Pas largimit nga Partia Socialiste, deputeti Ben Blushi në një intervistë ekskluzive në emisionin Opinion ka folur edhe për lëvizjen e re politike që pritet të krijohet.
Blushi tha se largimi im nga Partia Socialiste nuk ishte një vendim personal. “Pra jam unë dhe deputetja Mimoza Hafizi, që mbasi konsumuam të gjitha mundësitë, për të bashkëjetuar në një parti normale, me rregulla normale, vendosëm të largohem.”– u shpreh ai teksa theksoi se shqiptarët kanë aftësinë për të harruar shpejt.
“Nëse ju kujtohet që nga fillimi i vitit 2016, kemi bërë një betejë brenda PS-së që të ketë zgjedhje të lira, nëqoftëse në Shqipëri një parti eleminon zgjedhjet, dhe të gjitha forumet, madje duke i hequr ekskluzivisht një personi mundësinë për t’u zgjedhur, kjo quhet normale dhe pastaj të detyrojnë që të bashkëjetosh, kjo për mua nuk është normale, kjo është arsyeja themelore, por jo e vetme. Që bashkë me znj. Hafizi vendosëm të largohemi nga Rilindja”. – shtoi më tej,
Sipas Blushit, ajo do të jetë një platformë e njerëzve të zakonshëm dhe jo biznes privat, sikurse është shndërruar Partia Socialiste.
“Bashkë me zonjën Hafizi që e kam bashkëpunëtore duam të bashkojmë sa më shumë vullnete për një projekt të ri politik që do të marrë formë shumë shpejt. Brenda një muaji do të marrë formë. Brenda muajit Nëntor do të shpallim një projekt të ri politik, i cili do të jetë platformë e njerëzve të zakonshëm. Nuk e kam ambicien për të krijuar parti private. Nëse do doja të isha ortak në një biznes privat, do rrija në PS. Do kisha kuotat më të larta në atë biznes nëse do rrija prapa Ramës në atë biznes. Nuk e kam pranuar”-deklaroi Blushi.