Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi është diagnostikuar me koronavirus. “Pas testimit, Presidenti Berlusconi doli pozitiv për koronavirusin”, deklaroi partia “Forza Italia” në një njoftim.
Kreu aktual i “Forza Italia-s” ndodhet në shtëpinë e tij në Arcore, ku pritet të kalojë periudhën e izolimit nga Covid-19.
Sipas mediave italiane, Berlusconi do të vazhdojë të mbështesë kandidatët e partisë së tij në zgjedhjet e ardhshme rajonale dhe administrative, përmes intervistave të përditshme nga shtëpia e tij.
Lajmi për sëmundjen e politikanit, u konfirmua edhe nga mjeku i tij Alberto Zangrillo, i cili është kreu i anestezisë dhe reanimacionit në spitalin San Raffaele në Milano.
Mjeku ka deklaruar që Berlusconi ishte asimptomatik, ndërsa nuk ka bërë të ditur se si mund të jetë infektuar ish-kryeministri italian.