Teksa në kryeqytet u zhvillua një protestë paqësore kundër importimit të mbetjeve, mediat pranë pushtetit nuk i dhanë asnjë hapësirë në edicionet e tyre informative.
Top Channel e nisi edicionin me përleshjen e tifozëve në Elbasan Arena duke i kushtuar një seri kronikash. Natyrisht që lajmi për ndeshjen mes Partizanit dhe Skërndërbeut ka rëndësinë e saj, por sërish mbetet një lajm sportiv.
Më pas, kronikat në Top Channel vijuan me prezantimin e një flote ushtarake e cila do të angazhohej me forcat e NATO-s e deri tek një intervistë e një baroni droge. Por në të gjithë edicionin e Top Channel as që nuk u përfshi protesta qytetare ku merrnin pjesë me mijëra persona.
Ndërkohë edhe Vizion Plus, një tjetër televizion pranë qeverisë nuk e transmetoi protestën-koncert kundër importit të mbetjeve, që po mbahej përpara piramidës.
Listës së televizioneve censuruese iu shtua edhe Klan TV, edhe pse në pamje të parë duket sikur mban një qëndrim opozitar.
Këto janë mediat që po mohojnë popullin e tyre, po censurojnë fjalën e lirë, po censurojnë të vërtetën. Kjo është ajo që kërkon qeveria e sotme, të mbyllim sytë përpara çdo shkeljeje.
Nga Boldnews.al