Eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho ka reaguar pasi një ditë më parë në Shqipëri mbërritën 1170 vaksina të tjera nga një mik i vendit.
Dasho shkruan se ndërkohë që Shqipëria kënaqet me pak, Serbia ka arritur të vaksinojë 6.4% të popullsisë duke u bërë vendi i dytë në Europë pas Britanisë.
Izraeli nga ana tjetër ka arritur të vaksinojë 50% të popullsisë me të dyja dozat dhe 20% kanë marrë dozën e parë. Në Izrael është vënë re se pas vaksinimit të popullsisë është vënë re se shkalla e infektimit ka rënë ndjeshëm, duke treguar se vaksinat janë efektive.
Më tej Dasho thotë se qeveria është e papërgjegjshme duke sjellë vetëm një kuti me vaksina me të cilat po vaksinohen nga 15 veta në ditë.
Postimi i Erion Dasho:
“Ndërkohë që Shqipëria kënaqet me 2,000 doza vaksinash të ardhura nga “një mik që na do të mirën”‘, fqinji verior, Serbia ka vaksinuar 6.4% të popullsisë dhe ndodhet në vendin e dytë në Europë pas Britanisë së Madhe.
Përçapjet e qeverisë serbe për të blerë vaksinën kineze kanë nisur që në maj 2020!!! Së shpejti, Serbia nis prodhimin e vaksinës ruse në vend, një lëvizje me impakt të jashtëzakonshëm jo vetëm shëndetësor, por edhe gjeopolitik.
Ndërkohë lajme të mira vijnë nga Izraeli, vendi ku mbi 50% popullsisë ka marrë dozën e parë dhe 20% e popullsisë ka marrë edhe të dytën. Infektimet nuk janë berë zero, por shkalla e mbrojtjes së vaksinës duket edhe më e lartë se sa mendohej. Shumë pak të infektuar midis të vaksinuarve dhe të gjithë me forma më të lehta të sëmundjes.
Vaksina vepron dhe është efektive!
Ndërkohë shqiptarët e stërmunduar nga slmundja, të cilëve u ka rënë për pjesë një qeveri e papërgjegjshme, shikojnë teatër në ekran me stadiume ku vaksinohen 15 veta në ditë dhe çartera që sjellin një kuti të vetme me vaksina…
Turp!!!”, shkruan Dasho.














