Zgjedhjet në universitete do të zhvillohen më 30 korrik. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini zhvilloi sot një takim me rektorët e universiteteve publike, të cilët shprehën pamundësinë e vazhdimit të udhëheqjes së IAL-ve me mandat të përfunduar dhe sollën në vëmendje nevojën urgjente për zgjedhje në universitete.
Shahini thotë se studentët, sidomos ata të viteve të fundit që diplomohen sivjet, i kanë shprehur gjithashtu shqetësimet e tyre për mungesën e shërbimeve nga ana e IAL-ve për shkak të përfundimit të mandateve të autoriteteve drejtuese.
“Sipas raportimeve që IAL-të kanë paraqitur për prezencën e studentëve në ambientet e tyre, muaji korrik do të ketë një numër të madh studentësh të pranishëm në provime. Gjithashtu, me heqjen e kufizimeve të transportit publik, studentët dhe pedagogët mund të udhëtojnë lirisht ditën e zgjedhjeve – gjithmonë duke pasur kujdes ruajtjen e distancave fizike dhe pajisjen me mjete mbrojtëse kundër COVID-19. Javën që lamë pas, përfundoi edhe afati ligjor për gjendjen e jashtëzakonshme në vend. Por, duke marrë parasysh rritjen e rasteve të infektimeve, është akoma e paqartë se si do të rifillojë puna nëpër IAL në vjeshtë. Kështu që, për arsye të zgjidhjes së shumë çështjeve të shkaktuara si pasojë e përfundimit të mandateve të autoriteteve drejtuese në IAL, me propozim të rektorëve të universiteteve publike shpallim datën e zgjedhjeve në IAL më 30 korrik, 2020”, u shpreh Shahini.
Ndërkaq, ministrja vijoi se “urdhri nr. 108, i datës 08.05.2020, që shtyu pa afat zgjedhjet për autoritetet dhe organet drejtuese në IAL për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga pandemia e COVID-19, ngarkonte IAL-të të vijojnë me përgatitjet për zgjedhje dhe rektorët konfirmuan se të gjithë universitetet janë gati. Në këtë kuadër, ftoj studentët të ushtrojnë të drejtën e tyre për përfaqësim në strukturat drejtuese të universiteteve ku studiojnë”.
“Sot më shumë së kurrë, IAL-të duhen udhëhequr nga akademikë me integritet, të cilët kontribuojnë edhe me pjesën e tyre shumë të rëndësishme në jetësimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Paktit Për Universitetin”, përfundoi ministrja e Arsimit, Besa Shahini.