Ambasadori italian Fabricio Buçi deklaron në Euronews Albania se shumë shpejt do të ketë zhvillime të rëndësishme në vendin tonë në lidhje me hetimet për përgjimet e klanit mafioz “Ndragheta”, ku përmenden edhe zyrtarë dhe biznesmenë shqiptarë.
“Ka një bashkëpunim të ngushtë, dy prokuroritë janë duke komunikuar me njëra-tjetrën. Do të ketë zhvillime të rëndësishme së shpejti. Nuk mund të flas me detaje për arsye që ti i imagjinon, por po punohet, dy prokurorët po komunikojë”, shprehet ambasadori në një intervistë për ‘Ilva Now’, që do të transmetohet i plotë sot në orën 20:30, në Euronews Albania.
Ambasadori shpjegoi se nga ana e prokurorisë italiane janë nxjerrë vetëm disa përgjime, kjo në bazë të kodit të procedurës penale në Itali, teksa paralajmëroi gjithashtu se ka edhe përgjime të reja që ende nuk janë publikuar.
“Hetimi në Itali është në hapat e para, janë dhënë masat e para të sigurimit personal, janë publikuar disa përgjime, pasi në Itali kodi i procedurës penale thotë se kur prokuroria akuzon persona jep masa të sigurimit personal.
Duhet të zbulojë faktet në bazë të të cilave bëhen këto arrestime, pra janë bërë publike disa përgjime por jo të gjitha”, tha ambasadori italian teksa shtoi se fakti që edhe në Shqipëri do të ketë vazhdimësi të hetimeve nënkupton se do të publikim të përgjimeve të reja.
Publikimi pak ditë më parë në mediat italiane i përgjimeve të Antimafias për disa pjesëtare të grupit mafioz “Ndragheta”, ku përmenden edhe emra biznesmenësh apo politikanësh shqiptarë, ka shkaktuar reagime të përfaqësuesve të institucioneve dhe politikës në vendin tonë.
Kryedemokrati Lulzim Basha i bëri thirrje SPAK-ut që të hetojë bashkëpunimin e mafias me kryebashkiakun.
“Nuk ka asnjë arsye në botë pse SPAK-u të mos kërkojë me urgjencë, nga anti-mafia italiane, nga prokurorët anti-mafia, fashikujt e këtij hetimi dhe të nisë urgjentisht hetimet”, theksoi Basha në një postim në Facebook.
Ndërsa presidenti Ilir Meta u shpreh se problemi i pastrimit të parave është i njohur nga të gjithë dhe i konfirmuar nga shumë institucione ndërkombëtare.
“Problemi i pastrimit të parave është i njohur nga të gjithë dhe i konfirmuar nga shumë institucione ndërkombëtare të cilat bëjnë vlerësimin apo kategorizimin e vendeve në këtë drejtim dhe të gjitha çështjet që i referohen zhvillimit më të fundit në Itali për gjithçka që ka të bëjë me Shqipërinë duhet të ndiqet edhe nga institucionet tona”, shprehet kreu i shtetit.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga Euroneës Albania, përgjimet tregojnë se zyrtarë dhe kriminelë italianë komunikojnë mes tyre për investime në Shqipëri, kryesisht në fushën e shëndetësisë dhe ndërtimit.
Gjithashtu në biseda theksohet se sa lehtë mund të merren leje për ndërtimin e gradacielave në Tiranë, përmes njohjeve me biznesmenë pranë kreut të bashkisë së Tiranës, si dhe shpejt mund të përfitohen tenderë në sektorin e shëndetësisë.