Mjeku Alban Ylli tha në Euronews Albania, se aktualisht në Shqipëri ka një transmetim intensiv komunitar të virusit COVID-19, teksa theksoi se më me risk janë qytete të mëdha si Tirana. Por, ai shtoi se virusi po qarkullon dendur gjithandej, sidomos në qendrat urbane.
Sipas tij, me masat e marra, në 2 javët në vijim mund të shohim një frenim të kurbës.
“Në Shqipëri sikur kemi një farë frenimi javën e fundit, ndoshta në javët që vijnë mund të kemi një frenim të kurbës, por aktualisht jemi në një qarkullim shumë intensiv të virusit”, tha mjeku.
Për mjekun Ylli, futja e testeve të shpejta edhe në Shqipëri do të ndihmojë shumë në ndjekjen e virusit, gjurmimin dhe marrjen e masave të duhura, ku sipas tij me një kosto shumë të ulët sociale mund të kontrollojmë virusin.
I pyetur lidhur me mundësinë e një mbylljeje tjetër të vendit në kushtet kur jemi në kulmin e valës së dytë të pandemisë, mjeku nuk e përjashtoi këtë, nëse siç tha, njerëzit nuk do të vetëdijësohen për rrezikshmërinë e këtij virusi, sidomos për të rinjtë që janë më neglizhentë.
“Ekspertët e shëndetit mendohen shumë gjatë kur flitet për masat kufizuese pasi ato kanë ndikim në jetën sociale dhe ekonomike të njerëzve. Sipas meje, masat e deritanishme mund të jenë të mjaftueshme deri tani, por mos të harrojmë se në 8 muaj vëzhgim kemi kuptuar se ajo është një sëmundje që varet nga intensiteti i komunikimit njerëzor. Nëse njerëzit mbajnë distancë, s’do të kishte nevojë për asnjë masë, ndaj duhet ta pranojmë se masat mund të ndodhin nëse njerëzit nuk tregohen të kujdesshëm.
Në pranverë, kur rreziku ishte më i vogël ishim shumë më vigjilentë, kishim më shumë frikë, sot njerëzit janë mësuar me sëmundjen, vdekjen dhe i neglizhojmë masat, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm”, tha ai.
Sipas mjekut, në kaq muaj që e njohim virusin gjëja më e sigurt është fakti se ai vijon të jetë njësoj i fuqishëm, dhe po aq vdekjeprurës, madje në Shqipëri momentalisht është më shumë vdekjeprurës se më parë.
Sa i përket vaksinës dhe shpresë që ajo mund të sjellë për largimin e virusit, mjeku Alban Ylli tha se nuk duhet të presim ndonjë mrekulli nga vaksina, pasi që të shohim rezultatet e para duhet të kalojnë disa faza dhe duhet vaksinuar një pjesë e mirë e popullatës.
“Vaksina duhet të vijë në Shqipëri për një pjesë të madhe të popullsisë, duhen bërë të dyja dozat dhe vetëm atëherë mund të shohim një prirje të qartë për virusin. Duhen rreth një muaj për efektin tek individi dhe duhet marrë nga një pjesë e madhe e popullatës. Në Tiranë duhet të jetë 20-30 për qind e popullatës e imunizuar, po duhet rreth 60 për qind për të ashtuquajturin imuniteti i tufës”, tha mjeku.