Nga Boldnews.al
Në një fjalim të mbajtur në Parlament në Prill 2019, deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi, aktualisht Ministre e Arsimit, citoi nënsekretarin Amerikan të Shtetit, Matheë Palmer, i cili e cilësoi reformën në drejtësi dhe vetingun si një “element shumë të rëndësishëm për të rritur besimin e qytetarëve tek institucionet…”.
Natyrisht, për Kushin dhe të gjithë kolegët e saj në Parlament, Vetingu është një masë shumë e mirë për të pastruar drejtësinë. Por, askush, as ajo dhe as bashkë-partiakët e saj nuk marrin përsipër që të kryejnë një lloj filtrimi, të njëjtë si gjyqtarët e prokurorët.
Evis Kushi, si shumë kolegë të saj në Parlament e parti, do të ngelnin në procesin e Veting-ut, nëse ata do të përballeshin me të njëjtat sfida si zyrtarët e drejtësisë.
“Boldnews.al” ka kryer një analizë mbi të dhënat e pasurisë, të vetëdeklaruara ndër vite nga ministrja e Arsimit, Evis Kushi.
Duke mbajtur në referencë standartet e aplikuara nga strukturat e rivlerësimit në drejtësi, zonja Kushi, me shumë mundësi, do të ngelte në procesin e Vetingut.
Apartamente e miliona…nga emigracioni
Evis Kushi, një pedagoge në Universitetin e Elbasanit, u zgjodh deputete për herë të parë në vitin 2013. Në qytetin e saj, thuhet se emri i Kushit ishte investim i njeriut më të pushtetshëm nga politikanët e majtë të Elbasanit, ish-kreut të Bashkisë së qytetit, Qazim Sejdini (i njohur edhe si “Lala”).
Menjëherë pas marrjes së mandatit të deputetit, në përmbushje të detyrimit ligjor, Evis Kushi deklaron për herë të parë pasurinë.
Në formularin “Para fillimit të detyrës”, Kushi deklaron se ajo dhe bashkëshorti i saj, Florens Kushi, kanë në pronësi dy apartamente në Elbasan.
Njëri apartament, me sipërfaqe 71 m2 është blerë në vlerën 1.9 milionë lekë të reja. Ndërsa apartamenti i dytë, me sipërfaqe 99.8 m2, është blerë për shifrën e 37.300 eurove, nga të cilat, në atë kohë, ishin paguar 33 mijë euro.
Në të dy rastet, Evis Kushi ka deklaruar si burim për blerjen e apartamenteve të ardhurat e siguruara nga bashkëshorti i saj në emigracion. Për apartamentin e dytë, krahas të ardhurave nga emigracioni, janë shpenzuar edhe disa para nga kursimet familjare.
Po ashtu, në deklaratën fillestare, Evis Kushi deklaron se bashkëshorti i saj është pronar edhe i një toke, me sipërfaqe 500 m2 në Kavajë, të cilën e ka blerë me vlerën 300 mijë lekë (pra, 600 lekë/m2) nga emigracioni.
Njëlloj si për apartamentet, në deklaratën e pasurisë nuk shënohet se kur janë blerë këto asete, megjithëse ka një shënim që bashkëlidhur formularit janë edhe fletë sqaruese (me shumë mundësi, kontratat e shit-blerjes).
Po me burim kryesor emigracionin e bashkëshortit të Kushit, janë siguruar edhe 1 milionë lekë të reja kursime në gjendje cash.
Pikëpyetje mbi burimin
Baza e pasurisë së ministres Kushi, sipas vetëdeklarimeve të saj, janë të ardhurat e bashkëshortit në emigracion.
Bashkëshorti, Florenc Kushi, dikur ka qenë futbollist me klubin e Elbasanit. Sipas kronikës së kohës, ai ka qenë një nga lojtarët që ka ngritur Kupën e Republikës me ekipin e tij, në vitin e largët 1992.
Por, pas karrierës si futbollist, duket se Florenc Kushi ka shkuar emigrant dhe, sipas formularit të pasurisë së bashkëshortes së tij në vitin 2013, nuk duket se i ka ecur keq.
Me të ardhurat e siguruara në emigracion, ai dhe bashkëshortja e tij tashmë janë pronarë të dy apartamenteve, një trualli të blerë me çmim interesant, si edhe kursime në gjendje cash.
Por, nëse i referohemi standarteve të Vetingut, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, do të duhej të justifikonte me burime të ligjshme burimin e pasurive.
Dhe, burim i ligjshëm konsiderohen ato të ardhura, për të cilat ekzistojnë kontrata pune, transferta apo fatura, zyrtare dhe të njohura nga autoritetet shtetërore, si edhe vërtetim për kontributet e derdhura në bazë të pagës.
Këto të dhëna “formale”, por që janë bërë shkak për shkarkimin e shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk gjenden të sqaruara në asnjë prej deklaratave të pasurisë, të dorëzuara nga Evis Kushi pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).
Rritje progresive e kursimeve
Pas kësaj pasurie “fillestare”, jeta e familjes Kushi ka ecur mbarë, si në aspektin profesional, po ashtu edhe në rritjen e mirëqenies financiare.
Në vitet pasuese, depuetetja Evis Kushi ndaj aktivitetin politik në Parlament me punësimin si pedagoge e njëkohshme në 3 universitete, dy prej të cilëve publike, në Elbasan dhe Durrës.
Ndërkohë, ajo jep mësim edhe në Universitetin Mesdhetar, një sipërmarrje private, ku president është kolegu i saj i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli.
Bashkëshorti i Kushit, një specialist në drejtorinë Arsimore të Elbasanit, emërohet fillimisht përgjegjë sektori në atë strukturë dhe më tej kalon si specialist në Bashkinë e qytetit.
Për një periudhë kohe, ai emërohet Administrator i Klubit të Futbollit “Elbasani”, në kohë që bashkia drejtohej nga Qazim Sejdini.
Gjatë vitit 2019, Florenc Kushi rezulton të jetë i punësuar si specialist pranë Operatorit Rajonal të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Por, paratë në shtëpinë Kushi, prej disa vitesh, vijnë kryesisht nga të ardhurat e deputetes dhe ministres aktuale të Arsimit.
Nga viti në vit, familja Kushi ka arritur të kursejë disa miliona lekë dhe, në vitin 2019 hapin një llogari bankare, me shumën 3 milionë lekë të reja.