Sinoptikani Hakil Osmani ka zbuluar se gjatë fundjavës, i gjithë territori i vendit do të përballet me një dimër të vogël për shkak të uljes së temperaturave, reshjeve të shiut dhe të dëborës.
Në një intervistë për “Me Xhaxhiun”, Osmani u shpreh se mund të ketë temperatura deri në -3 gradë Celsius, ndërsa reshjet e shiut dhe të dëborës do të përfshijnë kryesisht verilindjen e Shqipërisë.
“Duke filluar ditën e shtunë, pritet që të ketë prezencë të vranësirave në territorin shqiptar, që do të sjellin reshje të pakta dëbore, sidomos në zonat verilindore të territorit shqiptar. Do të ketë edhe prezencë të shiut në zonat juglindore të vendit, ndërsa qendra dhe ultësira perëndimore do të jenë me mot të thatë.
Ka pasur një rënie të vlerave termike duke nisur nga e marta, ndërsa nga dita e nesërme, pritet që në Tiranë të shkojnë 4-5 gradë celsius vlerat minimale. Gjatë kësaj fundjave pritet që në territorin shqiptar të shkojnë edhe në -3 gradë celsius ndërsa vlerat maksimale deri në 17 gradë. Pra do të kemi një dimër të vogël në këtë fundjavë”, tha Osmani.
Por këto temperatura do të mbeten vetëm në fundjavë pasi gjatë javës së fundit të nëntorit, vlerat minimale do të jenë pozitive dhe mund të cilësohen vlera edhe më të larta se zakonisht për stinën e dimrit.