Bashkë me mbylljen e etapës së programit “Treshat”, Bora Zemani u shkëput nga i dashuri Donald Veshaj që e kishte dhe koleg në televizion. E ky sezon televiziv është një fillim i ri për prezantuesen, e cila direkt pas ndarjes merr përsipër drejtimin e programit “Përputhen”, ku vajzat njihen me djem.
Të hënën pritet të nisë sezoni i ri televiziv, që do të vijë me ndryshime të tjera në ekranin e “Top Channel”. Pak javë më parë u bë e ditur se formati “Përputhen” do të kalonte në një fashë orari prej 18:30, duke shoqëruar çdo ditë teleshikuesit nën drejtimin e moderatores Bora Zemani.
Së fundmi, edhe Bora ka ndarë në llogarinë e saj promon e re të formatit, që do të vijë edhe me më shumë risi. “Nuk po zbulojmë asgjë akoma.
Shihemi në 7 shtator”, ka pohuar Zemani në videon e publikuar në “Instagram”. Ndjekësit e saj kanë pohuar se po e presin me padurim nisjen e formatit të përditshëm, i cili me siguri do të ngjallë shumë kuriozitet.
Kujtojmë se sezonin e kaluar, “Përputhen” ishte pjesë e “E diell” nën drejtimin e Nevina Shtyllës, megjithatë, pas suksesit të madh, televizioni i “Top Channel” vendosi ta sjellë çdo ditë në ekran.
Ky ndryshim i ekranit vjen paralelisht me ndryshimin e statusit, nga “në lidhje” në “single”. Një muaj pasi moderatorja Bora Zemani dhe aktori i humorit e kolegu i saj, Donald Veshaj, zyrtarizuan dashurinë e tyre në jug, çifti vendosi t’i japë fund lidhjes.
Pavarësisht këtij vendimi, Bora nuk e la pa uruar Donaldin dhe vëllain e tij binjak, Romeon, të cilët kishin ditëlindjen pak ditë më parë.
Vendimin për të dalë hapur ata e shoqëruan me disa foto e video të këndshme në çift, të cilat tashmë i kanë fshirë nga “Instagrami”, pasi kanë fshirë dhe njëri-tjetrin nga lista e miqve.
Çifti që e zyrtarizoi lidhjen pas karantinës, ka pasur disa mosmarrëveshje që i ka çuar në këtë vendim, ndërkohë që nuk dihet çdo të bëhet me formatin “Treshat”, një program që e bënin ata të dy bashkë me vëllanë binjak të Donaldit, Romeo Veshajn.
Sipas miqve të tyre, vështirë të thuhet se këtë herë bëhet fjalë për një zënkë të momentit, pasi edhe kur kanë pasur situata të tilla më parë, ata nuk i kanë fshirë gjurmët e lidhjes së tyre e më pas janë rikthyer te njëri-tjetri.
Këtë herë ka ndodhur diçka ndryshe, që e bën të vështirë rregullimin e marrëdhënies, gjithsesi gjithçka pritet.
Bora Zemani dhe Donald Veshaj, pas zyrtarizimit të lidhjes në fillim të muajit korrik, postonin shpesh foto e video bashkë. Ata u konsideruan një nga çiftet më të përfolura të momentit, për faktin se luanin me idenë që janë më shumë kolegë që shkojnë mirë në televizion, sesa të dashur.
Vetëm një muaj më parë ishte Bora, e cila theu heshtjen duke publikuar foton e parë të tyre si çift nga bregdeti i jugut, ku dhe celebruan kështu publikisht këtë histori dashurie të lindur në televizion.
Ajo pranoi në këtë mënyrë publikisht marrëdhënien e tyre të dashurisë, ndërsa zgjodhi ta mbulonte fytyrën e tij me një emoji, ndonëse dukej qartazi se ishte ai, duke shkruar: “Me këtë çunin, identitetin e tij nuk dua ta zbuloj”.
Nuk mungoi as komenti i vëllait të tij binjak, Romeos, i cili edhe këtë herë nuk hoqi dorë nga ngacmimet, por njëkohësisht foli në emër edhe të familjes se ata e mbështesin dhe e duan këtë lidhje.
Kaluan gati dy vjet që kur moderatorja e njohur, Bora Zemani, filloi të shoqërohej me një nga vëllezërit binjakë të spektaklit të humorit “Al Pazar”, Donald Veshaj.
Bora është një mami e lumtur e djalit të saj Arbor nga martesa me DJ Vin Velin, ndërkohë që Donaldi është beqar. Ata e shihnin njëri-tjetrin si familje, pasi kishin nisur bashkëjetesën në Tiranë para pak kohësh.
/Panorama Plus