Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi pamundësi për pagesën e dy kësteve për blerjen e një apartamenti dhe për krijimin e gjendjes cash, që u kundërshtuan nga Ngresi.
Gjyqtari i Apelit të Vlorës, Sokol Ngresi u përball të mërkurën në seancë dëgjimore me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, për të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin.
Procesi i vetingut për gjyqtarin Ngresi po kryhet nga trupa gjyqësore e përbërë nga Genta Tafa Bungo kryesuese, Suela Zhegu relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar, ishte i pranishëm Steven Kessler.
Në relacionin e lexuar gjatë seancës dëgjimore, relatorja Suela Zhegu konstatoi probleme me pasurinë e subjektit që lidheshin me pamundësi financiare për dy këste kredie për financimin e një apartamenti në qytetin bregdetar të Vlorës.
Ngresi ka kundërshtuar disa gjetje të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK në lidhje me pastërtinë e figurës. Gjyqtari ka marrë vlerësime pozitive për sa i përket profesionalizmit, por është përballur më pyetje nga anëtaret KPK-së për denoncimet e ardhura nga publiku.
Sokol Ngresi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në fillim të viteve 2000 dhe e ushtron funksionin si gjyqtar i Gjykatës së Apelit Vlorë prej vitit 2005. Në vitin 2014, ai u dekretua nga presidenti Bujar Nishani si anëtar i Gjykatës së Lartë, por ky vendim nuk mori pëlqimin e mazhorancës në Kuvend.
Aktualisht, Ngresi është kandidat për Gjykatën e Lartë në procesin që po zhvillohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Mungesat financiare
Komisioni ka gjetur mungesa financiare për pagesën e dy kësteve për një apartament 144.6 m2 të blerë nga gjyqtari Ngresi në Vlorë, kundrejt vlerës 65 mijë e 160 euro.
Si burim për krijimin e kësaj pasurie, Ngresi ka deklaruar dy kredi, një në vlerën 30 mijë euro të marrë në vitin 2012 dhe një në shumën 16 mijë euro në 2007-ën, si edhe kursime ndër vite nga pagat e tij dhe të bashkëshortes.
Nga verifikimi i mandateve të pagesave, KPK ka gjetur se vlera totale e paguar ishte 70 mijë e 320 euro dhe jo çmimi i pasqyruar në kontratën e shitjes.
Relatorja Zhegu pohoi se subjekti kishte sqaruar se për këtë apartament kishte paguar çmimin e pasqyruar në kontratë.
Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtari Ngresi deklaroi se një muaj më parë ai kishte paguar këstin për prenotimin e apartamentit të tij dhe se nuk kishte logjikë që të paguhej dy herë kësti i prenotimit. Ai shpjegoi se nëna ishte e moshuar dhe kur ishte kryer pagesa për prenotimin e apartamentit nga ana e saj, e kishte shoqëruar së bashku me bashkëshorten dhe si pasojë punonjësi i shoqërisë ndërtuese kishte kryer një lapsus duke e shënuar pagesën në emrin e tij. “Ritheksoj se ai mandat pagese nuk i përket apartamentit tim”, pohoi Ngresi.
Zhegu tha në seancë, se shoqëria ndërtuese kishte konfirmuar se Ngresi e kishte blerë apartamentin për çmimin e pasqyruar në kontratë dhe se dokumentacioni i administruar përputhet me deklarimet e subjektit.
Nga analiza financiare ka rezultuar se gjyqtari Ngresi dhe bashkëshortja e tij kanë qenë në pamundësi financiare në vlerën 190 mijë lekë për të paguar një këst në vitin 2014 dhe me balancë negative në shumën 423 mijë lekë për shlyerjen e një kësti tjetër.
Ngresi shpjegoi në seancë, se pasi ishte transferuar nga Gjykata e Lartë për në Gjykatën e apelit Vlorë, kishte pasur nevojë të siguronte strehimin dhe në vitin 2007 kishte tentuar të blinte një apartament duke marrë edhe një kredi në vlerën 16 mijë euro.
Ai tha se kishte pasur kontradikta me firmën ndërtuese ku kishte prenotuar apartamentin në vitin 2007 dhe është rënë dakort të anullohet porosia duke i kthyer edhe vlerën e kredisë 16 mijë euro që kishte paguar.
Gjyqtari Ngresi tha se vlera 16 mijë euro e kthyer nga shoqëria ndërtuese nuk është prekur deri në vitin 2012 kur është porositur apartamenti që zotëron aktualisht. “Me vlerën e kredisë dhe kursimet e krijuara gjatë këtyre viteve kishim mundësi për pagesën e kësteve”, pohoi Ngresi.
Ai kërkoi edhe rishikimin e shpenzimeve jetike. Sipas Ngresit, vetëm nga përllogaritja e shpenzimeve të jetesës sipas INSTAT për vitin 2014, balanca do të rezultonte pozitive, pasi diferenca ishte më e madhe se pamundësia e konstatuar në shumën 190 mijë lekë.
Gjithashtu, Ngresi pretendoi se nëse shpenzimet jetike do të bazoheshin në të dhënat e INSTAT edhe për vitin 2015, atëherë balanca negative do të mbetej vetëm në shumën 690 lekë.
Zhegu tha se Ngresi ka përfituar nëpërmjet dhurimit në janar të vitit 2019, një apartament nga nëna e tij, e cila e ka blerë në vitin 2015 kundrejt vlerës 49 mijë euro. Subjekti ka shpjeguar se kalimi në pronësi është kryer pasi nëna ka ndërruar jetë.
Komisioni ka kryer analizën financiare për mundësinë e prindërve për kursimin e vlerës që ka shërbyer për blerjen e apartamentit në vitin 2015. Nga analiza e shtrirë në periudhën 1995-2015, është konstatuar mungesë burimesh në vlerën 1.1 milionë lekë.
Ngresi pretendoi në seancën dëgjimore se prindërit e tij kanë pasur të ardhura të mjaftueshme për blerjen e apartamentit në vitin 2015. Ai tha se të dy prindërit kishin qenë intelektualë dhe kishin siguruar edhe të ardhura të tjera veç pensionit.
Ngresi deklaroi se i ati njihte disa gjuhë të huaja dhe kishte punuar si përkthyes me shoqëri tregëtare në vendet ku ato ushtronin aktivitetin e tyre. Ai tha se kishte dorëzuar si provë pasaportën e babait për periudhën 1995-2000, nga ku rezultonte se kishte kryer 30 udhëtime jashtë shtetit, si dhe dokumente të tjera që vërtetonin se i ati kishte punuar si përkthyes gjatë periudhës që kishte qenë në pension.
Gjyqtari Ngresi vijoi se nëna e tij kishte qenë mësuese dhe pas daljes në pension kishte punuar disa vite në shkolla private. Ai pretendoi se kishte dorëzuar dokumente që vërtetonin pagesat e nënës së tij.
Në seancë u konstatua balancë negative në vlerën 530 mijë lekë për gjendjen cash në vitin 2016. Lidhur me mungesën e burimeve cash, Ngresi shpjegoi se kishte deklaruar edhe një vlerë që i ishte vjedhur në banesë.
Ai tha se një person i njohur kishte vjedhur në banesën e tij shumat 300 mijë lekë dhe 1000 euro. Subjekti shpjegoi se kishte kryer kallëzim penal dhe personi në fjalë ishte dënuar.
“Në vitin 2016 e kam përfshirë edhe këtë vlerë me idenë se do të më ktheheshin. Ishim të njohur dhe kam bërë gjithmonë tratativa tek të afërmit e personit të dënuar që të më kthehej shuma që më ishte vjedhur”, shpjegoi ndër të tjera Ngresi dhe këmbënguli se nëse përfshihej kjo vlerë, edhe për vitin 2016, balanca do të rezultonte pozitive.
Komisioni nuk ka gjetur probleme në blerjen dy automjeteve ndër vite, ku çmimi i shitjes së njërës kishte shërbyer si burim për blerjen e automjetit që zotëron aktualisht. Gjithashtu, nuk janë gjetur probleme edhe për likujditetet në bankë, dy llogari kursimi në emër të fëmijëve dhe një fond investimi në shumën 270 mijë lekë.
Pastërtia e figurës
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka raportuar në Komision informacione për tre çështje. Nga verifikimi i kryer KPK ka rezultuar se në njërën prej këtyre çështjeve subjekti nuk ka qenë anëtar i trupit gjykues. Për një tjetër ku DSIK ka ngritur dyshime se subjekti dhe dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues kishin lehtësuar masën e sigurisë për një të proceduar, ka rezultuar se Ngresi është shprehur në pakicë kundër ndryshimit të masës së sigurisë duke qenë i mendimit që të lihej në fuqi “arresti në burg” ndaj të proceduarit.
Në seancë u evidentua edhe një vendim i Gjykatës së Apelit Vlorë, ku Ngresi kishte qenë kryesues, çështje për të cilën ishte ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë lidhur me juridiksionin. Një kompani që tregtonte ushqime për bagëtitë ishte penalizuar nga Dogana e Vlorës, me pretendimin se sasia e elbit të importuar nuk përkonte me deklarimin doganor. Shoqëria kishte bërë padi për shfuqizimin e masës së marrë nga dogana për sekuestrimin e sasisë së elbit. Ndërkohë, dogana ka ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë për mungesë të juridiksionit për shqyrtimin e kësaj çështje.
Gjykata e Lartë ka vendosur prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe kalimin e çështjes për gjykim në Gjykatën Administrative të Apelit. Gjithashtu, DSIK ka informuar se vendimi i Apelit Vlorë është bazuar mbi aktin e ekspertimit të kryer nga një person që nuk ishte i licensuar si ekspert.
Ngresi sqaroi në seancë se gjykata e Shkallës së Parë e kishte rrëzuar kërkesën e bërë nga një prej palëve ndërgjyqëse për mungesë juridiksioni. Sipas tij, ky vendim i ndërmjetëm i shkallës së parë, është rrëzuar nga Gjykata e Lartë për mungesë arsyetimi dhe është vendosur që çështja të gjykohej nga një tjetër gjyqtar, po i gjykatës civile.
Lidhur me pretendimin e DSIK për ekspertin, Ngresi shpjegoi se në shkallën e parë nuk ishte ngritur asnjë pretendim nga palët për aktin e ekspertimit. Ai shtoi se për këtë çështje kishte pasur hetim edhe nga ana e prokurorisë dhe eksperti rezultonte të ishte licencuar që prej vitit 1998.
Ngresi tha se vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë ishte i gabuar, pasi binte në kundërshtim me dy vendime po të asaj gjykate për këtë çështje dhe se kishte prishur vetëm vendimin e Apelit të Vlorës dhe jo të shkallës së parë, duke e transferuar në Apelin Administrativ, prej gjykatës civile. “Në fakt, edhe gjykata administrative ka marrë të njëjtin vendim si ne”, pohoi Ngresi.
Profesionalizmi
Nga shqyrtimi i çështjeve të gjykuara nga Ngresi, Komisioni konstaton se ai shfaq aftësi shumë të mira në interpretimin dhe arsyetimin ligjor dhe se vendimet janë të qarta e të kuptueshme. Gjithashtu, nga dosjet e përzgjedhura me short ka rezultuar se është efiçent duke respektuar afatet. Zhegu tha se ndaj tij nuk ka pasur asnjë kërkesë për procedim disiplinor.
Relatorja pohoi se në 26 denoncimet e kryera nga publiku, nuk janë gjetur prova dhe fakte që mund të cënojnë kriterin e profesionalizmit dhe figurës.
Gjyqtari Ngresi u pyet lidhur me një prej denoncimeve, ku pretendohej se në një ankim të kryer gjatë një procesi që ai kishte shqyrtuar, ishte falsifikuar firma e palës së paditur. Ngresi shpjegoi se pala e paditur kishte deklaruar se do të përfaqësohej nga avokati i tij, edhe në mungesë. Por, pas depozitimit të një ankimi nga avokati, ishte konstatuar se nënshkrimi i palës së paditur nuk ishte autentik.
Anëtari i trupit gjykues të KPK, Lulzim Hamitaj evidentoi se falsifikimi i një dokumenti përbën fakt penal.
Ngresi e pranoi se falsifikimi është fakt penal, por u shpreh se në këtë rast nuk është detyrim i gjykatës që të kryejë kallëzim penal. Ai shpjegoi se nuk bëhej fjalë për nënshkrimin e një prokurore të posaçme, por për nënshkrimin e një ankimi. Sipas Ngresit, një i afërm i palës së paditur i kishte dhënë avokatit ankimin e firmosur dhe ky i fundit e kishte dorëzuar në gjykatë. Subjekti i rivlerësimit shtoi se pala e paditur ishte pyetur lidhur me ankimin dhe kishte shprehur dakordësinë.
Sipas Ngresit, nënshkrimi i ankimit nga një tjetër person në vendin e palës së paditur nuk kishte sjellë ndonjë pasojë.
Në përfundim të seancës dëgjimore, gjyqtari Sokol Ngresi u shpreh se kishte punuar me ndershmëri, etikë dhe profesionalizëm dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.
KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 11 dhjetor, ora 09:45. /BIRN/