Katër ndërtime pa leje në Bllok nuk trondisin askënd. Zona më elitare e Tiranës, vendi model që duhet t’i shmangej kioskëzimit, duket se është kthyer në një kantier ndërtimi pa leje. Sigurisht për biznese.
Erjon Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës, duket se nuk ka dhënë leje për punimet që po bëhen në katër pika kyçe të bllokut. Kjo sepse, në asnjë prej këtyre ndërtimeve, nuk ka ndonjë tabelë ku të thuhet numri i lejes së ndërtimit, kompania që ka bërë projektin, ajo që zbaton projektin, madje edhe afatet e punimeve.
Por ndërkohë që kryetari i Bashkisë, dhe zyrtari tjetër i lartë, Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri që ka në varesi Inspektoriatin e Rregullimit të Territorit, kalojnë mëngjes për mëngjes në rrugën nga sheshi Willson te Presidenca, nuk e shohin katrahurën nga makinat e tyre drejt punëve ku shkojnë, qytetarët e kanë parë të gjithë.
Fotot shkrepen me një rrugë të vetme dhe ndërkohë, strategjia për të gjithë “Ndërtuesit e bllokut” është e qartë.
Te rruga në qendër të Bllokut, pikërisht mu tek kafe “Davidoff” është vendosur një beze e madhe me ngjyrë jeshile. Askush nuk sheh ç’bëhet brenda saj, as çfarë po ndërtohet, as çfarë rikonstruktohet. As çfarë leje kanë marrë. Njerëzit kalojnë aty indiferent, por nuk dihet se çdo të na dalë përpara.
Përballë këtij objekti, në krah të kafe Planet, ka ekzistuar një vilë, tre katëshe. Shumë e vjetër. Askush nuk e sheh dot më vilën. “Skela Syla” dhe bezja jeshile e ngritur deri lart të errëson sytë. Nëse afrohesh të pyesësh, të përzënë menjëherë. A po mbin aty ndonjë pallat? A është shembur vila? A ka leje? Çfarë ka pas bezes?
Duke dalë nga kjo rrugë për të shkuar te Libri Universitar, përballë këtij, pikërisht aty ku është kioska që shet gazeta, pa shkuar te “King House” një tjetër beze jeshile të trondit, të errëson sytë. Deri dje ishte e ngritur fare, sot ka dalë zbuluar. As leje punimesh të anoncuar, as kush e ka bërë. Çfarë po ndodh te këndi kyç në atë zonë plot lëvizje që më parë shiste hamburgera? Kush mban përgjegjësi?
Për të mos folur për një tjetër ndërtim më të padukshëm, por që i përket zonës së bllokut. Eshtë një tjetër beze, që të erreson sytë, dhe vetëm sot është hapur, te kati i parë i “Rrugicës së Jozefinës” le ta quajmë (meqë ish-kryeparlamentarja ka pasur shtëpinë aty). Dhe aty, tela, skela, ndërtime. Asnjë poster, asnjë tabelë, asnjë njoftim për leje.
E pra, në zonën më elitare të Tiranës, po ndërtohet. Rëndshëm dhe Vrullshëm. Asnjë institucion nuk mund të thotë se nuk ka parë gjë.
Vitin e kaluar, Sajmir Tahiri arrestoi mbi 700 persona të vuajtur, që rregullonin çatitë e shtëpive, apo vinin pllaka të reja nëpër banesa, vetëm se e kishte konsideruar ndërtim pa leje.
Por, asnjë pjestar i stafit drejtues të Sajmir Tahirit, nuk afrohet për të kontrolluar për dokumentacionin e këtyre “biznesmenëve të bllokut”.
Një nga punonjësit e një prej ndërtimeve në bllok, thotë se kanë marrë legalizimin. Nëse do të ishte kjo e vërtetë, Artan Lame, kreu i ALUIZNI-t duhet të mbajë përgjegjësi dhe të tregojë praktikën.
Pra ç’po ndodh në zonën e bllokut në Tiranë? A po rimbijnë kioskat nga një qeveri që është anti-kioskë? Sigurisht, qytetarët do rrinë e do vështrojnë… /News Bomb/