Ligji i vetting-ut ka mbërritur në Komisionin e Venecias. Gjykata Kushtetuese nuk e vonoi procesin e përkthimit dhe ia arriti të realizojë dërgimin në Venecia të ligjit të përkthyer brenda tre ditëve nga marrja e vendimit për pezullimin e tij, duke përmbushur edhe pritshmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për ta referuar çështjen pa vonesë në KV.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja konfirmoi për Top Channel se materiali është dërguar të premten pasdite bashkë me pyetjet përkatëse, të cilat reflektojnë dilemat e gjyqtarëve që morën vendimin e pezullimit.
Pyetjet kanë të bëjnë me përmbushjen nga ligji i vetting-ut të standardeve të Konventës europiane për të drejtat e njeriut. Veçanërisht në dy nene të tij, ato që përcaktojnë të drejtën për një proces të drejtë gjyqësor dhe atë për të respektuar jetën private dhe familjare.
Ligji i vetting-ut detyron kontrollin e telefonit, mesazheve dhe çdo komunikimi tjetër të personave që do të punojnë në organet e reja të vetting-ut dhe të disa organeve të tjera të drejtësisë, kryesisht atyre të SPAK-ut.
Hera e fundit që Gjykata Kushtetuese iu drejtua Komisionit të Venecias ishte marrja e opinionit për ligjin e pronave në fund të qershorit. Kthimi i përgjigjes zgjati pothuajse 4 muaj, por besohet se me ligjin e vetting-ut koha mund të shkurtohet ndjeshëm.
Të paktën dy burime konfirmuan për Top Channel se Komisioni i Venecias nuk do të vonojë përgjigjen dhe do ta trajtojë me prioritet çështjen e mbërritur nga Shqipëria, duke qenë se ky është një ligj që ka pezulluar të gjithë zbatimin e reformës në drejtësi.