Zbardhet dosja e dënimeve në Itali për vëllezërit Ermal dhe Isuf Brahimaj, ky i fundit i ekzekutuar në gusht të vitit 2014 me një bombë të telekomanduar në makinë. Sipas autoriteteve italiane, Isuf Brahimaj ka kryer aktivitet kriminal që prej vitit 1994 duke u paraqitur si shtetas serb. Dy vëllezërit janë dënuar disa herë në vendin fqinj për trafik dhe shpërndarje droge.
Një hetim i nisur nga Prokuroria e Vlorës dhe më pas nga Krimet e Rënda për pronat e vëllezërve Ermal dhe Isuf Brahimaj, ka zbuluar se ata ishin përfshirë në disa aktivitete kriminale jashtë vendit prej disa vitesh.
Dy vëllezërit janë dënuar nga gjykata të ndryshme në Itali për trafik droge, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shpërndarje narkotikësh.
Për shtetasin Isuf Brahimaj, i vrarë në një atentat me bombë të telekomanduar në gusht të vitit 2014, autoritetet italiane kanë informuar se ka qenë i përfshirë në shfrytëzimin e prostitucionit që prej vitit 1994.
Ai ka përdorur emrin Stojanovic Srdan, duke u hequr si shtetas serb, por më vonë autoritetet italiane kanë zbuluar se bëhet fjalë për shtetasin shqiptar Isuf Brahimaj, i cili ka qenë pjesë e një grupi që shfrytëzonte prostituta në qytete të ndryshme të Italisë.
Të ardhurat nga këto aktivitete kriminale sipas prokurorisë janë përdorur për ndërtimin e një hoteli me vlerë 1 miliard lekë në zonën e Ujit të Ftohtë në qytetin e Vlorës, për të cilin prokuroria kërkoi konfiskim në bazë të ligjit antimafia.
Në dosjen që prokuroria dorëzoi në gjykatë është renditur e gjithë veprimtaria kriminale e dy vëllezërve Brahimaj sipas të dhënave të përcjella me anë të letër-porosive nga autoritetet italiane.
Sipas dosjes italiane rezulton se shtetasi Isuf Brahimaj, i datëlindjes 12.8.1972, lindur në Vlorë, me vendimin e Gjykatës së Apelit Leçe është deklaruar fajtor për veprën penale të “mbajtjes dhe transportimit të lëndëve narkotike” në bashkëpunim, dhe është dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim dhe gjobë.
Sipas këtij vendimi, fakti kriminal për të cilën është dënuar Brahimaj ka ndodhur më datë 20 janar 2006 kur ai dhe persona të tjerë kanë transportuar dhe mbajtur një sasi prej 351 kg lëndë narkotike e llojit marijuana e ndarë në 10 pako të fshehura në hapësirën e pasme të mjetit tip “Fiat Doblo” me targa BX913 PM.
Më herët, ndaj tij, gjykata e Milanos kishte dhënë një tjetër dënim për akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. “Me vendimin penal nr. 4537 datë 14.11.1997, të Gjykatës së Apelit Milano, i pandehuri Stojanovic Srdan i datëlindjes 12.12.1975, i njohur më vonë si Isuf Brahimaj është deklaruar fajtor për veprën penale të “nxitjes, favorizimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese për fakte që datojnë në vitin 1994”, thotë prokuroria.
Por edhe vëllai i tij, Ermal Brahimaj i njohur edhe me emrin Bashkim që gjithashtu ka qenë objektiv i një atentati në qytetin e Vlorës, rezulton të jetë dënuar nga Gjykata e Apelit në Firence të Italisë.
“Gjykata e Apelit Firence me vendimin nr. 899 datë 13.3.2009 ka vendosur dënimin e këtij shtetasi për veprën penale të “Mbajtjes dhe transportimit te lëndëve narkotike” në bashkëpunim, për mbajtjen e 147.651 gr lëndë narkotike e llojit kokainë, ndodhur në datë 29 tetor 2004 në Arezzo”, thotë prokuroria.
Tre vjet më pas, Ermal Brahimaj është dënuar sërish nga Gjykata e Apelit Firence për akuzën e pjesëmarrjes në organizatë ndërkombëtare për trafikimin e lëndëve narkotike, mbajtjes dhe transportimit te lëndëve narkotike në bashkëpunim.
Ai ka qenë pjesë e një organizate të përbërë nga 10 persona, ndër të cilët është dhe shtetasi Isuf Brahimaj.
Por gjithashtu dy vëllezërit Brahimaj janë hetuar për importimin e një sasie prej 2 kg lëndë narkotike kokainë, një pjesë e të cilës prej 515 gr. është sekuestruar në datë 16 prill 2009 në San Giovanni Valdarano për mbajtjen e 147.651 gr lëndë narkotike e llojit kokainë, ndodhur në datë 29 tetor 2004 në Arezzo.
“Isuf Brahimaj është akuzuar për importimin nga Belgjika në Itali të një sasie prej 8.021 gr kokainë, ndodhur në Belgjikë, Romë datë 19 nëntor 2008. Brahimaj është akuzuar gjithashtu për importimin nga Belgjika në Milano Itali të një sasie prej 5 kg kokainë, ndodhur në Belgjikë, Milano në datë 7 dhjetor 2008”, thotë prokuroria.