Amerikanët i drejtohen kutive të votimit të martën për të zgjedhur presidentin e SHBA-së. Ndiqni nëpërmjet blogut të përditësuar të Reporter.al lajmet e fundit për garën elektorale midis Donald Trump dhe Joe Biden.
Kandidatët për Presidentë, Joe Biden dhe Donald Trump shpërndanë mesazhe të ndryshme përmes llogarive të tyre në Twitter këtë mëngjes. Biden theksoi se do të punonte njësoj si për mbështetësit, ashtu edhe për ata që nuk e mbështesin, ndërsa presidenti Trump falenderoi bazën e mbështetësve të tij.
VOTE! VOTE! VOTE!pic.twitter.com/85ySh1KYkh
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) November 3, 2020
Vote for America.https://t.co/eoxT07uII9 pic.twitter.com/sBd51fgmln
— Joe Biden (@JoeBiden) October 14, 2020
Sipas US Election Project, gati 100 milionë amerikane shfrytëzuan votimin e hershëm deri më 3 Nëntor, fizikisht ose përmes postës. Zgjedhjet presidenciale të këtij viti janë të parat në histori ku më shumë njerëz votuan përpara sesa ditën zyrtare të zgjedhjeve. Kalifornia është shteti me numrin më të madh të votuesve të hershëm deri më tani, ku 11 milionë qytetarë llogaritet të kenë votuar deri më 2 Nëntor. I dyti në radhë është Teksasi me 9.7 milionë votues të hershëm, i ndjekur nga Florida me 8.7 milionë votues.
Qytetarët amerikanë do të vendosin sot më 3 nëntor nëse Donald Trump do të vazhdojë ose jo të drejtojë Shtetet e Bashkuara për një mandat të dytë 4-vjeçar. Sfidanti i tij në këto zgjedhje është demokrati Joe Biden –i angazhuar në politikë prej viteve ’70, por i njohur më së shumti si zv.president i Barack Obamës. Zgjedhjet amerikane konsiderohen si ngjarja më e madhe politike e vitit, por ato po zhvillohen mes një shpërthimi të ri të infektimeve me COVID-19 si dhe shqetësimeve për ekonominë. Sondazhet kombëtare i kanë dhënë epërsi kandidatit demokrat Joe Biden, por gara pritet të jetë e ngushtë dhe të përcaktohet nga pak shtete të lëkundura.
Zgjedhja e presidentit dhe zv/presidentit të Shteteve të Bashkuara është një zgjedhje indirekte në të cilën qytetarët e Shteteve të Bashkuara të cilët janë regjistruar për të votuar në një nga pesëdhjetë shtetet e SHBA-së ose në Uashington, DC, votojnë për anëtarët e Kolegjit Zgjedhor. Këta anëtarë të kolegjit më pas hedhin vota të drejtpërdrejta, të njohura si vota elektorale, për president dhe për zv/president. Kandidati që merr një shumicë absolute të votave elektorale (të paktën 270 nga 538) zgjidhet. Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën absolute të votave për president, Dhoma e Përfaqësuesve zgjedh kandidatin më të kualifikuar për presidencën; nëse askush nuk merr shumicën absolute të votave për zv/president, atëherë Senati e zgjedh atë. /BIRN/