënjejë ashtu sikurse ka bërë vazhdimisht. Jo më larg se dje gënjyen për të bindur që shëndeti parësor vepron, gënjyen edhe me shifrat. Praktikisht, u thanë qytetarëve që është rritur aksesi 14 për qind për vizitat në kujdesin shëndetësor parësor. Duke iu referuar po vetë shifrave të tyre, gënjejnë kaq pa cipë saqë vënë edhe tabela. Vizitat na 6 milion e 200 mijë kanë vajtur në 6 milion e 400 mijë dhe ju e shikoni më së miri që rritja është vetëm 2.9 për qind. Qytetarëve u thonë 14 për qind, sepse shkojnë me parimin propagandistik: Lërjani një shifër të madhe, një gënjeshtër të madhe, mbytini që ti hutojnë qytetarët me propagandë”, tha ai.