Bledar Skënderi do të jetë kreu i ri i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të qeverisë, konfirmoi Ministria e Bujqësisë, që ka në varësi institucionin e AKU-së.
“Në mbledhjen e sotme të qeverisë është marrë vendim për lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, z. Robert Lili. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z.Bledi Çuçi e falënderon për kontributin e deritanishëm dhe punën e lavdërueshme të bërë në drejtimin e AKU-së, procesin e nisur të reformimit dhe shndërrimit të AKU-së në një njësi inteligjente. Z.Lili do të vijojë angazhimin profesional brenda strukturave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Po sot, me vendim të Këshillit të Ministrave është emëruar drejtori i ri i këtij institucioni, z.Bledar Skënderi. Shprehim besimin se ai do të punojë me përkushtim dhe do të çojë përpara procesin e ristrukturimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit i nisur nga paraardhësi i tij, si dhe do të adresojë si duhet të gjitha sfidat dhe problematikat që lidhen me sigurinë ushqimore në vend”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë.
Bledar Skënderi zëvendëson në këtë post Robert Lilit. Ky i fundit e emërua në krye të AKU-së në Tetor 2019, duke zëvendësuar Agron Hetonë.
Bledar Skënderi ka qenë më herët pjesë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ai u pozicionua publikisht kundër vendimit të Presidentit Ilir Meta për shtyrjen e votimeve të 30 Qershorit.
Bledar Skënderi ishte po ashtu ndër katër anëtarët e KQZ-së që me votën e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve injoruan dekretin e kreut të shtetit për shtyrjen e datës së votimeve.