Zyliha Kraja ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme pas një muaji luftë me COVID-in. Me zemërimin që nuk mundën ta shpëtonin e të pikëlluar për humbjen, mjekët e spitalit të Shkodrës kanë zgjedhur që të thonë disa fjalë për kolegen e tyre Zyliha Kraja.
Ata e quajtën kolegen e palodhur, një doktoreshë humane dhe besnike të profesionit që i shërbeu deri në ditën e fundit profesionit.
Detyra e vështirë, për t’i lexuar ato rreshta i është caktuar mjekut kirurg Shpëtim Ymeri, i cili as vetë nuk e kishte menduar që do i binte “kjo barrë e madhe”.
“Nuk e mendoja kurrë që të më vije në këtë barrë që të flisja në këtë ceremoni mortore, mendoja që do të shtrëngoja dorën siç bëja në spital dhe të thoja “ia hodhe mikja ime”.”
“ Nuk mundëm të të shpëtonim pavarësisht përpjekjeve tona maksimale. Humbje e madhe për familjen, e mbarë qytetin”.
“Ndihemi të pikëlluar për këtë humbje, të një profesioniste të vërtetë, dokroreshë humane, të palodhur dhe fjalë pak dhe besnike të këtij profesioni që qëndroi deri në ditën e fundit. Burim frymëzimi, ne të jemi mirënjohës. Kemi kaluar momente stresi, lidhje e sakrifica por edhe sadisfaksionin që të të jep profesioni si kirurg. Njerëzit si ti nuk vdesin kurrë, por jetojnë në mendjen dhe zemrat tona”, tha ai, teksa nga pas ishin kolegët që nuk mbajtën dot lotët”, u lexua në deklaratën e mjekëve të spitalit rajonal të Shkodrës.
Zyliha Kraja, bashkëshortja e dramaturgut të njohur Fadil Kraja, u shua në moshën 78-vjeçe. Edhe pse kishte dalë në pension, ajo vazhdoi punën me të njëjtin pasion si në ditën e parë.