Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, e konsideron shqetësuese situatën e pastrimit të parave dhe evazionit fiskal në Shqipëri.
Pak ditë pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar vuri theksin te nevoja që ka Shqipëria për të forcuar gjithnjë e më shumë mekanizmat për të parandaluar fluksin e parave të paligjshme dhe injektimin e tyre në ekonominë vendase.
Në të njëjtën linjë duket se qëndron edhe kreu i institucionit të Akuzës, Çela, i cili e vendos theksin tek domosdoshmëria për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve ligjzbatuese, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të pastrimit të parave.
I ftuar në një intervistë për “Euronews Albania”, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, deklaroi se “…ka mjaft punë për të bërë dhe të gjithë jemi koshientë se situata që lidhet me evazionin fiskal në Shqipëri apo me sasinë e parave që vijnë nga aktivitetet kriminale është shqetësuese”.
Sipas tij, është siguruar mbështetja e policisë, është siguruar mbështetja e Ministrisë së Financave, e Drejtorisë së Tatimeve, të Doganave dhe agjencive të tjera, për të koordinuar punën dhe të sigurohen rezultate konkrete, të cilat më pas mund të jenë pjesë e punës edhe të prokurorisë së Posaçme.
“Sot janë krijuar në 7 prokuroritë kryesore të vendit seksionet, të cilat do të hetojnë në mënyrë specifike krimet financiare pastrimin e patave dhe asetet kriminale. Kjo do të thotë që një pjesë e rendësishme e luftë ndaj krimit do të bazohet në rezultatet e këtyre prokurorive”, u shpreh Çela.
Njësi të ngjashme kanë ekzistuar edhe më herët, duke filluar me Task-Forca-t e krijuara në vitin 2009. Por, strukturat aktuale, në këndvështrimin e Prokurorit të Përgjithshëm, pritet të jenë më efikase, pasi është forcuar kuadri ligjor dhe, mbi të gjitha janë hartuar dhe miratuar instrumentat për garantimin e pavarësisë dhe mbrojtjes së prokurorëve.
“Sigurimi i elementit të pavarësisë është parë si garanci e suksesit të Reformës dhe tërësia e udhëzimeve që ne kemi nxjerrë tenton të përforcojë këtë pavarësi, ta garantojë atë ndaj cdo ndërhyrjeje të jashtme apo të brendshme, pra qoftë brenda institucionit nga ana e drejtuesve në formë hierarkike apo edhe nga ndikime të caktuara politike, nga bota e biznesit apo nga krimi”, thotë Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela.
Ai deklaroi gjithashtu se institucioni që drejton do të vijojë të jetë i angazhuar për të shmangur ndikimin politik në karrierën e prokurorëve.
Megjithëse Kushtetuta ia ka caktuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë kompetencën për ngritjen në detyrë dhe penalizimin e prokurorëve, gjithësesi roli i Prokurorit të Përgjithshëm, kryesisht informacioni që ai siguron, mund të shërbejë si bazë për vendimmarrjen e KLP-së.
“Ajo që unë mund të bëj si Prokuror i Përgjithshëm në këtë drejtim është të marr të gjitha masat e mundshme që të mos kemi raste të ndërhyrjes së politikës apo të elementëve të tjerë të biznesit apo element të tjerë të jashtëm në procesin e hetimit, në procesin e emërimit të drejtuesve të prokurorisë apo transferimit të prokurorëve”, tha Çela.
Ai u tregua i bindur dhe garantoi se “ nëse do të konstatoj se do të ketë ndërhyrje të tilla, patjetër që do të marr të gjitha masat e nevojshme, aq sa më lejon ligji, për të bërë që çdo prokuror që heton, çdo prokuror linje në çdo prokurori, të ndihet drejtues prokurorie, të ndihet madje edhe Prokuror i Përgjithshëm. Vetëm kështu ne mund të arrijmë të japim përmbajtje reformës e cila në fakt kërkon sakrifica”.