Këtë të hënë ka humbur betejën me Covid-19 sipërmarrësja e njohur në qytetin e Durrësit, Shpresa Prodani.
Njoftimin e hidhur për humbjen e sipërmarrëses e ka bërë të ditur përmes një postimi prekës në rrjete sociale vajza e madhe e saj, Evis Prodani.
“Mamase, shoqes, dhe keshillueses me te mire qe mund te kishim kerkuar. E dime qe ti je me babin dhe do vazhdosh te na shohesh. Te duash shume!! RIP”,- shkruan Evisi në postimin e saj.
17 vite më parë, po më 4 janar 2004, do të ndahej në mënyrë të parakohshme nga jeta bashkëshorti i saj, Shpëtimi, një figurë mjaft e njohur dhe respektuar në Durrës.
Po kush ishte Shpresa Prodani?
Biznesmenia e njohur Shpresa Prodani e mori drejtimin e kompanisë “DyrrahSped” në vitin 2004, fill pas vdekjes së të shoqit.
E lindur në Tiranë më 12 shkurt 1952, studentja e talentuar e Inxhinierisë do të zhvendosej në Durrës pas martesës me Shpëtim Prodanin dhe për shumë vite do të angazhohej në arsimin profesional në Durrës, duke përgatitur breza të tërë gjimnazistësh.
Kur i shoqi u nda papritmas nga jeta në vitin 2004, asaj iu desh të merrte përsipër biznesin që kishte themeluar dhe drejtonte ai, kompaninë e transportit “DyrrahSped” duke arritur të bëhet një nga biznesmenet më të suksesshme në Shqipëri.
E themeluar në vitin 1993, “Dyrrahsped” do të bëhej vetëm 5 vite më vonë një nga dy kompanitë kryesore të logjistikës dhe transportit në Durrës, duke ofruar edhe shërbime të kualifikuara të transportit ajror, përveç atij rrugor dhe detar.
Krahas angazhimit në kompaninë “DyrrahSped”, Shpresa Prodani do të ishte një nga anëtaret më aktive të Rotary Club Durrës, ndërsa në vitet 2016-2017 ishte presidente e kësaj organizate.
Shpresa Prodani ishte edhe aksionere në kompaninë e njohur të sigurimeve SIGMA.
Nga viti 2005, Shpresa Prodani u bë anëtare e Universal Freight Organization me qendër në Londër. Është fituese e çmimit për kualifikim e menaxhim në Gjenevë të Zvicrës dhe përfaqësuese e Shqipërisë në forumin e parë të Detit të Zi për transportin dhe logjistikën mbajtur në Stamboll në dhjetorin e vitit 2011 nga UNDP-ja.
Për të gjithë këtë angazhim aktiv në fushën e biznesit, Shpresa Prodanit Bashkia e Durrësit dhe Shoqata Durrësi, i akordoi titullin e lartë “Nderi i qytetit”, në vitin 2013.