Nga Boldnews.al
Pandeli Carapuli, administror i kompanisë “EUROCOL” në vitin 2014 fitoi tenderin për ndërtimin e Parkut Olimpik të Tiranës. I njohur si një nga miqtë e ngushtë të kryeministrit, Carapuli arriti të përfitoj rreth 6 milion dollarë nga fondet publike për këtë projekt i cili ende nuk ka mbaruar.
Sipas kontratës që ka me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, kompania “EUROCOL” ka nisur punimet më 22 dhjetor të vitit 2014 dhe duhet të përfundojnë pas 24 muajsh, pra më 22 dhjetor 2016.
Por teksa na ndajnë rreth 45 ditë për inagurimin e kësaj godine të re, kompania e Carapulit ende nuk ka përfunduar punimet dhe me shumë gjasa do të shtyhen edhe për pak kohë. Boldnews.al fotografoi punimet e Parkut Olimpik të Tiranës ku shiheshin ende skelat e jashtme të objektit. Përveç kësaj, e gjithë zona përreth objektit kryesor nuk ishte rikonstruktuar duke nisur që nga rrugët e brendshme si dhe zonat e gjelbërta.
Kur shikon se punimet e jashtme janë ende të papërfunduara, ato brenda Parkut Olimpik të Tiranës duket se do të jenë gati vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të 2017. Projekti i cili ishte fituar me ofertën më të lartë nga Carapuli, parashikon:
– Një pistë atletike me parametra olimpike;
– Një fushë futbolli me parametra të UEFA-s, si fushë stërvitore për ekipet kombëtare të të gjitha moshave;
– Sallën e lojërave me dorë në një mini-pallat sporti për stërvitje të ekipeve kombëtare të volejbollit dhe basketbollit, si dhe për ndeshje e aktivitete kombëtare në këto sporte e sporte të tjera;
– Godinën e sporteve ujore, që përfshin një pishinë dhe një trampolinë të standardeve olimpike;
– Qendrën e grumbullimit të sportistëve me parametra bashkëkohore e me të gjitha funksionet e shërbimet e nevojshme;
– Godinën e të gjithë administratës të sportit shqiptar, si Federatat e Sporteve të ndryshme, Komitetin Olimpik Shqiptar, Agjencia e Shërbimit të Sporteve dhe Mjekësia Sportive;
– Palestrën e peshëngritjes dhe atë të mundjes.
Gjasat janë që Carapuli, miku i kryeministrit, do të përshpejtojë ndërtimin e këtyre ambienteve për t’i servirur gjatë fushatës elektorale të vitit të ardhshëm duke mos respektuar përfundimin e punimeve më 22 dhjetor 2016.
Në Shqipëri është bërë si procedurë e rëndomtë vonesa e punimeve publike, pasi kompanitë që marrin tendera disa miliardëshe ose kanë miq në qeveri ose korruptojnë kompanitë e supervizimit.
Ku është Carapuli?
Pandeli Carapuli rezulton të jetë një nga ndërtuesit më të favorizuar nga qeveria. Brenda një periudhe të shkurtër kohore, Carapuli ka fituar plot 17.8 milionë dollarë fonde nga Rama. Të gjitha fondet janë dhënë me tendera ku Carapuli ka pasur edhe ofertën më të lartë, mbi 99%.
I tillë është edhe rasti i ndërtimit të Parkut Olimpik të Tiranës, ku “EUROCOL” arriti të fitonte me ofertën më të lartë nga 8 kompanitë e tjera garuese, me rreth 99.2 %. Kompanitë e tjera që kishin shpresuar se do të ishin pjesë e garës në tender janë skualifikuar të gjitha pa i dhënë asnjë shpjegim.
Fituesi në të gjitha rastet ka qenë i paracaktuar dhe ai ka qenë miku i Ramës, Carapuli dhe kompania e tij “EUROCOL”.