Deputetja e Gjermanisë në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon e cila raporton për Kosovën në këtë institucion evropian thotë se pavarësisht se kush do t’i fitojë zgjedhjet e 14 shkurtit, Kosovës i duhet një qeveri e qëndrueshme që do ta vazhdojë dialogun me Serbinë. Sipas Von Cramon qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta ketë të qartë se çfarë kompromisi dëshiron të bëjë në dialogun me Serbinë pasi nuk do të ketë marrëveshje pa kompromis.
Eurodeputetja Viola Von Cramon shpreson që presidenca portugeze e Këshillit të BE-së të shtyjë përpara liberalizimin e vizave megjithëse kjo do të varet nga shtetet anëtare të këshillit.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian në një intervistë për Gazetën Express është shprehur se institucionet e Kosovës duhet t’ia dëshmojnë shteteve skeptike të BE’së që ato nuk duhet të brengosen për t’iu ofruar qytetarëve të Kosovës udhëtim pa viza.
A mendoni se Portugalia do të shtyjë përpara çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe a mendoni se regjimi i vizave për kosovarët do të ndodhë këtë vit?
Viola Von Cramon: “Shpresoj që presidenca portugeze do ta adresojë çështjen e liberalizimit të vizave. Fatkeqësisht, presidenca gjermane nuk pati një vendim përfundimtar, por mund t’ju siguroj që gjërat kanë lëvizur përpara. Është fatkeqësi e madhe që ende nuk ka vendim përfundimtar dhe e tëra varet nga Këshilli, por të shpresojmë që këtë vit gjërat të mund të lëvizin përpara.”
Njohësit e politikave evropiane në Kosovë thonë se për shkak të mungesës së luftës kundër korrupsionit nga ana e institucioneve të Kosovës, procesi i liberalizimit të vizave mund të shtyhet për në vitin 2022, a mendoni se një gjë e tillë është e mundur?
Viola Von Cramon: “Autoritetet e Kosovës duhet ta shfaqin përkushtimin e vet në luftën kundër korrupsionit, sepse disa shqetësime të ngritura nga disa shtete anëtare janë shqetësime legjitime dhe njerëzit në Kosovë e dinë këtë shumë mirë. Pra, nëse autoritetet mund të dëshmojnë se me të vërtetë po përpiqen t’i luftojnë këto probleme, shtyrja e mëtutjeshme mund të shmanget. Por kjo nuk është vetëm rrugë njëdrejtimëshe, ku Këshilli vendos diçka dhe, në të njëjtën kohë, Qeveria e Kosovës do të ankohet për atë, nëse asaj nuk i pëlqen rezultati. Qeveria duhet të përpiqet që ta përdorë fuqinë e vet diplomatike për të dëshmuar para shteteve tjera anëtare se ato nuk duhet të brengosen për t’iu ofruar udhëtim pa viza qytetarëve të Kosovës.”
Si e shihni këtë vit në raport me Kosovën, veçanërisht dialogun Kosovë-Serbi dhe a mendoni se një marrëveshje finale mund të arrihet këtë vit nëse administrata e Joe Biden përfshihet në proces?
Viola Von Cramon: “Varet shumë nga ana e Kosovës. Zgjedhjet po vijnë dhe koha do të tregojë se kush dhe si mund ta formojë qeverinë, por të shpresojmë që kjo nuk do të zgjasë shumë pas zgjedhjeve. Për ta mbajtur vazhdimësinë e dialogut, Kosova ka nevojë për një qeveri stabile. Asaj (qeverisë) i nevojitet një mandat i fortë dhe kushdo që është në qeveri e kushdo që është në opozitë, ekipi i bisedimeve duhet të këshillohet me të gjithë aktorët politikë. Ekipi i bisedimeve duhet t’i përdorë burimet e veta dhe duhet të mbështetet në atë që tashmë është arritur. Ata duhet të jenë të qartë për atë që duan, si e duan dhe çfarë kompromisi dëshirojnë të bëjnë, sepse nuk do të ketë marrëveshje pa kompromis. Jam optimist për administratën e Bidenit, ajo sigurisht që mund të sjellë ndryshim pozitiv, ku Departamenti i Shtetit në të vërtetë po përpiqet të arrijë një pozicion të përbashkët trans-atlantik. Sidoqoftë, do të ishte naive të mendohet se dialogu Serbi – Kosovë do të jetë prioriteti më i madh i administratës së re, sidomos në muajt e parë. Pyetja më e rëndësishme është nëse Kosova dhe Serbia janë të përkushtuara për të pasur një marrëveshje, Uashingtoni vetëm mund të ndihmojë që të prodhohet një marrëveshje dhe më vonë ta ruajë atë.”