Një raport i fundit i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC), që analizon me detaje krimin e organizuar në Ballkanin Perëndimor, ka theksuar se Shqipëria është vendi kryesor në Europë i origjinës së kanabisit për 2014-2018, ndërkohë që grupet kriminale shqiptare tashmë janë përhapur në gjithë Europën, kryesisht në trafikimin e kokainës nga shtetet e Amerikës së Jugut.
Raporti thekson se dënimet më të shumta janë në kultivimin e narkotikëve, më pak në pastrim parash, ndërsa konstaton se nuk ka shumë dënime për grupet e organizuara kriminale. Sipas raportit, bazuar në intervista, trafiku i drogës dhe prodhimi duket se shpesh janë të lidhura me krimin e organizuar, megjithatë pjesëmarrja në krimin e organizuar ka nivele shumë të ulëta dënimi në Shqipëri.
“Kjo tregon nevojë për të shqyrtuar më me hollësi se në cilën fazë rastet po dështojnë si dhe të vazhdohet me analizimin e arsyeve për këto dështime”, thuhet në raport.
Sipas raportit, krimi i organizuar ndikohet dhe nga niveli i lartë i korrupsionit, ndërsa shprehet skeptik për ecurinë e procesit të vetting-ut. Ryshfeti, korrupsioni dhe pengimi i drejtësisë janë disa nga mjetet që lehtësojnë krimin e organizuar.
“Korrupsioni është një problem serioz në Shqipëri, veçanërisht brenda policisë dhe agjencive të zbatimit të ligjit. Qeveria prezantoi reformat në drejtësi dhe ndryshimet në ligjet për personelin e policisë dhe vetting-un. Sidoqoftë, pavarësisht arrestimeve dhe ndjekjeve ekzistuese të zyrtarëve publikë për marrje ryshfeti, nuk kishte asnjë dënim gjatë periudhës së vëzhguar”, thuhet në raport.
Raporti thekson se deri më tani, shumica e veprimtarive kriminale të regjistruara të përfshira në këtë analizë në Shqipëri kanë të bëjnë me (i) prodhimin vendas të kanabisit, kryesisht bar kanabisi (marijuanë) si dhe (ii) trafikun e drogës. Në këtë rast, Shqipëria vepron kryesisht si një vend tranzit, veçanërisht për trafikimin e heroinës përgjatë rrugës Ballkanike, d.m.th., përmes Turqisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriout në Itali dhe tregjeve të tjera në Europën Perëndimore dhe Qendrore dhe për trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut, veçanërisht nga Kolumbia, në Europën Perëndimore dhe Qendrore. Ndërsa përfshirja e grupeve shqiptare në aktivitete të tilla trafikimi duket se ka rënë në vitet e fundit, prodhimi i kanabisit dhe trafikimi i lidhur me të i produkteve të kanabisit në vendet e tjera janë rritur – megjithëse këto aktivitete janë luhatur dukshëm në vite.
Kanabisi, si u përhap kultivimi në gjithë vendin, pas Lazaratit
Kanabisi është droga më e prodhuar dhe e kapur gjerësisht në të gjithë botën.
Megjithëse kanabisi prodhohet në pothuajse të gjitha vendet në të gjithë botën, Shqipëria është veçuar vazhdimisht si një vend jashtëzakonisht i rëndësishëm për burimin e barit të kanabisit që gjendet në Europë.
Gjatë periudhës 2014-2018, Shqipëria u përmend nga shtetet e tjera europiane si “vendi kryesor i origjinës” të kanabisit që gjendet në tregjet e tyre, e ndjekur nga afër nga Holanda. Në Europën Perëndimore dhe Qendrore, 24% e të gjitha përmendjeve të vendeve kryesore të origjinës së barit të kanabisit kishin të bënin me Shqipërinë ndërsa në Euopën Juglindore kjo përqindje u rrit në 61% gjatë periudhës 2014-2018.
Kanabisi shqiptar luan një rol të madh në disa vende të rajonit, veçanërisht në Malin e Zi (origjina e raportuar e afro 100% të të gjithë barit të kanabisit të kapur atje në 2017), Kroacia (origjina e 90% e të gjithë barit të kanabisit të kapur në 2018) , Maqedonia e Veriut (70% e të gjithë barit të kanabisit të kapur në 2018), Bosnjë dhe Hercegovinë (70% në 2017), Greqi (61% në 2018), Hungari (50% në 2017), Austri (50%) në 2017), Itali (16% në 2018), Zvicër (15% në 2018) dhe Rumani (13% në 2017). Edhe Suedia raportoi në mënyrë të përsëritur bar kanabisi që gjendej në territorin e saj kryesisht me origjinë nga Holanda dhe Shqipëria.
Raporti thotë se pas operacionit të suksesshëm në Lazarat në vitin 2014 u konstatua një rritje e çmimeve të kanabisit, (nga €200-300 për kg në 2014 në €1,300 – €2.000 për kg në 2015). Më pas u vu re një kultivim masiv në gjithë vendin, veçanërisht në 2016. Si rrjedhojë, një vit më pas, në 2017 u konstatua dhe kulmi i kapjes së ngarkesave të kanabisit (Për vitin 2017, Shqipëria kapi sasinë e tretë më të madhe të barit të kanabisit në Europë me 19% të totalit europian). Në të kundërt, konfiskimet e barit shqiptar ranë në 20 tonë në 2018 (megjithëse Shqipëria u rendit e shtata për konfiskimet atë vit). Raporti e lidh këtë rënie dhe me uljen e çmimeve të barit të kanabisit që ranë në €100-400 për kg në 2016 dhe €150- 250 kg në 2017. Pas rënies së prodhimit, çmimet filluan të rriteshin sërish në 2018. (€200-700 për kg).
Ulet rëndësia e Shqipërisë si vend trafikimi për heroinën, rritet për kokainën
Raporti thekson se Shqipëria ka qenë një vend i rëndësishëm tranzit përgjatë rrugës më të ngarkuar në botë të trafikut të heroinës, rruga Ballkanike, e cila ka origjinën në Afganistan dhe ka Europën Perëndimore si destinacionin e saj përfundimtar. Por, sipas raportimeve, roli i vendit si transit i heroinës ka rënë dhe Shqipëria përmendet gjithnjë e më pak nga shtete si Italia dhe Franca, ndërsa raportohet ende nga Zvicra.
Por, raporti thekson se në të kundërt, rëndësia e Shqipërisë si një vend tranzit për kokainën e Amerikës Latine në Europën Perëndimore duket se është në rritje.
Grupet kriminale shqiptare fitojnë terren në gjithë Europën
Raporti thekson se grupet kriminale të shtetasve shqiptarë kanë fituar rëndësi në trafikun ndërkombëtar të kokainës në një numër vendesh të tjera europiane vitet e fundit, duke përfshirë Italinë, Gjermaninë, Greqinë, Zvicrën, Belgjikën dhe Austrinë. (për sa i përket numrit të përgjithshëm të arrestuar në 2018). Numri i përgjithshëm i personave që kishin shtetësinë shqiptare të arrestuar për trafik kokaine në Europën Kontinentale jashtë Shqipërisë u rrit – siç u raportua nga vendet anëtare në UNDOC në pyetësorin e raportit vjetor – nga 115 në 1998 në 1,935 në 2018. Në shumë raste, dërgesat e organizuara të kokainës nga grupet shqiptare të krimit të organizuar tani anashkalojnë plotësisht territorin e Shqipërisë.
Aktivitetet e grupeve shqiptare të krimit të organizuar nuk janë të kufizuara në Europën kontinentale. Grupet shqiptare të krimit të vendosura në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, kanë vendosur kontroll dhe ndikim në të gjithë vendin në tregun e trafikut të drogës atje, veçanërisht atë i kokainës. Këta kriminelë të organizuar gjithnjë e më shumë po krijojnë marrëdhënie me furnizuesit e kokainës në Amerikën Latine, duke ushtruar më shumë kontroll mbi tregjet, thuhet në raport.
Pak dënime dhe për pastrim parash
Në vitin 2020, Task Forca e Veprimit Financiar për Parandalimin e Pastrimit të Parave (FATF) përfshiu Shqipërinë në listën e saj gri. Lista gri e FATF përfshin regjimet me kornizën më të keqe ligjore dhe agjencitë për të luftuar pastrimin e parave, financimin e terrorizmit. Që atëherë, Shqipëria ka bërë një angazhim të lartë politik për të punuar me FATF dhe MONEYVAL për të forcuar efektivitetin e regjimit të saj kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, thuhet në raport.
Ndjekjet penale për pastrim parash në Shqipëri janë luhatur, nga 49 në 2013 në 112 në 2015 para se të bien në 62 në 2017. Dënimet për pastrim parash mbeten në nivele shumë të ulta, madje ranë nga 27 në 2017 në 14 në 2018. Përpjekjet joefikase kundër pastrimit të parave në të kaluarën mund të jenë një nga shpjegimet e mundshme të niveleve të ulëta të dënimit.
Këshilli i Europës deklaroi se niveli i provave të kërkuara për të vërtetuar krimin nuk është gjithmonë i qartë për praktikuesit në Shqipëri dhe procedurat e pastrimit të parave kryesisht pezullohen ose pushohen nga prokuroria.
/Monitor.al/