Dështon takimi mes Kryeministrit Edi Rama dhe një përfaqësie të naftëtarëve. Pika që ndan palët janë pagat e prapambetura.
Mësohet se gjatë takimit, Rama u ka ofruar naftëtarëve pagesat vetëm për 1 pagë, ndonëse ato kanë fituar gjyqet për pagat e prapambetura, në varësi të viteve të punës.
Takimi është zhvilluar në godinën e Bashkisë së Fierit, ndërsa Kryeministri shkoi të takonte naftëtarët, pasi më parë u njoftua ndërprerja e grevës së urisë nga 10 gra naftëtare.
Pas takimit naftëtarët janë shprehur se Kryeministri u ka premtuar vënien në punë të rafinerisë, por duket se nuk u ka njohur pagat, edhe pse më parë ai kishte deklaruar se ishte në negociata që punëtorët të paguheshin për muajt e prapambetur.
Pritet që nesër 900 naftëtarë të Ballshit të marrin një vendim lidhur me vijimin e grevës apo do të zgjedhin një tjetër formë proteste.
“Vendimin për kthimin në punë e marrin 900 naftëtarët.
Kërkesa e parë që është diskutuar është për pagat e prapambetura. Asnjëra nga palët nuk ra dakord për pagat sepse ne nuk negociojmë për këtë. Është hedhur në tavolinë ideja për të hapur rafinerinë dhe është një vendim që do të merret nga naftëtarët ditën e nesërme. Gjithcka do ia lëmë kohës dhe e marrin kolegët.
Gjithçka do të diskutohet me kolegët nëse bien dakord apo jo. Ne jemi përfaqësues, por vendimin e marrim të gjithë bashkë. Kemi pikën e panegociueshme, kërkojmë të marrim pagat tona. Shteti nuk merr përsipër dhënien e pagave por vënien në punë të investitorit serioz.
Nuk thashë që dolëm nga takimi të lumtur me xhepa plot dhe do të ktheheshim në familje, por them që do të flasim nesër me naftëtarët. Po themi shumë qartë, pagat nuk u morën përsipër nga asnjëra palë”, tha kreu i sindikatës së punonjësve të rafinerisë në Ballsh.
Ndërkohë që dështimin me negociatat e ka pranuar edhe Rama.
“Kemi ardhur me idenë për sqarimin e pagave por natyrisht duke pasur parasysh se janë gjithë ato familje që kalojnë një moment aspak të lehtë. Faktikisht kemi ndarë kohën në sensin se çfarë janë cështje që lidhen me marrëdhënie private, janë çështje që nuk i takojnë qeverisë, por çështja e këtyre njerëzve sot është një çështje që na takon ne, që ta adresojmë së bashku me ta, me mirëkuptimin e tyre, pasi rruga e thjeshtë ligjore do të ishte që të drejtoheshin në zyrat e punës për të marrë asistencën.
Bëhet fjalë për një grup njerëzish që kanë një eksperiencë dhe një formim profesional. Faktikisht rafineria është e fikur por nuk flasim për pagën. Nuk merremi me paga të prapambetura, nuk është çështja jonë, por çështje që ka të bëjë me marrëdhënien e tyre me kompaninë. Qeveria në një sistem si ky që kemi zgjedhur para 30 vjetësh nuk merr përsipër të zgjidhë çështjet e kompanisë. Bëhet fjalë për një kompani që nuk mund të ishte ndryshe për kohën kriminale që u krye nga qeveria e mëparshme.
Nuk mund ta di se kur nis për aq kohë sa nuk kemi një investitor që është gati për të rinisur në këtë moment në këtë sektor. Natyrisht që tregova se kemi bërë përpjekje, por jemi në një pozicion specifik se ne bëjmë ndërmjetësin duke kontaktuar jashtë vendit që nga Presidentë, si ai i Azerbajxhanit por jo vetëm ai për ti kërkuar mbështetje të kompanive të tyre, por në këto kushte sot, në këtë kohë janë të painteresuara. Nëse ka një kompani që është gati të hyjë në këtë punë duhet të merret vesh në bankat.
Është e drejta e tyre por në kushte grevash nuk negocioj. Ne marrim përsipër të paguajmë që ata të rrinë në shtëpi në kuptimin që të bëjnë dhe punë të tjera. Por nuk janë një grup i zakonshëm punëtorësh dhe ne nuk duam ti humbasim. Ne do vendosim në dispozicion një mbështetje financiare të arsyeshme. Biseda sot ishte për të marrë vesh për parimin”, tha Kryeministri pas takimit.