Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka pranuar shpërdorimin e 1.7 miliard lekëve në koncesionin e kontrollit shëndetësor të popullatës ose sicc njihet ndryshe “Check Up”-i.
Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, Beqaj tentoi të shpjegonte arsyet e ndryshimit të moshës së përfituesve nga 40 në 65 vjeç që ishte më parë në 35 vjeç deri në 70 vjeç.
Beqaj tha se fillimisht ishte parashikuar që në vitin e parë të paraqiteshin për të bërë këtë kontroll 550 mijë persona, por vetëm 37% e tyre e realizuan atë. Rreth 110 mijë persona është diferenca, por paratë iu paguan që në fillim kompanisë “Marketing & Distribution”, në pronësi të biznesmenes Vilma Nushi për të 550 mijë kontrollet.
Kryetarja e komisionit të shëndetësisë Albana Vokshi këmbënguli te kontrata me koncesionarin dhe korrupsionin që sipas saj e ka karakterizuar këtë kontratë. Vokshi tha se koncesionarit i janë dhënë 1.7 mld lekë, duke parashikuar kontrolle edhe për këta 110 mijë persona, por që nuk janë bërë asnjëherë.
Sipas Vokshit, me zgjerimin e moshës së përfituesve Vilma Nushi do të marrë më shumë para pasi më shumë njerëz nuk do të shkojnë për ta bërë këtë kontroll.
Debatet në Komisionin e Shëndetësisë
Vokshi: U dhanë para për 110 mijë kontrolle më shumë. Që ta dëgjojnë të gjithë se çfarë korrupsioni golapant keni bërë. Keni dhënë 1.7 mld lekë më shumë koncesionarit pa bërë asgjë. dhe tani i shtoni edhe më shumë.
Beqaj: Ne kemi programuar në buxhet për 550 mijë vetë. Aq ka qenë parashikuar. Ky zgjerim i ri nuk implikon asgjë as në buxhetin e miratuar për këtë vit. As për buxhetin e tre viteve.
Vokshi: Shpresoj që edhe deputetët ta kenë kuptuar se çfarë keni bërë. I keni dhënë koncesionarit para për 110 mijë check-up, pa bërë asnjë kontroll të ndonjë qytetari. Sa investime në qendra shëndetësore do ishin bërë me ato 1.7 mld lekë. Keni thirrur mjekët që ju mendoni se kanë performancë të ulët me check-up në qendra shëndetësore të vendit. Si mund të investohet personalisht një ministër në këtë gjë. Nëse nuk jeni të implikuar në këtë koncesion, ju nuk duhet të ndërhyni, apo të bëni këtë gjë. Duhet të ndryshoni veprim, se po zhyteni plotësisht në korrupsion.
Beqaj: Nga këto kontrolle janë dhjetëra jetë njerëzish të shpëtuara nga këto kontrolle. Janë diagnostikuar në kohë sëmundje të zemrës, kancerit të zorrës së trashë, diabetit, etj.
Ndërsa më pas mbledhja ka degjeneruar në debatet dhe përplasje mes deputeteve Albana Vokshi dhe Klodiana Spahiu nga PS.
Vokshi: Klodi, ke 3 vjet që bën zhurmë.
Spahiu: Na lër të flasim dhe ne, se vetëm ti flet. Shko dërgoji në organet e duhura akuzat e tua.
Vokshi: E kam bërë. Edhe në prokurori i kam denoncuar.
Spahiu: Ke të drejtat e tua si kryetare, por nuk mund të flasësh vetëm ti.
Vokshi: Aman, Klodi, pusho. Z. ministër, ju lutem ma shpjegoni!
Beqaj: Pyetjeve provokuese për korrupsionin refuzoj t’i përgjigjem!
Spahiu: Ke kaq kohë që flet, na çmende.
Vokshi: Je bërë palë me këtë korrupsion.
Spahiu: Po si mund të flasësh vetëm ti, kur më ke këtu afër.
Vokshi: Po largohu.
Spahiu: Të lutem mos fol 3 minuta.
Vokshi: Debate ka pasur edhe me deputeten Arbiola Halimi.
Spahiu: I shkatërrove njerëzit mi që kanë nevojë.
Vokshi: Mirë të lutem mos qaj aman.
Spahiu: Si mundesh ti të mos merresh me qytetarin që ka nevojë.
Vokshi: Lëri këto vajtime me lot krokodili, bëj pyetjet.
Spahiu: Ti kë vajtuar kot gjithë këto vite, bën sikur të interesojnë shqetësimet e tyre.