“Jam shef Kadriu”, kështu kanë arritur dy shtetasit Gëzim Metalia, ish polic i qarkullimit rrugor dhe Rexhep Rexha, të mashtrojnë të riun nga Cërriku me iniciale B.L për t`i marrë 900 euro në pranimin në Akademinë e Sigurisë. Prokuroria e Tiranës ka përgjuar bisedat e dy të akuzuarve të cilët u hoqën si shef Kadriu, professor në Akademinë e Sigurisë. Ndërkohë Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke vendosur masën e arrestit me burg për dy personat e akuzuar si sekserë të pranimeve në Akademinë e Sigurisë, ish Shkolla e Policisë.
Përfaqësuesi i njësisë Task Forcë tha se ata janë të dyshuar për “ushtrim ndikimi të paligjshëm…”, pasi i kanë marrë një shumë eurosh shtetasit me iniciale B.L, nga Cërriku, duke i premtuar se do ta ndihmonin për të fituar konkursin në Akademinë e Policisë. Sipas Prokurorisë, Gëzim Metalia me anë të njohjeve të tij ka arritur të bindë qytetarin nga Cërriku që ishte regjistruar në konkursin e pranimit në Akademinë e Sigurisë, se mund të ishte fitues nëse jepte 300 euro për çdo fazë të testimit (tri faza gjithsej).
Ja si rrodhi ngjarja
Sipas Prokurorisë, Metalia ka porositur një shokun e tij që të hiqej si “shef Kadriu” për ta bindur në dhënien e parave. Nga hetimi ka dalë se të arrestuarit mashtronin, pasi nuk kishin asnjë kontakt me asnjë zyrtar shtetëror.
Nga përgjimi e vëzhgimi i të dyshuarve ka rezultuar se: Në vijim të bisedave të kryera mes shtetasve Gëzim Metalia, Rexhep Rexha dhe B.L., mbi dhënien e 900 eurove si këmbim për t’u pranuar në Akademinë e Sigurisë, janë kryer veprimet hetimore të përgjimit e vëzhgimit. Në bazë të këtyre veprimeve ka rezultuar se më datë 24.02.2016 në orën 13:00, shtetasi B.L. është takuar me shtetasin Gëzim Metalia dhe Rexhep Rexha. Gjatë bisedës së zhvilluar mes tyre del qartë që Gëzim Metalia i thotë B.L. se për këtë fakt kishte folur me një person të quajtur Kadri, i cili ishte profesor dhe kishte marrë përsipër të kryente këtë punë kundrejt shumës prej 900 euro. Sipas Gëzimit, ai i kishte lënë peng automjetin në pronësi të tij, deri sa t’i shlyente shumën e premtuar. Gjatë këtij bashkëbisedimi, shtetasi Gëzim Metalia i shpjegon shtetasit B.L. se duhet të paguante shumën prej 300 eurosh për çdo fazë testimi (testimi me shkrim, testimi fizik dhe testi i inteligjencës), pra gjithsej 900 euro.
Edhe pas këmbënguljes së shtetasit B.L. për t’u takuar personalisht me të ashtuquajturin profesor Kadria, shtetasi Gëzim Metalia nuk ia ka plotësuar këtë kërkesë, por duke komunikuar me një person në telefon (sipas tij me profesor Kadrinë) është justifikuar me faktin se “profesor Kadria” ishte në Vlorë dhe nuk mund të vinte. Pasi mbyll telefonin me “profesor Kadrinë”, ai i drejtohet shtetasit B.L., duke i thënë se nëse donte të takonte “profesor Kadriun” duhet të vinte në Tiranë, të dielën ose të martën. Nga raportet e vëzhgimit shfaqet qartë shtetasi Gëzim Metaliaj duke marrë 300 euro. Përpara uljes në tavolinë me shtetasin B.L., shtetasi Gëzim Metalia ka komunikuar me numrin e telefonit xxx139, të cilit me anë të një mesazhi i thotë atij: “Do të vijnë ato të Cërrikut për shkollë, do të të marr unë, ti je profesori, emrin e ke Kadri” dhe pas kësaj bisedon edhe në telefon me këtë numër, duke u shtirur sikur po fliste me “profesor Kadriun”. Nga verifikimet e kryera, kjo bisedë është kryer me shtetasin Elton Hasanllari, i cili ka në përdorim numrin e telefonit xxx139.