Katër ditë pas paralajmërimit të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, se do të ketë ndryshime në prokurori, sot, Prokuroria nëpërmjet një njoftimi për shtyp publikoi emrat e drejtuesve të rinj si dhe ndryshimet në disa njësi strukturore. Pasojë e këtyre ndryshimeve, sipas Llallës, janë kërkesa për rezultate më të larta pas analizës vjetore të vitit 2015. Por, një shkak tjetër që ka bërë të lëvizë më shpejt Prokurorinë e Shqipërisë është dhe dorëheqja në mënyrë të patritur të katër prokurorëve në rrethe.
Emrat e drejtuesve dhe ndryshimet në njësi strukturore:
Në Prokurorinë e Përgjithshme: Drejtoria Gjyqësore dhe e Ekzekutimeve të Dënimeve Penale shkrihet dhe stafi i saj integrohet në Drejtorinë e Hetimit dhe Ndjekjes Penale. Drejtoria e riformatuar do të vijojë të drejtohet nga Adnan Xholi dhe tashmë do të përbëhet nga 6 prokurorë.
Në nivelin e Prokurorisë së Apelit: Kleanthi Zeka, aktualisht prokuror në Prokurorinë e Apelit Vlorë, komandohet drejtues i saj, duke zëvendësuar drejtuesin e deritanishëm, Henrik Haxhiraj, i cili do të vijojë të ushtrojë funksionet e prokurorit të thjeshtë në Apelin e Vlorës.
Në nivelin e Prokurorisë së shkallës së parë
(Pozicioni drejtues)
– Besim Hajdarmataj, aktualisht zv.drejtues në Prokurorinë për Krime të Rënda, komandohet drejtues në këtë strukturë, duke zëvendësuar Blerim Tominaj, i cili do të vijojë të ushtrojë funksionet pranë kësaj prokurorie.
– Zeqir Hoda, aktualisht drejtues në Prokurorinë e Kurbinit, komandohet drejtues në Prokurorinë e Lezhës, duke zëvendësuar, Përparim Vukaj, i cili do të vijojë të ushtrojë funksionet pranë asaj prokurorie.
– Hysni Vata, aktualisht prokuror në Dibër, komandohet drejtues i Prokurorisë së Kurbinit, duke zëvendësuar Zeqir Hoda, i cili është komanduar në drejtimin e Prokurorisë Lezhë.
– Arjan Muçaj, aktualisht prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjrokastër, komandohet drejtues në Prokurorinë e Rrethit Përmet, duke zëvendësuar Silvana Pani, e cila vijon në detyrën e prokurorit të thjeshtë në atë prokurori.
– Artur Ismailukaj, aktualisht prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tropojë, komandohet drejtues në këtë Prokurori, duke zëvendësuar Artan Shtrungza, i cila vijon në detyrën e prokurorit të thjeshtë në atë njësi strukturore.
– Urim Buci, aktualisht prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, komandohet drejtues në këtë Prokurori, duke zëvendësuar Esmeralda Cami, e cila vijon në detyrën e prokurorit të thjeshtë në atë njësi strukturore.
(Pozicioni zv.drejtues)
– Në Prokurorinë e Korçës komandohet zv.drejtues prokurore Dhorina Theodhori, e cila zëvendëson në këtë detyrë prokuroren Ollga Visi
– Në Prokurorinë e Vlorës komandohet zv.drejtues prokurore Flora Çela, e cila zëvendëson në këtë detyrë prokurorin Alfred Saliu
– Në Prokurorinë e Elbasanit largohen nga funksioni i zv.drejtuesit dy prokurorët, Alfred Shehu dhe Ridvan Suka. Gjithashtu shkurtohet një pozicion zv.drejtuesi, duke u reduktuar në një post, në të cilin komandohet prokurorja Enkelejda Millonai
Ndërkohë, po shqyrtohen mundësitë e ndryshimeve të tjera, me synim përmirësimin e mëtejshëm të aktivitetit institucional.
(Boldnews)