Kryedemokrati Lulzim Basha ngriti mesditën e sotme shqetësimin se po rritet numri i njerëzve në farmaci që po marrin ilaçe me lista.
Në një konferencë për mediat nga selia blu, Basha akuzoi qeverinë për mungesë përgjegjshmërie, ndërsa i mëshoi planit me pesë pika të PD-së, si dhe propozimit për rimbursim të plotë të paketës për të sëmurët ambulatorë.
Ai gjithashtu u shpreh se paratë nuk përdoren për ndihma emergjente, por për një grup oligarkësh.
“Situata shëndetësore vazhdon të përkeqësohet ditë pas dite, sado të fshihen shifrat e të infektuarve. Qytetarët e sëmurë nuk fshihen dot. Dje m’u konfirmua lista në farmaci, është rregull jo përjashtim, numri i njerëzve me lista në farmaci po shtohet në mënyrë të frikshme. Kemi propozuar rimbursimin e plotë të paketës për të sëmurët ambulatorë, kurim që shkon në 600 mijë lekë. Ku do t’i gjejnë ata paratë?”,-tha Basha.
Për kreun demokrat, 25 prilli është shumë larg kur bëhet fjalë sektorin shëndetësor. “Kur do të shkojnë taksat tek njerëzit, nëse jo sot?!” – ngriti zërin ai.