Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra kreun e Prokurorisë së Apelit Tiranë, Dritan Peka. Ky i fundit kishte kaluar Vetting në shkallën e parë, KPK, por Komisioneri Publik e apeloi vendimin e konfirmimit të tij në të treja kriteret.
KPA e hetoi Pekën në të trija kriteret; pasurinë, figurën dhe profesionalitetin.
Trupi gjykues i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Rezarta Schuetz relatore dhe Ina Rama, Ardian Hajdari dhe Sokol Çomo anëtarë, konkludoi se prokurori Dritan Peka ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për pasurinë dhe vendosi shkarkimin nga detyra të tij.
Kryesuesja e trupit gjykues, Natasha Mulaj tha gjatë shpalljes së vendimit, se prokurori Peka ka kryer deklarim të pasaktë për pasurinë, pasi nuk ka pasqyruar në deklaratën veting gjendjen cash në vlerën 1.5 milionë lekë, të pretenduara prej tij më pas gjatë gjithë procesit të rivlerësimit, përfshirë edhe në Kolegj.
Mulaj sqaroi se nga analiza financiare e kryer për periudhën 2003-2016 ka rezultuar se subjekti i rivlerësimit nuk kishte mundësi financiare për të mbulur me të ardhura të ligjshme shpenzimet dhe kursimet e deklaruara, si dhe ato të pretenduara gjatë procesit të rivlerësimit.
“Shpjegimet e subjektit të rivlerësimit lidhur me mospërputhjet e deklarimeve të likujditeteve cash, në kushtet kur kjo pasuri gjendet jashtë sistemit bankar dhe kur e vetmja mënyrë verifikimi janë deklarimet në deklaratat periodike, mbeten të paargumentuara bindshëm dhe në nivel deklarativ”, pohoi Mulaj.
Në përfundim, trupi gjykues i Kolegjit konkludon se për kriterin deklarimit të pasurisë, prokurori Dritan Peka gjendet në kushtet e deklarimit të paplotë dhe të pasaktë së pasurisë së tij, duke u përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasurinë e tij në formën e likuiditetit cash.
Kolegji e vlerëson të padrejtë dhe të pabazuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit Peka dhe vendosi ndryshimin e tij duke e larguar nga sistemi i drejtësisë.
Ankimi në KPA për prokurorin Peka u bë nga Komisioneri Publik, i cili argumentoi se vendimi i KPK-së kishte probleme përsa i përket hetimit dhe KPA duhej të vendoste shkarkimin e tij për deklarim të pamjaftueshëm dhe për cënim të besimit të publikut te drejtësia.
Komisioneri Publik pretendoi se nuk përputheshin deklarimet e Pekës për vitin 2010 lidhur me dy gjendje cash, një si të kursyer prej pagave në shumën 1 milion lekë dhe tjetra në vlerën 1.5 milionë lekë, nga kredia.
Prokurori Peka e kundërshtoi analizën financiare. Ai pretendoi se dilte me balancë pozitive edhe në vitet për të cilat KPA kishte konstatuar pamundësi financiare për kryerjen e shpenzimeve dhe investimeve.
“Parashtroj se balancat negative për disa vite janë të pabazuara”, pohoi Peka dhe shpjegoi se kishte dorëzuar prova që sipas tij kundërshtonin gjetjet e analizës financiare lidhur me vlerat e shpenzimeve të udhëtimeve ndër vite, si edhe për të ardhurat.
Ai tha se në vitet 2005, 2006, 2007, 2012, 2013, 2015 dhe 2016 nuk ishin përllogaritur të gjitha të ardhurat nga puna e tij dhe e bashkëshortes. Sipas Pekës, në analizë nuk janë përfshirë të gjitha të ardhurat e përfituara nga puna, si honorare, shpërblime dhe pagesa nga mësimdhënia.
Peka këmbënguli se në gjithë vitet kur ishin konstatuar mungesa, nëse konsideroheshin provat që kishte dorëzuar për të ardhurat shtesë dhe lidhur me shpenzimet e udhëtimeve, atëherë rezultonte me bilanc pozitiv.