Nga Boldnews.al
Teksa në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik shihen me dhjetra tendera të OSHEE që kapin shifra prej miliarda lekësh, përsëri kjo nuk mjafton për të siguruar energji elektrike të pandërprerë.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), ka shkaktuar një valë zemërimi pasditen e së martës tek qytetarët e Tiranës të cilët për orë të tëra kanë mbetur pa energji elektrike. Pa asnjë paralajmërim apo njoftim, mbi 500 mijë qytetar janë gjendur sot në errësirë totale për shkak të papërgjegjshmërisë së OSHEE.
E gjendur nën presion nga qytetarët që nisën të ankoheshin masivisht, OSHEE reagoi më në fund pas disa orësh duke thënë se Nënstacioni i Selitës ka pësuar avari për shkak të mbingarkesës, si pasojë e daljes jashtë funksioni të Nënstacionit Qendër i cili këto ditë po zhvendoset.
Por OSHEE premtoi pak ditë më përpara se punimet për zhvendosjen e Nënstacionit Qendër nuk do shkaktonin ndërprerje të energjisë elektrike.
“OSHEE informon abonentët se punimet do të zgjasin 30 ditë dhe janë marrë masat që gjatë kësaj periudhe të sigurohet furnizimi i pandërprerë me energji i gjithë klientëve të saj nëpërmjet rrjetit shpërndarës.” – thuhej në njoftimin zyrtar.
Por sikur të mos mjaftonte ky premtim i pambajtur, OSHEE me në krye Administratorin Ardian Çela duhet të mbajë përgjegjësi edhe për fondet publike të shpenzuara për investimet në sektorin energjitik.
Difekti i sotëm në Nënstacionin e Selitës nuk duhej të ndodhte, pasi vetëm pak muaj më parë (në mars) OSHEE deklaronte se kishte nisur të investonte rreth 2.5 miliard lekë tek kjo zonë. “Katër fidra që lidhen me Nënstacionin e Selitës, kanë pësuar avari për shkak të mbingarkesës, si pasojë e daljes jashtë funksioni të Nënstacionit Qendër, i cili këto ditë po zhvendoset. “– thuhej më tej në njoftim.
Dyshime të forta ngrihen nëse këto para janë përdorur vërtetë për investime në Nënstacionin e Selitës apo i janë dhënë paratë ndonjë oligarku që shërben për interesa të qeverisë.
Boldnews.al raportoi në një shkrim të mëparshëm se për 40 ditë OSHEE kishte shpenzuar mbi 6.2 miliardë lek për investime në energjitik. Por pavarësisht kësaj, ky institucion jo vetëm që nuk po garanton furnizimin me energji elektrike në mënyrë të pandërprerë, por nga ana tjetër nuk mban asnjë përgjegjësi për fondet publike të shpenzuara në mënyrë të babzitur.
Një lumë akuzash dhe të sharash kanë mbërritur në redaksinë e Boldnews.al ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për errësirën që u ofroi qytetarëve pasditen e së martës.
Mes të pakënaqurve ndaj kësaj padrejtësie, ishte edhe deputeti socialist Erion Braçe. Ky i fundit u shpreh se OSHEE i kishte ndërprerë 3 herë energjinë elektrike dhe për pasojë nuk kishte arritur të bënte një shkrim denigrues ndaj presidentit të FSHF, Armando Dukës.