Kryeministri Edi Rama u shpreh sot optimist për ecurinë e procesit të Rindërtimit po vijon me ritme të shpejta. Ai tha se brenda muajit dhjetor, të gjitha familjet do të jenë në shtëpitë e tyre, ndërsa 14 mijë fëmijë do të akomodohen në shkolla nga programi i rindërtimit. Deklaratat e Kryeministrit vijnë në një kohë kur me qindra familje, prej gati 1 viti nga tërmeti i 26 nëntorit, por edhe ato që u prekën nga tërmeti i shtatorit të 2019, nuk kanë gjetur një zgjidhje për strehimin, ndërsa jetojnë në çadra apo kontenierë.
Por, Rama deklaroi se projekti i infrastrukturës për lagjen e re të Durrësit është në përfundim.
“Programi adreson një problem të mprehtë për mijëra familje, por krijon kushtet për një përfshirje masive të të gjithë kompanive të ndërtimit dhe për një përfshirje në punë të një numri të konsiderueshëm individësh.
Nga ana tjetër, edhe pr/buxheti i vitit 2021 vazhdon të adresojë në mënyrë prioritare pikërisht pasojat e tërmetit dhe të Covid-19. Për programin e rindërtimit parashihen 28 miliardë lekë nga buxheti i vitit që po hyjmë.
Është parashikuar gjithashtu edhe fondi prej 1.5 miliardë lekësh për bonusin e qirasë, për familjet që do të vijojnë të jetojnë në kushte shtëpie, deri kur të kthehen në apartamentet e reja. Këtë vit janë 34 miliard lekë të buxhetit të vendosura në funksion të rindërtimit, prej të cilave 32 miliard janë të alokuara plotësisht.
Deri në fillim të tetorit janë 70 milionë dollarë të derdhura dhe faktikisht bëhet fjalë për shtëpitë, për të cilat një masë për ditë e më e konsiderueshme banorësh po marrin çelësat.
E gjithë pjesa tjetër e shumës është në themelet dhe strukturat e ndërtesave të reja, si dhe infrastrukturës rrugore e nëntokësore të atyre që do të jenë së shpejti lagje të reja, të ngritura nga e para në zonat e prekura nga tërmeti.
Qëllimi ynë mbetet deri në fund që shtëpitë e rindërtuara të jenë më të mira, më të forta dhe në shumë raste më të mëdha se shtëpitë, që humbën familjet nga tërmeti. Ne kemi zgjedhur të bëjmë një politikë të mirëfilltë strehimi për të gjitha kurorat që ishin bashkë në një kulm në shtëpitë e shembura, për të cilat do të ndërtohen shtëpi të veçanta dhe po ndërtohen aktualisht”, tha Rama.
Sipas tij, në Shijak, Laç, Durrës dhe në Fushë Krujë kemi tanimë një pamje evidente të një pune që shtrihet shumë përtej një rindërtimi mekanik, sepse bëhet fjalë për një rindërtim që niset nga bindja pse kjo është një krizë që patjetër duhet të krijojë një mundësi. Ai u shpreh se kjo krizë po kthehet në një mundësi jo vetëm për familjet, por për komunitete të tëra, që do të jetojnë në standarde krejt optimale.
“Po punohet për investime direkte në zonat e prekura nga tërmeti. Në zonën e Krujë, Vorë, Thumanë, dhe Tiranë janë në ndërtim 850 shtëpi individuale dhe tre lagje të reja. Lagje e re në zonën e Spitallës në Durrës dhe do të jetë me standarte optimale ashtu si kundër edhe një vlerë e shtuar në atë zonë, ku po merr formë edhe eko-parku, aty ku deri para pak kohësh gëlonte kanceri i Porto Romanos.
13 kantiere banesash individuale dhe 6 kantiere zona të reja, punime që do përfundojnë në 2-3 muajt e ardhshëm. 14 mijë fëmijë në shkolla të reja dhe në 26 nëntor do të hapim partinë e parë të shkollave të financuara nga buxheti i shtetit. Brenda marsit mbi 2500 banesa individuale të financuara nga shteti me rreth 60 milion dollarë”, tha Rama.