Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 20 nëntor 2020 të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, Albano Çepele, për probleme në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit.
Në vendimin e arsyetuar të KPK thuhet se gjyqtari Çepele ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë, është i papërshtatshëm për aspektin profesional, si dhe ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia me gjykimin e dobët dhe zvarritjen e proceseve.
Komisioni ka rrëzuar raportin negativ të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar DSIK, por jep në vendim dy qëndrime të ndryshme lidhur me pastërtinë e figurës, ku në analizë të këtij kriteri konkludon se Çepele ka arritur nivel të besueshëm, kurse në konkluzionin përfundimtar shprehet se ka kryer deklarim të pamjaftueshëm.
Albano Çepele ka marrë titullin Jurist nga Universiteti i Tiranës në datën qershor të vitit 1997 dhe në janar të 98-ës është emëruar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë, detyrë të cilën e ka kryer deri në tetor vitit 2003, kur është transferuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Në prill të vitit 2014, Çepele u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pas një inspektimi që zbuloi shkelje të ligjit dhe 34 çështje gjyqësore të zvarritura. Ai u rikthye në detyrë në vitin 2016, pasi një vendim i Gjykatës së Lartë e konsideroi të paligjshëm shkarkimin e tij.
Në vendimin e arsyetuar të KPK evidentohet se Albano Çepele vuan prej vitesh nga një sëmundje e rëndë. Trupi gjykues i kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Etleda Çiftjan, shprehet se pavarësisht konsiderimit të faktit se ai vuan nga një sëmundje, rezulton se ka cilësi të papranueshme në punë.
Albano Çepele shfaqte vështirësi në ecje gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 18 nëntor dhe bëri me dije se vuante nga skleroza multiple.
Trupi gjykues i KPK vëren se Çepele nuk ka qenë krejtësisht bashkëpunues në procesin e rivlerësimit të kryer ndaj tij, pasi nuk është përgjigjur në kohë gjatë gjithë procedurës së hetimit administrativ dhe nuk ka qenë i plotë në shpjegimet dhe provat e paraqitura.
Deklarim i pamjaftueshëm për pasurinë
Sipas Komisionit, Çepele nuk ka pasqyruar në deklaratën veting burimin e apartamentin që ka blerë në vitin 2006 Tiranë kundrejt shumës 30 mijë euro; si dhe një apartament tjetër në Fier, të përfituar nga familja nëpërmjet privatizimit.
Ndryshe nga mospasqyrimi i burimit të apartamentit në deklaratën veting, në vitin 2005, Çepele ka deklaruar marrjen e një huaje në shumën 30 mijë euro nga motra e tij, si dhe kontratën e huamarrjes, duke shpjeguar se do ta përdorte për blerjen e një shtëpie.
KPK nuk e ka përfshirë në analizën financiare huanë e marrë nga motra, pasi nuk është provuar mjaftueshmëria e burimeve financiare të ligjshëme të huadhënësve. Si pasojë, Çepele ka rezultuar me pamundësi financiare për blerjen e apartamentit në vitin 2006 në shumën 3 milionë e 354 mijë lekë.
Në vendim thuhet se subjektit i është kaluar barra e provës për disa gjetje lidhur me apartamentin në Tiranë – për deklarime kontradiktore në lidhje me çmimin e ulët; për mospasqyrim në deklaratën veting të huasë në shumën 30 mijë euro dhe mungesën e burimeve të huadhënësve; për mosdhënien e shpjegimeve në lidhje me vlerën e mobilimit dhe për mungesë të të ardhurave të mjaftueshme të ligjshme për blerjen e kësaj pasurie.
“Pas kalimit të barrës së provës, subjekti nuk ka dhënë asnjë shpjegim apo të ketë depozituar dokumentacion për të provuar të kundërtën e rezultatit të hetimit”, citohet në vendim.
Gjithashtu shtohet se në seancën dëgjimore, përfaqësuesi ligjor i Çepeles e ka konsideruar këtë apartament si një investim të motrës së subjektit, por pa dhënë asnjë detaj mbi burimin e të ardhurave të saj.
Pas kalimit të barrës së provës për mosdeklarimin e apartamentit në Fier, të privatizuar në vitin 1993 nga familja Çepele, përfaqësuesi i subjektit shpjegoi në seancë se në këtë banesë, kanë jetuar prindërit e gjyqtarit, ai vetë dhe motrat deri në vitin 1996, kur babai e kishte shitur shtëpinë nën presionin e dhunës. Ai shtoi se nuk ka se si të deklarohet një pasuri, e cila nuk provohet me dokumentacion.
Trupi gjykues shprehet se, në rast se subjekti do të kishte dorëzuar një kontratë shitblerje nuk mund të ngarkohej me përgjegjësi, por çmon se gjyqtari Çepele duhej që në deklaratën veting të kishte shënuar faktin se ka pasur në pronësi një apartament në qytetin e Fierit, të cilin e ka shitur dhe se nuk disponon dokumentacion.
Komisioni vlerëson se Çepele ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm edhe për shpenzimet për trajtimin mjekësor të nënës kundrejt vlerës 9 mijë e 930 euro, shumë për të cilën subjekti ka deklaruar se është mbuluar nga motra.
Në përfundim, Komisioni vlerëson se gjyqtari Albano Çepele nuk ka në pronësi ose në përdorim pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikojë ligjërisht, por thekson se nuk ka deklaruar saktësisht dhe plotësisht në deklaratën veting pasuritë e tij dhe personave të lidhur me të dhe se gjendet në pozitën e deklarimit të pamjaftueshëm për dy apartamentet.
Aftësi të papranueshme në punë
Komisioni identifikon mangësi të shumta në kriterin e profesionalizimit për gjyqtarin Çepele. Në vendim thuhet se subjekti nuk pasqyron aftësi në drejtim të interpretimit dhe zbatimit të ligjit, si atij material ashtu edhe atij procedural civil.
Sipas KPK, në asnjë prej vendimeve të analizuara subjekti nuk ka përdorur parimet e përgjithshme të teorisë së të drejtës, nuk ka aftësi për të analizuar jurisprudencën, si dhe nuk i referohet vendimeve unifikuese të Gjykatës së Lartë apo vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. “Në 4 raste subjekti ka cenuar parimin e gjësë së gjykuar”, citohet në vendim.
KPK evidenton se në shumicën e rasteve, vendimet gjyqësore përfundimtare janë të paarsyetuara. Mangësi janë gjetur edhe në aspektin organizativ. Për periudhën 2006 – 2014 të verifikuar nga Komisioni, ka rezultuar se janë zbardhur vendime në tejkalim të afateve të parashikuara nga Kodi i Procedurës Civile.
“Në vitet 2012 dhe 2013 numri i vendimeve të zbardhura në tejkalim të afatave është gati sa gjysma e vendimeve të shqyrtuara nga subjekti”, citohet në vendim.
Komisioni evidenton se në lidhje me këto vonesa është kryer hetim i plotë duke u marrë në konsideratë edhe lejet vjetore të subjektit apo mungesat për shkak sëmundjeje. “[…]por ato nuk justifikojnë zbardhjen me vonesë të vendimeve nga subjekti pasi edhe nëse këto ditë hiqen nga afati i zbardhjes ato thjesht e ulin atë, por tejkalimi qëndron”, konstaton KPK.
Në vendim thuhet se mosrespektimi i afateve ka cënuar të drejtat kushtetuese të subjekteve për një gjykim brenda një afati të arsyeshëm dhe një procesi të rregullt.
Komisioni konstaton se subjekti ka mangësi për të kryer procedurat gjyqësore, pasi nga 44 seanca gjyqësore të vëzhguara, vetëm 15 seanca kanë qenë produktive.
“Nga subjekti, në disa raste, janë shkelur normat procedurale në lidhje me njoftimin e palëve në gjykim, vazhdimin e gjykimit në mungesë të palëve, verifikimin e identitetit të palëve, në një rast subjekti pavarësisht se padia nuk plotësonte elementët e kërkuar nga Kodi i Procedurës Civile nuk e ka kthyer atë, por ka vijuar gjykimin”, konstaton trupi gjykues.
Ndërkohë, evidentohet se pavarësisht shkeljeve të shumta profesionale, nuk ngrihen dyshime në lidhje me imunitetin e tij ndaj çdo ndikimi apo presioni të jashtëm.
Pas kalimit të barrës së provës për gjetjet e kriterit të profesionalizmit, subjekti nuk ka depozituar sqarime ose prova. Avokati i tij tha në seancë dëgjimore se gjyqtari Albano Çepele ka aftësi shëndetësore të kufizuara dhe gjithë sistemi mbështetës për sa i takon strukturave të gjykatave, lëvizjeve e transportit dhe e gjithë infrastruktura në Republikën e Shqipërisë nuk është e përshtatur për personat që kanë aftësi të kufizuara në lëvizje.
“Subjekti lëviz me zor, ka dokumentacion shëndetësor që e provon këtë dhe, në këto kushte, ka realizuar detyrën brenda mundësive që ka pasur si subjekt me aftësi të kufizuara për shkaqe shëndetësore”, deklaroi përfaqësuesi i Çepeles në seancë.
Në përfundim Komisioni konstaton gabime thelbësore dhe serioze, si dhe ekzistencën e një serie të qartë dhe të vazhdueshme të gjykimeve të gabuara, që tregojnë mungesë të aftësive profesionale të Çepeles.
“Ai ka treguar cilësi të papranueshme në punë, gjykim të dobët, vonesa dhe zvarritje të gjykimeve, që çojnë në cenim të të drejtave të palëve, si dhe nuk është efektiv”, shprehet trupi gjykues dhe vlerëson se këto të meta cënojnë besimin e publikut te një gjyqtar.
Konkluzionet për pastërtinë e figurës
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, ka ngritur dyshime për përfshirje të gjyqtarit Albano Çepele në veprime korruptive në gjykimin e disa çështjeve, duke konstatuar papërshtatshmërinë e tij për të vazhduar detyrën.
Duke ju referuar raportit të DSIK-së, Komisioni vëren se nga studimi i materialeve të dosjeve të administruara konstatohen shkelje të shumta profesionale, por që nuk provojnë dyshimet për korrupsion.
Në analizën e këtij kriteri Komisioni konstaton se subjekti nuk ka deklaruar një procedimin penal të nisur ndaj tij për “shpërdorim detyre” dhe për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”. Sipas KPK, subjekti ka pasur detyrimin për deklarimin e kontakteve të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar dhe se veprat penale për të cilat është nisur procedimi nuk përfshihen në atë kategori. bazuar në këtë arsyetim, Komisioni konkludon se subjekti ka qenë i saktë në plotësimin e deklaratës për kontrollin e figurës.
Gjithashtu, trupi gjykues vlerëson se nuk është provuar në ndonjë formë që subjekti i rivlerësimit ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar apo të jetë vetë i përfshirë në veprime korruptive dhe konkludon se gjyqtari Albano Çepele ka arritur një nivel të besueshëm në kontrollin e figurës.
Ndërkohë, në konkluzionin përfundimtar në përmbyllje të vendimit, Komisioni shprehet se “subjekti ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kontrollin e figurës dhe pasurisë[…]”. /BIRN/