Jonida Vokshi ka zbuluar disa detaje mjaft interesante rreth mëmësisë dhe zgjerimit të familjes. E ftuar në “Ftesë në 5”, aktorja tha se Emi i ngjan më shumë partnerit të saj, Besnik Krapit, dhe këtë gjë e ka pasur të vështirë ta pranojë deri vonë.
E pyetur se çfarë dëshiron që e vogla e saj të bëhet në të ardhmen, ajo tregoi se e frenon veten që ta orientojë Emin, sepse dëshiron që vajza e saj të zgjedhë vetë fushën ku është e aftë.
“Sa i ngjan Besnikut. E kam pasur shumë të vështirë ta pranoj. Por tani jam pajtuar me këtë fakt. Do doja shumë të më ngjante, por në fund të ditës ka totalisht hijen e Besnikut.
Por kanë disa tipare që s’mund ta përcaktojmë ende se kujt i ngjan, por jam shumë e lumtur që Emi i ngjan Besnikut se ai është zgjedhja ime.
E kam menduar gjithmonë se si do jetë një vajzë apo djalë, por e frenoj veten sepse dua që ajo të zgjedhë një fushë ku është e aftë.
Nuk dua të jem nga këto mamatë që të them se dua të bëhet doktoreshë, por nuk do të ishte keq duke parë edhe situatën që është tani”,- u shpreh Jonida Vokshi duke vlerësuar edhe një herë punën e madhe që po bëjnë mjekët në këtë pandemi.
Ndër të tjera, ajo tregoi se në një moment pas lindjes së Emit, ka qarë dhe është mbyllur në tualet për një orë. Dhe e gjitha kjo, sepse e vogla qante kur aktorja e merrte në krahë dhe pushonte kur e merrte i ati.
“Në fillim kur Emi erdhi në jetë kishte një lloj qetësie kur Besniku e merrte në krahë dhe pushonte, ndërsa kur e merrja unë qante. Thonë që kur mamatë janë lehona kanë ndjeshmëri më të lartë.
Në një situatë më ndodhi që Emi nisi të qajë dhe sapo e mori Besniku në krahë pushoi. Mamaja ime pa të keq tha që: ‘ja pushoi në krahët e babait’.
Kam shkuar në banjo dhe kam qarë një orë rresht. Por kjo gjë nuk ndodh më. Emi me të dy ka momentet e veta, nuk ka më pikë xhelozie”,- tregoi ajo.
Sa i përket planeve për zgjerimin e familjes, Jonida Vokshi ka zbuluar ndër të tjera se nuk do dëshironte që Emi të ishte vajzë e vetme. Përkundrazi, dy motra ose një vëlla do të ishin ideale për vogëlushen.