Një tjetër vrasje ka ndodhur ditën e sotme në jug të vendit. Në mesditë është vrarë një person në fshatin Vranisht të Vlorës.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur rreth orës 12:34 minuta të mesditës. I vrarë ka mbetur i riu Fabjon Veizaj, 23 vjeç.
Mësohet se policia ka identifikuar autorin e këtij krimit, i cili është 23-vjeçari tjetër Mario Ribaj.
Deklarata e policisë për vrasjen në Vlorë:
Rreth orës 12:34, në fshatin Vranisht në Vlorës ka ndodhur një vrasje me armë zjarri.
Policia e Vlorës ka shkuar në vendngjarje dhe nga veprimet e para hetimore ka konstatuar se në fshatin Vranisht, ka mbetur i vrarë me armë zjarri “Automatik” shtetasi F.V., rreth 23 vjeç, me banim në këtë fshat, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme në vend për shkak të plagëve të rënda.
Policia ka identifikuar autorin e dyshuar të krimit, shtetasin Marjo Ribaj, rreth 23 vjeç, banues në fshatin Vranisht.
Akti i krimit ka ndodhur pranë banesës së viktimës, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje duke kryer veprimet e mëtejshme për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Policia ka ngritur grupe të posaçme kontrolli në kërkim të autorit të krimit në rrugët dalëse të këtij fshati në drejtim të fshatrave të tjerë. Po punohet për kapjen e tij.














